Kryesore
E pa parë/ 5 ditë pasi u shpall kampion bote, Rosberg braktis ‘Formula 1’
“E ngjita malin, arrita majën”. Këto ishin fjalët me të cilat Nico Rosberg lajmëroi një nga vendimet më sensacionalë në historinë e sportit. Kampioni i botës në Formula 1 mbylli karrierën! E habitshme, por e vërtetë, vetëm 5 ditë pasi fitoi titullin aq shumë të dëshiruar, në konkurrimin vrasës me Lewis Hamilton. “Tronditja e shekullit”, “një nga dorëheqjet më të jashtëzakonshme në sport”,- ishin disa nga titujt e gazetave për vendimin e pilotit gjerman.
Në moshën 31-vjeçare, në kulmin e karrierës, Rosberg mendoi se nuk mund të jepte ndonjë gjë më të mirë sesa kaq. Mesa duket ai u ndje i plotësuar duke barazuar babanë e tij, dhe jo më kot e quajti Hamilton-in si “pilotin më të talentuar të brezit tonë dhe një nga më të mirët e të gjitha kohëve”.
Vendimi i Nikos i hap rrugën Lewis për të fituar një titull të katërt botëror apo edhe më shumë, gjithnjë nëse Mercedes mbetet në nivelet e tanishme.
Rosberg hoqi dorë nga 3 vite të mbetura të kontratës së tij me skuadrën gjermane, me vlerë mbi 22 milionë euro në sezon. Ai e njoftoi vendimin e tij në një konferencë për shtyp në Vjenë, në krah të drejtorit ekzekutiv të Mercedesit, Toto Volf.
Vendimi të hënën
“Vendimin e kam marrë ditën e hënë”, shkruan Rosberg duke shtuar se vendimin e ka marrë për shkaqe familjare. “Në të kaluarën kemi hequr dorë nga shumë gjëra, për të arritur këtë qëllim të madh. Falënderoj pa masë gruan time Vivian, e cila ka pasur kaq shumë mirëkuptim”.
Karrierën e tij në Formula 1 e ka filluar në vitin 2006. Më 2012 ai fitoi garën e parë Grand Prix. Me Hamiltonin kanë qenë partnerë dhe konkurrentë shumë të mëdhenj në tri vitet e fundit. Dy herë britaniku ishte më i mirë, ndërsa sivjet fitoi Rosberg.
Shefi i Mercedesit, Toto Wolff shprehu mirëkuptim për këtë vendim të papritur të Nico Rosbergut, duke e quajtur një “karakter të fuqishëm”. Por Mercedesi nuk ka qenë i përgatitur për këtë hap. Deri tani nuk dihet se kush do ta zëvendësojë Rosbergun vitin e ardhshëm.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu