Kryesore
Berisha bën thirrje për protestë, Rama poston video, Blushi: LSI ka frikë!
Ish-kryeministri Sali Berisha postoi online një thirrje për një protestë përpara Kuvendit, pas raportimeve se dekreti i presidentit për ligjin e mbetjeve do të kalojë të enjten.
“Sonte në ora 23:00 dhe në vazhdim protesta historike qytetare: “të bashkuar kundër plehrave në rruge dhe në qeveri”!” shkruan Berisha, duke postuar lajmërimin e protestës non-stop.
Por deputeti Ben Blushi thotë se dekreti nuk do të kalojë në Kuvend, duke fajësuar Lëvizjen Socialiste për Integrim, e cila u duk se po mbante krahun e ambientalistëve protestues.
“Dekreti i Presidentit që rrëzon ligjin e importit të mbetjeve nuk vjen as nesër në parlament sic ishte parashikuar. Rilindja dhe LSI duan ta shtyjnë sepse nuk kanë votat. Po negociojnë disa vende pune derisa të bëhen 71 në Kuvend. Ju kisha thënë miqve ambjentalistë të mos kenë shpresë tek ata që premtuan se do ta rrëzojnë ligjin. Çfarë partie! Kanë shumë frikë ta votojnë, kanë poaq frikë ta rrëzojnë. Rilindja ka frikë nga kazanët, LSI ka frikë nga Rilindja. Në fakt kanë frikë nga e njëjta gjë. Megjithatë edhe kaq është një fitore e vogël: ligj per importin e mbetjeve nuk ka! Ose më saktë importi i mbetjeve lejohet, pa ligj,vetëm në një pjesë të territorit të vendit: në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë!” shkruan Blushi.
Kurse Rama u përgjigj duke postuar një video nga ajo që e quan Rilindja Mjedisore.
“Një shembull kuptimplotë në rrugën e Rilindjes Mjedisore…”, shkruan Rama, teksa poston videon e mëposhtme.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu