Alis, vajza e dytë e Blendi Fevziut, sapo ka festuar njëvjetorin. Tani që ajo ka filluar të hedhë hapat e parë, e gjithë familja Fevziu është mjaft e përkushtuar për t’i bërë të kuptojë hapësirën dhe lirinë. Por është ende një mrekulli e vogël që i është shtuar moderatorit të njohur të “Opinion” dhe familjes së tij.
Në një rrëfim ndryshe nga ai që njohim nga ekrani, Blendi ka qenë i ftuar këtë pasdite në “Rudina”, në Tv Klan, ku ka treguar si ka qenë ky vit i parë me Alis dhe si është ndier për herë të dytë si baba: “Është një prindërim i dytë dhe ndryshe, një reflektim ndryshe. Gati e kisha harruar. Por kam vënë re që tani jam më pak i vëmendshëm, rri më shumë me të, kuptohet është edhe eksperienca…” – thotë Blendi.
Zgjedhja e emrit të vogëlushes është mjaft interesante. Blendi dhe bashkëshortja e tij, pak a shumë e kishin vendosur, por Mishel, vajza e tij e madhe, nuk e pëlqente:
Alis është një emër që ka lidhje me gjyshen time. Mishel nuk e pëlqente. Kur Inesi ishte gati për të lindur, Mishel më pyeti ҫ’emër do t’i vendosim dhe i thashë, ‘besoj Alis’: “Në asnjë mënyrë”, – më tha. Kur ishim duke shkuar në spital, pasi Inesi kishte lindur, lajmi doli në portale. Atëherë Mishel më tha: “Po ju e paskeni vendosur, se unë po e lexoj në portale”. Ne, në fakt, e kishim vendosur, edhe pse Mishel donte Mia. Siҫ e thashë, është një emër që ka lidhje me gjyshen time dhe me dajat e mi nga mami.
Alis i ka dhënë një kuptim tjetër ҫasteve të familjes. 13 vjet pas Mishel, Blendi shumë gjëra i kishte harruar, por e vogla i ka sjellë një reflektim tjetër, natyrisht e ka bërë edhe më të lumtur. Pyetjes nëse i vjen keq që është baba i dy vajzave, Blendi i përgjigjet:
Unë mendoj që ҫdo njeri në botë është i lumtur që ka fëmijë. Ndihem më i llastuar kështu, por për ҫdo fëmijë do isha i lumtur, i cilësdo gjinie të ishte. Do të isha shumë i lumtur që në shtëpinë time të kishte sa më shumë fëmijë që bërtisnin dhe flisnin. Por njeriu duhet të jetë i kënaqur me atë që i jepet. Kjo është A-ja e jetës.
Ndërsa Mishel, motra e madhe 14-vjeҫare, ende e konsideron të voglën si një lodër. Për marrëdhënien e motrave, Blendi tregon se pa dyshim që në të ardhmen do të jenë shumë të lidhura, madje beson se diferenca që kanë në vite, nuk ka për të ekzistuar:
Mishel e konsideron akoma si një lodër. E ngre, e hedh përpjetë, e ҫakërdis, po nuk është kaq intensive. Mendoj se diferencat nuk ekzistojnë më dhe besoj që do të kenë një raport shumë të mirë në të ardhmen.
Por ka diҫka që një baba i mirë si Blendi nuk e bën (si shumë baballarë të tjerë, në të vërtetë). Ndërsa Rudina ndërhyn për ta pyetur a i ndërron pampersat një baba si ai, Blendi zhgënjen: “Nuk është fusha ime ajo.” Nuk është përgjigjja që Rudina dhe shumë nëna prisnin? Epo, paska dhe baballarë që nuk janë perfekt.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu