Lidhu me ne

Temporal

Na e hodhe mor qerrata!

Nuk jam nga Tirana. Jam nga rrethet. Si i tillë rruga ime, ajo drejt sheshit “Skënderbej”, para dhe pas fotos panalbaneze poshtë kalit, është e shoqëruar nga fjalë të urta dhe mençuri province. Në fillim ti i snobon këto, se hap sytë në kryeqytet. Nis e ndjehesh i huaj me ata që ke lënë pas, sesi të duken, sesi i shikon. Troç muhabeti, siç thonë tironsit, hapesh bythësh. Por më pas, koha kalon dhe ndodh procesi i natyrshëm i ritkthimit.

Nis e vë trurin në punë. E konverton atë në mendje. Të kujtohen disa thënie e disa fjalë që dikur i tallje. Një prej tyre: “Lanë gomerët e morën makina”. Mosha e autorit me siguri 70 vjeç në vitin 1992. Me bast që xhaxhua – se kështu i thonë andej – ka në xhep tarabosh. Atë qesen e rrjepur me duhan të hapur. Pse çuditesh po të të them se në një xhep mund të ketë edhe disa thelpinj hurdhre? Epokë tjetër. Apo jo?

Nuk e di me siguri. Në fund të ditës, që do të thotë kur kujton atë fëmijërinë e largët, të vjen ndërmend ai peizazhi i pafajshëm i fshatit, me njerëz me duar të drobitura, fytyra të rreshkura nga dielli, të cilët të përshëndesnin sa herë shkëmbeheshe. Tundësi që ishte në çdo avlli, pusi, kafshët e shtëpisë dhe gomari. Gomari ishte kudo. Kalimtar indiferent i monopateve, shtigjeve dhe rrugëve nacionale. I heshtur duke dremitur në zhegun e verës pranë ndonjë ledhi ku gëlojnë mizat e po aq i zhurmshëm, por jo zhurmues, kur e ngarkonin e shikonte që i afrohej shtëpisë.

Thonë që me gomar a me mushkë është hapur edhe rruga e Llogorasë, sepse italianët si miq të përhershëm të kafshëve e njohin mirë gomarin. Ai e gjen rrugën, madje kërkon shtegun më të lehtë. Unë vetë e kisha shumë qejf kur i hiqnin samarin dhe niste e tundte bishtin i çliruar nga barra, apo zhgërryhej në dhe.

I shikoje edhe në qytet, më rrallë kuptohet. Kur sillnin ndonjë perime për të shitur, apo qumësht. Më shpesh shikoje mushkat të shoqëruara nga ushtarët e pikave periferike që vinin për të mbushur ujë.

Gomari bashkëjetoi mirë me modernitetin. Makinat e rënda Zisat dhe Gazet e kohës, Saurreli dhe Zetorët, nuk e zëvendësuan gomarin. I cili mbeti një proletar i vërtetë i fermës së kafshëve që quhej Shqipëri. Po aq i përulur dhe syunjur sa edhe bashkëkombasit e tij humanoidë. Mbante barrën që i vije, hante aq sa gjente, pinte ku mundej. Me ndryshimin se bajgat i lëshonte lirshëm, ku t’i vinte përmbarë. Nga një pikëpamje, ajo e eskrementit, ishte më i lirë se fshatar – proletari, në mos gati njësoj. Pa probleme ekzistence, por gjithnjë e më pak ekzistent.

Ky peizazh u zhbë me shpejtësi sa hap e mbyll sytë pas vitit ’90. Makina gjithëfarëshe, mjete të rënda, transport krejt tjetër, rrugë të reja, ujë në shtëpi, elektroshtëpiake, minifunde, xhinse, këpucë allosoj. Gjithë pra një “rimobilim” i mjedisit dhe njeriut që nuk shkontë gjëkundi me samarin, si kostum permanent të gërxhos së dashur.

Ky shformim radikal, që u quajt transformim, i dha kësaj kafshe të paqtë cilësi të ekzotikes, të arkaizmit, të species në zhdukje nga pavlefshmëria në kohën e re. E keni vënë re kur pas shumë kohësh të përpirë në përditshmërinë e punës, sapo shkon në fshat e sheh këto copëza të së shkuarës, sepse të kap një nostalgji? Nis e kundron gërxhon, i vë dorën te veshët. Ai tund kokën e bën tutje, ashtu si përherë. Ose ti kalon në rrugë dhe e sheh duke qëndruar pranë ndonjë ferre. Mundet të kthejë edhe kokën. Aq i bën për makinën tënde. Apo se ti ecën më shpejt. Gomari nuk ka komplekse. Kaq kuptohet.

Njëfarë gomari po ngjan ama edhe makina. Disa lloje që tani po i nxjerrin jashtë qarkullimi. U mor vesh se qeveria, e preokupuar për ndotjen e madhe që vjen nga makinat, ka vendosur që mjetet e para vitit 2005, të dalin nga qarkullimi. Dhe unë që ngushëllohesha ende me faktin se ndonjë Benz 240, pse jo me balestra që e shikon ende fshatrave, do të më nxirrte mallin e një kohe të shkuar. Një kohe me pak kërkesa e me gëzime shpesh pa shkak. Jo. Edhe kjo kategori ikën. Nuk lejohet më.

Nuk mbaron me kaq.

Një tjetër lajm allasoj për mendësinë time ishte ai se kush prodhon më shumë se 100 kg, apo litra raki, duhet t’i deklarojë në shtet përndryshe gjobitet. More ç’bëhet kështu? Mua këto më duken gjëma të karabushëve nga qyteti. Sepse më kujtojnë atë talljen që u bëri Xhebro Gjika atyre që erdhën nga Tirana kur u tha se kemi problem që nuk na pjellin mushkat.

Për rakinë tregojnë një anektodë: Kur Ilir Meta e drodhi në 2009-ën e u bë me Salinë, i shkoi në Ministrinë e Jashtme një plak nga Skrapari. Sa i iu drejtua për t’i thënë ndonjë gjë, Lili ja preu: “Xhaxha, të kam nga anët e mia, por për punë shko te partia”.

E jo o të keqen xhaxhai, jo. Çe dua punën unë. Po kam nja 100 kuintalë raki të mirë e meqë ti njeh këndej nga Tirana, thashë mos më ndihmoje ta shisnim”, ia ktheu xhaxhai. Si mbeti Lili thoni ju? Hë mo, si mbeti?

Kjo e ndotjes  nga makinat është me hile. Ikin 100 mijë copë thonë. Dalin të pavlefshme. E pse? Për ndotjen në vetëm një qytet, apo dy, si Tirana.

Si t’ja bëjmë për të shkuar jashtë kryqyetit? Të ikim me makina të 2015-ës? Këtu del në skenë gërxhua prapë. Mundet të jetë duke ngritur veshët e pëllitur nga gëzimi. S’ka gojë i shkreti të thotë: Hë more gomerë. Po tani, si do ja bëni? Apo do porosisni samrë me standarde ISO 900?

Ç’ti thuash? Asgjë. Thjesht i kujton se sipas studimeve http://www.independent.co.uk/environment/climate-change/coë-emissions-more-damaging-to-planet-than-co2-from-cars-427843.html, shkatërruesi më i madh i mjedisit nuk është as makina, as avioni, as edhe George Bush:)). Por janë ekskrementet e lopëve. Pra e shokëve të ngushtë të gomarit. Por deri këtu kjo qeveria jonë nuk ka mend. Akoma jo. Ndaj o burra të marrim ndonjë samar sa pa u vënë taksë artizanati edhe për ato dy copa dhoga e një dorë kashtë, se për bajgat bëjmë derman. Do instruktojmë gomerë dietikë.  Mos e merrni me shaka! Nga historia nuk del dot kaq kollaj veshëgjati.

Shaptilografisti

 

Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Radar2 ditë më herët

U hoqën nga gara, por nuk mërziten! Si shprehen socialistët pas publikimit të listës

Me 186 kandidatë do të hyjë në garën e 11 Majit Partia Socialiste. Por si çdo listë edhe ajo mund të...

Mix2 ditë më herët

Ushqimet për një agjërim sa më të shëndetshëm gjatë Ramazanit

Gjatë kohës së vakteve në muajin e Ramazanit, familjet myslimane zakonisht mblidhen për të shijuar vaktin pas perëndimit të diellit...

Mix2 ditë më herët

Mollët, portokalli dhe kivi, frutat më të mira për mëngjes dhe përfitimet e tyre për shëndetin

Studime të ndryshme kanë treguar se ngrënia e mëngjesit mund të ndihmojë në stimulimin e metabolizmit. Një mëngjes i shëndetshëm...

Mix2 ditë më herët

Rihanna vesh xhinset $1,200 të Kendrick Lamar

Mesa duket, Rihanna ‘is like us’. Një muaj pasi Kendrick Lamar bëri bujë me performancën e tij në “Super Bowl...

Mix2 ditë më herët

Si të humbasësh peshë duke ecur! Këshillat për një rezultat të shpejtë

Për të mbajtur një trup të shëndetshëm mënyrat e duhura janë vetëm dy, aktiviteti i vazhdueshëm fizik dhe regjimi i...

Radar2 ditë më herët

“Lista e PD me një grusht servilash”, Basha – kolegëve demokratë: I paralajmërova, i ftoj të na votojnë ne! U bënë pishman për mumifikimin e partisë

Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë dhe njëkohësisht drejtues i Koalicionit Euroatlantik në zgjedhjet e 11 majit, Lulzim Basha, i bëri thirrje...

Aktualitet2 ditë më herët

PD dhe PS nxjerrin emrat kandidatëve që do përballen në zgjedhjet e 11 majit

Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë vendosur emrat e kandidatëve për deputetë të cilët do kandidojnë në zgjedhjet e 11...

Kryesore2 ditë më herët

Të zhgënjehesh nga Berisha në vitin 2025?

Dhe nëse dikush priste që ai do të luante ndryshe këtë herë, atëherë problemi nuk është Berisha – problemi është...

Aktualitet4 ditë më herët

Ben Andoni: Rama po përgatitet për republikën presidenciale

Kryeministri Edi Rama tha së fundmi se ka mundësi që të mos jetë më në listën e deputetëve. Kjo ka...

Radar4 ditë më herët

Eksodi i “diplomave”, në 2023 u diplomuan rreth 12 mijë studentë më pak se në 2019!

Eksodi i diplomave nuk ka të ndalur, teksa në bankat dhe auditore ka gjithnjë e me pak studentë, sot çka...

Facebook