Të gjithë janë mësuar me pamjen fatkeqe të fëmijëve të vegjël që lypin nëpër lokale të ndryshme. Jo vetëm në kryeqytet, por është bërë po aq e zakonshme edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, pavarësisht motit të ftohtë apo të nxehtë.

Në një video të publikuar sot në faqen “Welcome to Vlorë Albania”, një djalë i vogël, rreth moshës 2-3-vjeçare, hap derën e një lokali dhe hyn për të kërkuar lëmoshë. Me pafajësinë e fëmijës, ai u kërkon të pranishmëve t’i japin para, ndërsa u thotë se mamaja e tij po mbledh lakra tek lulishtja përballë.

“Mamaja po mbledh lakra. Më ka thënë babai për lekë”, – thotë fëmija. Pasi personi që e filmon i kërkon të dalin jashtë, ai përgjigjet me pafajësi: “Jo ore, s’do dalim se është ftohtë”. Një video rrëqethëse që tregon gjendjen e mjeruar dhe çfarë detyrohen prindërit të bëjnë me fëmijët e tyre. /JOQ/