Kryesore
Top Story, Tirana sipas…Erion Veliajt
Tirana përgatitet për festat, por në ditët e fundit kryeqyteti kalon dy momente të rëndësishme. Më 29 dhjetor miratohet plani i ri rregullues i Tiranës dhe po në të njëjtën ditë edhe buxheti 2017 i bashkisë.
Çfarë do të bëje Erion Veliaj me 100 milionë eurot që pritet të marrë nga buxheti i Qeverisë? Cili është plani i tij për sheshin Skënderbej? Cilat janë zgjidhjet për problemin modern të kryeqytetit, trafikut të rëdnuar dhe cila është e nesërmja e tij në politikë?
Për këto dhe të tjera pyetje, Top Story u zhvendos këtë të hënë në rrugët e Tiranës në një intervistë të pazakontë me vetë kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Intervista nisi nga njëri prej kantiereve të punimeve të hapura nga Bashkia, në atë tek Pazari i Ri.
Erion Veliaj: Është një kantier që do edhe 2-3 muaj që të përfundojë. Besoj që për Ditën e Verës i gjithë kompleksi i Pazarit të Ri do të jetë hapur. Jemi duke punuar me 3 turne që të kapim shumë kohë që ka humbur Tirana. Lajmi i mirë është që shumë banesa kanë fituar vlerë. Vlera e pronës është rritur deri në 50 përqind. Një pjesë e tyre kanë filluar të hapin aktivitete. Në tregun e fruta-perimeve kemi ndërhyrë duke u fokusuar kryesisht tek produktet vendase. Struktura ka një koncept skandinav me thepisje të çatisë, që në fakt është konturi i Malit të Dajtit, një pasqyrim në miniaturë i Malit të Dajtit.
Sokol Balla: Hasi rezistencë kur u nisën punimet?
Erion Veliaj: Ndryshimi has gjithmonë në një lloj rezistence. Kemi patur rezistencë, por në fakt ata që kanë qenë më rezistentët, sot kanë bërë disa kryevepra rreth e rrotull pazarit dhe besoj që ka një konsensus që gjithë ndryshimi vjen për mirë.
Sokol Balla: Cili është koncepti i rigjallërimit të këtyre zonave?
Erion Veliaj: Së pari, zona ishte e nënpërdorur. Kemi një koncept sesi do të menaxhohet, ku ata që do të bëjnë biznes këtu do të jenë automatiksiht edhe anëtarë të një shoqërie që do të menaxhojë këtë zone, ku me një pagesë modeste do të jetë krejtësisht i pavarur nga politikat fiskale të Bashkisë së Tiranës. Nuk do t’i paguajnë taksë Bashkëisë së Tiranës, do t’i administrojnë vetë të ardhurat e tyre, njësoj sikur të paguanin taksë, por që t’i kthejnë sërish këtu për pastrim, mirëmbajtje, punime shtesë.
Sokol Balla: Megjithatë, edhe në Tiranë nata është e gjallëruar deri në një orë të caktuar dhe e përqendruar në pak zona.
Erion Veliaj: Gjëja e parë që duam të bëjmë për gjallërimin e jetës së natës është që zona të tilla të jetojnë 24 orë. Domethënë, pasi tregtohet gjatë paradites, pasditja të jetë një zonë kulinarie, minikoncerte. Do të jetë një zonë e gjitha pedonale, nga sheshi Avni Rustemi deri tek rruga Qemal Stafa. Së dyti, bashkia po mundohet të jetë aktive në jetën e natës. Ne duam të kemi simbolikisht një kryetar bashkie të natës, një aktivist që promovon jetën e natës, që të punojë turnin e tretë për t’u siguruar që jeta e natës të gjallojë. Shumë bashki e kanë një të tillë. Këtu jeta e natës shkon në disa milionë euro në fundjavë. Kjo do të thtoë që këtu ka njerëz që shpenzojnë, që punësojnë.
Sokol Balla: Po duket sikur mungon larmishmëria?
Erion Veliaj: Momentalisht në Tiranë nuk ka natë që të mos ketë një opera, një film të ri që ka dalë, një koncert, ndaj na duhet të promovojmë atë që kemi. Për një qytet me këto përmasa, për këtë rajon besoj që Tirana ka më shumë aktivitete në mbrëmje deri në mesnatë se shumë qytete të tjera. Besoj që po të bëjmë një promovim më të mirë kemi mundësi që ekonominë e natës ta shfrytëzojmë më mirë.
Sokol Balla: Nga vijnë paratë për projektet?
Erion Veliaj: Për Paazarin e Ri këtu kemi bërë një propozim ku kemi ndarë disi kostot. Investimin e parë e bëri Fondi Shqiptaro-Amerikan. Ajo që premtuam ne është që ne do të paguanim çdo qindarkë që do të paguanin ata dhe ne investuam tek tregu i mishit dhe peshkut. Pastaj vajtëm tek qeveria që pranoi të bënte fasadat. Kështu, të trija palët nuk u rënduan më shumë se normalisht.
Sokol Balla: Për tregtarët e vegjël e ka vdekur deri më tani aktivitetin e tyre?
Erion Veliaj: Momentalisht aktiviteti është zhvendosur tek sheshi Avni Rustemi. Për momentin askush nuk ka patur një humbje ekonomike. Përkohësisht kemi pezulluar pak trafikun, pak aktivitetin e përditshëm për t’u siguruar që do të marrim një përfitim shtesë. Sot është rritur vlera e pronës në këtë zonë këtu me 50 përqind pa bërë asgjë pronarët e banesave këtu. Me plani i ri urbanistik kjo zonë dhe gjithë pjesa tjetër e njësisë 8, që quhej zona e Shkollës së Partisë, nuk do të ketë më statusin e zonës së mbrojtur për disa arsye. Së pari, vetëm për Shtëpinë e Partisë, e cila sot nuk ekziston vetë, krejt papritur e gjithë zona merrte një status ku askush nuk mund të bënte rregullimin më të vogël të banesës së vet.
Sokol Balla: Në këtë zonë, do të ndërtohet?
Erion Veliaj: Në këtë zonë, nëse qytetarët do të duan të zhvillojnë pronën e tyre mund të zhvillojnë përsa kohë që shtëpia nuk është monument kulture. Ajo që na ndodh në këtë zonë, është që për një shtëpi që nuk është më, e gjithë zona ishte shpallur zonë e mbrojtur për shtëpi që ishin të gjitha të vjetra, pa pikë vlerë kulturore, pa asnjë lloj statusi të vecantë. Ka qenë një premtim elektoral që kam dhënë për këtë zonë.
Sokol Balla: Plani i ri nuk është miratuar akoma, pse po vonon kaq shumë?
Erion Veliaj: Ka qenë një pjesë e rifinituarave kryesisht në zonat rurale. Plani urbanistik i Tiranës sot do të thotë edhe plani urbanistik i Shën Gjergjit, Zall Dajtit e të tjera zonave të reja.
Sokol Balla: Do të ketë një mbrojtje nga sindroma e betonit? Do të ketë kontroll për këtë zonë pasi mbetet zona e fundit historike e Tiranës?
Erion Veliaj: Plani i vjetër që trashëguam që planifikonte mjaftueshëm ndërtim për 4.5 mln banorë. Kjo ishte një utopi, një plan i tillë nuk ka mundësi që të ndodhë. Ishte vënë një koeficient i tillë për të akomoduar oreksin e atyre që donin të ndërtonin dhe vetmja mënyrë si të justifikohej ishte se qyteti në 10 vitet e ardhshme do të shkojë 4.5 mln banorë. Ndërkohë, plani ynë parashikon komplet të kundërtën. Ne parashikojmë që deri në 2030 Tirana të jetë maksimumi 1.6 milionë banorë, nga 1 që është sot. Tirana rritet çdo vit me 20-30 mijë banorë. Ambicia jonë për këtë zhvillim është sa 1/3 në çështjet e volumit krahasuar me atë që gjetëm.
Sokol Balla: Më kujtohet një premtim i juaj që do të tregoheshit më të kujdesshëm në çështjet e ndërtimeve. Ju shoh më të relaksuar sot.
Erion Veliaj: Në fakt, u bë një vit e gjysmë që nuk janë dhënë leje ndërtimi në tiranë. Ajo që asnjë kryetar bashkie nuk do është që qyteti t’i mbingarkohet nga njerëz që vijnë në tiranë. Studentët që u diplomuan vjet kur u zgjodha unë, një pjesë e madhe nuk janë larguar nga tirana, madje fejuar e martuar dhe do të gjejnë punë në tiranë. Kjo është arsyeja pse po japim kredi të buta. Për një qytet është lajm i mirë që njerëziit duan të vijnë dhe të jetojnë në atë qytet. duhet të gjejmë mënyrën më të drejtë për të akomoduar njerëzit që e shohin tiranën si mundësi për sukses.
Sokol Balla: Kjo është një nga zonat ku aktivitete të vogla ka patur histori9kisht dhe një problem kryesor ka qenë higjiena, furnizimi me ujë, kontrolli ushqimor. Furnizimi ka qenë gjithmonë një problem. Furnizimi me ujë?
Erion Veliaj: Tiranën e kemi gjetur me 7 orë e gjysmë 8 orë në ditë, sot jemi 13-14 orë në ditë, dyfish në një periudhë relativisht të shkurtër. Kemi bërë 101 ndërhyrje me ujësjellës kanalizime për zëvendësime tubash. Tirana është parashikuar për 200 mijë banorë, ka patur tuba të vegjël gize, instaluar në 50=60, që kanë degraduar. Sot ndërmarrja e ujësjellësit është një histori suksesi e menaxhimit publik. Ne kemi patur disa oferta…
Sokol Balla: Oferta kineze te 200 mln euro
Erion Veliaj: Jo vetëm kineze. Kemi patur edhe franceze dhe spanjolle. Ajo që gjykoj është sa aksione mund të shesim për të rritur kapital, jo për të hequr dorë ngaujësjellësi. Bëhet fjalë për të shitur diçka për të marrë kapital dhe për të investuar. Sot nuk jemi në një situatë për të marrë kredi dhe e vetmja mundësi për të rritur kapital është duke shitur një pjesë të aksioneve. Kjo bëhet që tirana të ketë ujë 24 orë brenda kohës që ne jemi gjallë, se mund të ketë pas 100 vitesh, por na duhet kapital për këtë që ta bëjmë në kohë të shkurtër. Kjo është arsyeja se pse besoj që ujësjellësi ka qenë një histori suksesi. Uji në tiranë është me të njëjtat shifra pegese që është edhe në Korçë e Përmet e Gjirokastër, që kanë qenë 2-3 qytetet me shëmbull dhe më vjen mirë që ja kemi arritur kësaj dite.
Sokol Balla: Le të flasim pak për trafikun. Trafiku është rënduar në kryeqytet, aq sa pak ditë më parë edhe policia u dorëzua dhe tha që nuk ka çfarë të bëjë.
Erion Veliaj: Secili duhet të bëjë detyrën e vet. Të kuptojmë që në një qytet me 1 milionë banorë do të ketë trafik. Do të thotë që me njerëzit që vijnë për festa, me ata që e përdorin si tranzit, shumë lëvijze që mund të bëhen me bicikletë, ose këmbë, besoj që një qytet i këtyre përmasave ka këtë lloj trafiku. Nëse njerëzit duan një qytet që s’ka trafik, do të thotë që është një qytet që nuk ka jetë, s’ka biznes.
Sokol Balla: 170 mijë makina në tiranë, nëse flasim për 20 mijë të tjera shtesë cdo ditë që cijnë nga rrethet dhe që flasim për këto ditë feste, flasim për gati 300 mijë makina, ju përuruat aksin e ri pas INSIG-ut dhe sërish duket sikur asgjë nuk ka ndryshuar?
Erion Veliaj: Ajo që duhet të ndryshojë nuk është vetëm infrastruktura, por edhe kultura e mënyra sesi ne e përdorim makinë. Ky është një qytet që është ndërtuar për 170 mijë banorë, jo 170 mijë makina.
Sokol Balla: Ky nuk është justifikim për një person që votohet si një menaxher i ri me ide të reja, siç ishte Pazari i Ri.
Erion Veliaj: Asnjëherë nuk kam thënë që do të zhduket trafiku në Tiranë sepse përsa kohë është zemra e Shqipërisë, është kthyer në vendin e suksesit, nëse dikush do të bëjë jetën e vet aktive në Tiranë do të paguajë edhe këtë çmimin e transportit duke qëndruar në trafik. Do jetë një çmim përsa kohë shumë prej nesh, unë i pari nuk përdorim biçikletën dhe ecjen në këmbë në një vend që ka 300 ditë diell.
Sokol Balla: Pavarësisht se janë shtuar, rrugët për biçikleta nuk janë mjaft. E dyta transporti publik është ai që është dhe e treta janë disa akse që nuk kanë përfunduar, si rruga e re që do të shkojë nga Sauku tek Qyteti i Nxënësve, e që do të përfundojë para qershorit, por deri atëherë, Tirana po vuan në mënyrë ditore, është kthyer në një gangrenë dhe të bllokosh në këtë moment sheshin Skënderbej, i bie që të krijosh me ose pa dashje një ngjeshje më të madhe në trafik.
Erion Veliaj: Në Tiranë vetëm 17 përqind e njerëzve janë pronarë të një makine. Po 83 përqind e njeëzve që nuk kanë makina, nuk meritojnë të kenë një shesh?! Këta që ecin, prindërit tanë që nuk kanë makina, ata që duan të përdorin sheshin Nënë Tereza për të luajtur me fëmijët, ata që duan më shumë hapësira të gjelbërta?!
Sokol Balla: Pastrimi ka ndryshuar, çfarë u bë ndryshe nga më parë?
Erion Veliaj: Kemi patur një sistem pastrimi që ka qenë i kontraktuar tek privati që nuk ka bërë ndonjë punë të shkëlqyer dhe gjithë mbeturinat hidheshin në një vend. Ne kemi një seri koshash të rinj që janë vendosur. Kemi dy makineri, kemi një makineri që mbledh plehrat që riciklohen dhe një tjetër që mbledh plehrat që nuk riciklohen. Deri më tani po funksionon dhe fatmirësisht fëmijët kanë qenë ata që kanë qenë më entuziastë dhe me trajnimet që kemi bërë ata imponojnë edhe prindërit e tyre për ndarjen e mbeturinave. Nuk është perfekt, por të mendojmë që ka vetëm një javë që është prezantuar. Në shumicën e vendeve të BE ka vite dhe unë them që për kaq pak ditë jam shumë i lumtur.
Sokol Balla: Në pjesën e dytë e nisim bisedën 9 metra poshtë nivelit të sheshit Skënderbej, në nivel nëndetësje.
Erion Veliaj: Praktikisht rrethohemi nga uji. Do të ketë dy depozita me 1 mijë metër/kub ujë, që do të kenë dy funnksione. Një vaditjeje dhe tjetra për shatërvanet.
Sokol Balla: Thatë që lulishtja prapa Teatrit të Operas dhe Baletit do të jetë një tip fidanishteje.
Erion Veliaj: Në fakt shumica e pemëve janë porositur. Pjesa pas do të funksionojë si fidanishte e përkohshme dhe shumica e ujit do të shkojë për ujitje dhe vaditje, ndërsa pjesa tjetër për shatërvane. Do të kemi 120 shatërvane, 100 me rrjedhje të lirë, kurse pjesa tjetër shatërvane klasike. Si projekt hidrotenik dhe inxhinierik është ndoshta projekti më i ndërlikuar në Shqipëri.
Sokol Balla: Këto punime janë të vjetra, datojnë në 2011 kur u ndërprenë pasi erdhi Basha?
Erion Veliaj: Ky ishte fillimi i projektit që dolën jashtë funksionit pas ndërprerjes së bërë nga Qeveria Berisha. U mbushën me baltë dhe me ujë deri në tavan. Me ditë të tëra u vendosën pompat që hoqëm ujin. Arritëm të rikuperonim investimin që të mos shkonte dëm. Kursyem shpenzimet e zonës së nëntokës.
Sokol Balla: Pse ky fiksim i qeverive me sheshin Skënderbej? Duket sikur secila qeveri kërkon të vendosë stampën e vet.
Erion Veliaj: Jemi i vetmi qytet në Europë që nuk ka një qendër të veten. Ne nuk e kemi dhe e kishim zënvendësuar me një rrethrrotullim makinash. Nëse duam që qendra të jetë një monument dedikuar makinave apo njerëzve? Unë besoj që qendra duhet të jetë për njerëzit.
Sokol Balla: Ça kostoje ka gjithë ky ndërtim dhe a ka përfunduar ndërtimet nga pikëpamja infrastrukturore?
Erion Veliaj: Nëse e krahasojmë me projekte të ngjashme me rajonin tonë, për shembull me atë të Shkupi 2014, që kapi një vlerë rreth 800 mln dollarë, sheshi Skënderbej me të gjtiha shkon më pak se 10 mln.
Sokol Balla: Këto para të taksapaguesve apo grante?
Erion Veliaj: Disa kanë qenë para të Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, disa të bashkisë dhe disa të qeverisë. Ka një miks financimi. Sheshi do të ketë një ndriçim me një koreografi spektakolare.
Sokol Balla: Pse nuk u investua që ky shesh të gërmohej dhe të krijoheshin kalime nëntokësore, pra të lidhjes së bulevardit kryesor me bulevardin Zogu i Parë dhe sipër të ishte pedonale?
Erion Veliaj: Së pari sepse kostot janë të mëdha për një qytet të përmasave të Tiranës. Së dyti, ajo që kemi kuptuar është se edhe nëse do të ndërtonim nënkalim, është që thjeshtë zhvendosim bllokimin e trafikut. Ajo besoj se mund të vlejë kur të kemi financa të shëndosha sepse kostoja e një tuneli të tillë, që të lidhë bulevardin shkon deri në 50-60 mln dollarë, pra gjithë buxheti i investimeve të bashkisë për dy vjet. Për momentin kemi zgjidhjen teknike më të përballueshme për Tiranën.
Sokol Balla: Sa ishte fiksimi juaj dhe sa i Ramës për ta përfunduar sheshin Skënderbej?
Erion Veliaj: Ishte më shumë çështje pasioni sesa çështje fiksimi.
Sokol Balla: Na jepni fjalën që nuk do të lëvizni simbolin e sheshit? (monumentin e Skënderbeut)
Erion Veliaj: Jo vetëm që nuk do të lëvizë, por edhe do të çlirohet dhe do të jetë më i aksesueshëm. Do të jetë në qendër të sheshit dhe respektin dinjitoz që meriton heroi ynë kombëtar. Sheshi do të jetë 24 mijë metra katrorë dhe kur të përfundojë do të jetë pedonalja më e madhe në Ballkan. Sheshi do të ketë rreth 12 minisheshe të tjera të gjelbëruara me pemë të larta. Do të mbillen rreth 5 mijë pemë në shesh. 50 përqind e sheshit do të jetë në hije me pemë dhe nuk do të jetë një shesh pompoz e autoritar që është parë në vendet e lindjes.
Sokol Balla: Ka një ndryshim të projektit apo jo?
Erion Veliaj: Ka një përmirësim të projektit. Ka shumë kosto gërrmimi, kosto më e vogël ishte që pasi bëmë gërrmimin ishte bërë të bënim një parking nëntokësor që do të futet nga rruga e Kavajës dhe do të dalë tek ajo e Durrësit, ose do të bëhet me dy hyrje-dalje. Ka 300 makina të përashikuara që për bashkinë e nxjerr koston për 1 vit e gjysmë. Është pronë e Bashkisë së Tiranës. Ndryshuam projektin sepse patëm kërkesa nga njerëzit që e duan sheshin, por donin edhe vend ku të linin makinën. Bashkuam këto ide.
Sokol Balla: Cili është argumenti që si menaxher i qytetit jepni me këtë shesh dhe me bllokimet e rrugëve të tjera? Kam përshtypjen që po mundoheni që ta bëni makinën antipatike në sytë e shqiptarëve, jeni i sigurtë për këtë?
Erion Veliaj: Stacioni i ndotjes na tregon që në ditët pa makina kemi patur norma të ndotjes së ajrit të njëjta me ato të BE-së. Së dyti, na ka treguar që ndotësit më të mëdhenj janë mikrogrimcat që vijnë nga makinat që përdorin naftë dhe benzinë. Në gjithë botën sot, në gjithë vendet e qytetëruara po i shpallet luftë makinës. Ne sot harxhojmë më shumë për makinat sesa po harxhojmë për fëmijët. Është e arsyeshme që t’ja bëjmë me dije publikut këtë. Nuk është shumë popullore, por qytete të tjera e kanë marrë këtë vendim.
Sokol Balla: Pllakat, gati për t’u shtruar?
Erion Veliaj: Në fillim të janarit do të fillojmë me shtrimin e pllakave. Pllakat vijnë nga troje të ndryshme, nga të gjitha trojet shqiptare. Pllakat do të formojnë një mozaik dhe unë besoj që deri në qershor të vitit tjetër, projekti do të jetë totalisht i përfunduar dhe aktivitetet e para besoj do t’i kemi në qershor të 2017.
Sokol Balla: Nga i gjeni paratë për të bërë projektet, pasi ka shumë investime dhe shumë ndërtime në shumë fusha?
Erion Veliaj: Buxheti që gjeta ishte një buxhet që nuk tejkalonte 35-36 mln eurot, ndërsa sot është trefishuar. Është zgjeruar baza, disa taksa për bizneset e mëdha janë rritur. Ajo që kemi ulur për biznesin janë procedurat dhe afatet.
Sokol Balla: Jeni në prag të miratimit të planit rregullues që do të zhvillojë shumë zona që nuk janë në planin rregullues. Unë kam folur me disa ndërtues që thonë se nuk është më aq ekzotike të investosh në Tiranë për shkak të taksës së ndërtimit.
Erion Veliaj: Kjo nuk është e vërtetë. Fakti që ne kemi dhjetra ndërtues që kërkojnë të zhvillojnë më bën të kuptoj që i bëjnë naze taksës dhe në fund fitimi që kanë e justifikon këtë taksë.
Sokol Balla: Na shpjegoni çfarë është kjo taksë dhe sa rritet?
Erion Veliaj: Kostoja e ndërtimit në Tiranë nuk i kalon 300-400 euro për metër/katrorë. Kostoja e shitjes në vendet më të lakmuara shkon mbi 1500 euro. Kjo do të thotë që për një metër katror, një ndërtues fiton 1 mijë euro. Do të thotë që për një ndërtim 10 mijë metra katror ndërtuesi të fitojë 10 mln euro dhe mua më duket e arsyeshme që 8 përqind të kësaj ndërtuesi t’ja paguajë bashkisë së qytetit. Po të krahasohet kjo taksë me rajonin jemi sërish më ulët. Ne e kemi vendosur 8 përqind të çmimit të shitjes.
Sokol Balla: Patët rezistencë?
Erion Veliaj: Patëm rezistencë. Patëm një betejë në Gjykatën Kushtetuese dhe një debat të madh edhe në këshillin bashkiak.
Sokol Balla: Jo vetëm kaq, mua më rezulton që ka patur një lobim të fortë edhe brenda mazhorancës tuaj kundër kësaj takse?
Erion Veliaj: Mund të ketë patur lobim. Fakti është që kjo mazhorancë në Parlament i ka qëndruar interesit publik.
Sokol Balla: Këtu keni qenë në unison të gjithë, pasi koalicioni ëshë shumëngjyrësh tashmë?
Erion Veliaj: Mundohem që të punoj me gjithë aleatët e koalicionit. Kam marrëdhënie të shkëlqyer me të katër partitë që janë aleate.
Sokol Balla: Disa funksionarë të lartë të LSI thonë që me erjonin jemi të kënaqur, të gjitha kërkesat për punësime na i ka plotësuar…
Erion Veliaj: Nuk besoj se thonë këtë të punësimeve sepse ndoshta nënkupton që kemi marrëdhënie komunikimi të shkëlqyer. Kam kolegë nga të gjitha partitë e koalcionit.
Sokol Balla: Festat janë një moment për të kujtuar ata që nuk kanë e që nuk janë më. Më duhet t’i rikthehem këtu një vdekjeje në Sharrë, një 17-vjeçar për vdekjen e të cilit kanë nisur hetimet dhe Bashkia e Tiranës është e përfshirë në këto hetime. A mendoni gjëra të tilla në ditë festash dhe a keni diçka më shumë për të thënë për atë ngjarje?
Erion Veliaj: Mendoj për këtë qytet dhe për atë ngjarje. Di gjithashtu që është më e rëndësishme që të flasë drejtësia. Unë nuk bëj politikë me ngjarje të dhimbshme. Mundohem të jem i dobishëm. Për disa gjëra, faktet që nuk i di dhe politizohen, preferoj më mirë të flasë drejtësia sesa të politizohet më tej një ngjarje që nuk ka lidhje direkte me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, por është një ngjarje që ka ndodhur në një kantier për të cilën ne presim një zbardhje nga drejtësia.
Sokol Balla: Teatri Kombëtar ka qenë gjithmonë një objekt sherresh, si do të zgjidhet ky problem?
Erion Veliaj: Kemi një propozim që ta rindërtojmë teatrin kombëtar. Është krijuar si teatër për të argëtuar trupat italiane në tiranë, që ka shumë histori, por që duhet të ndryshojë. Sot në gjendjen aktuale që është, ku fut ujë, muret po bien ka nevojë që të rrisë kapacitetin dhe modernizohet. Propozimi ynë është që të ndërtojmë një teatër të ri, me më shumë vende me 500-600 vende, që të jetë vetëm teatër, por edhe me aktivitete të tjera që hapin qytetin për më shumë sesa orari i punës.
Sokol Balla: Më bëri shumë përshtypje deklarata e policisë për trafikun në Tiranë, si janë raportet tuaja më ministrin e Brendshëm? Shiheni të dy si mbështetës të Edi Ramës dhe ai ju ka mbështetur, por flitet për një rivalitet mes ju dyve për të ardhmen e PS.
Erion Veliaj: Ne nuk kemi asnjë rivaliteti. Jemi të fokusuar tek bashkëpunimi që kemi për menaxhimin e qytetit sepse na bie barra të dyve, përfshirë edhe punën e trafikut.
Sokol Balla: Aty u duk sikur ka patur pak…pra një polici që thotë unë dorëzohem! Nuk ka çfarë t’i bëj trafikut, duket sikur ua lë peshqesh juve, pra realisht qytetarët duan të dijnë sa ndikojnë këto fërkime të supozuara në menaxhimin e qytetit.
Erion Veliaj: Detyra jonë është të mos dorëzohemi, që të mendojmë për një zgjidhje. As unë, as Sajmiri nuk jemi dorëzuar. Ka trafik, por fundi i vitit ka qenë gjithmonë kështu. Gjithmonë themi që është ndryshe, por gjithmonë kështu ka qenë.
Sokol Balla: Tirana ka disa ‘black spote’ e njëra prej tyre është edhe Hotel Dajti…
Erion Veliaj: Jo dhe për shumë kohë. Ka një propozim shumë interesant që katet e sipërme t’i ushtrojë Banka e Shqipërisë për zyra, ndërsa ambientet poshtë t’i kthehen publikut.
Sokol Balla: Një nga vendimet e fundit, kalimi i piramidës në pronësi të bashkisë për një tjetër simbol të qytetit. Çfarë do të ndodhë me të?
Erion Veliaj: Është një përgjegjësi e jashtëzakonshme. Piramida është sot e amortizuar dhe jashtë funksionit. Në gjysmën e dytë të janarit do të kemi një konkurs ndërkombëtar për arkitektë për mënyrën sesi e duan Tiranën. Ne duam t’i rikthehet qytetit, të jetë një vend për muzikë, ekspozita, debat, argëtim. Duam ta fokusojmë tek të rinjtë. Kemi një plan dhe kalimi në varësi të bashkisë na jep mundësi që të ecim pak më shpejt.
Sokol Balla: Cila është e ardhmja e Erion Veliajt?
Erion Veliaj: E ardhmja ime është në bashkinë e tiranës. Do shfrytëzoj maksimalisht ntë gjithë besimin që më japin qytetarët për ta cuar tiranën në shekullin e ri. Nuk është ende aty ku duhet. Disa gjëra kemi zgjidhur.
Sokol Balla: Gjithë ky investim i madh i juaji, duket e pamundur që të ndaloni projektin tuaj politik vetëm tek Tirana?
Erion Veliaj: Tirana është ajo me të cilën zgjohem çdo mëngjes. Ky është pasioni im, ky është fokusi im.
Sokol Balla: A ka nevojë Shqipëria për fytyra të reja në politikë?
Erion Veliaj: Kjo që po bëjmë ne është politikë, është politika e re ku ne besojmë.
Sokol Balla: Sheshi Nënë Tereza ka qenë vazhdimisht i mbyllur këtë vit. Keni një park lojrash sot këtu, por ndërkohë qarkullojnë zëra që parku tradicional i lojrave, ai tek Rruga e Elbasanit do të zhduket.
Erion Veliaj: Nuk është kështu. Sheshi Nënë Tereza ka qenë vetëm një rrethrrotullim dhe nuk ka banorë në të. Më duket e paarsyeshme që Sheshi Nënë Tereza të kishte funksion vetëm rrotullimin e makinës. Kemi përdorur këto hapësira për t’i dhënë frymëmarrje qytetit. Sheshi tek 7 Xhixhat është një nyje që ka shumë trafik, është hapësirë e dhënë me qira nga shtetit dhe nuk më rezulton ndonjë kënd lojrash kushedi se çfarë. Ajo që propozojmë është që ta rimarrë Bashkia e Tiranës. Bashkia e Tiranës ka një ide që të bëjë nën tokë një parkim nëntokësor dhe mbi një kend lojrash shumë më të bukur nga ai që kemi sot, ku përfiton vetëm një privat.
Sokol Balla: Do jetë park lodrash apo do të ndërtohet?
Erion Veliaj: Do të jetë park lodrash, do t’i kthehet Bashkisë së Tiranës, do të bëjë parkim poshte dhe park lodrash sipër.
Sokol Balla: Pjesa tjetër?
Erion Veliaj: Pjesa tjetër është pronë private dhe duhet të vendosin privatët në lidhje me rregullat e këtij shteti.
Sokol Balla: Duket se një nga synimet që ju keni është t’u ktheni dëshirën njerëzve për Tiranën, mendoni që ja keni arritur?
Erion Veliaj: Besoj dhe do vazhdoj të përpiqem çdo ditë për këtë.
Sokol Balla: Çfarë parashikoni për Tiranën për këto festa?
Erion Veliaj: Do të kemi një koncert të madh për Krishtlindje, ndërsa koncerti i vitit të ri ku do të bëjmë numërimin mbrapsht, pastaj filarmonia e Vjenës. Në Bashkinë e Tiranës ka vetëm një stinë, stina e punës.
Sokol Balla: Më 29 dhjetor, ka dy ngjarje, buxheti i tiranës dhe plani urbanistik.
Erion Veliaj: Janë dy çështje që janë stërdebatuar. Nuk besoj që ka patur një plan urbanistik që të ketë patur kaq shumë konsulencë dhe të jetë bërë në një kohë kaq rekord. Premtova që do ta mbyll brenda një viti dhe ja kam arritur.
/ Top Channel
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu