Kryesore
120 milionë vota u numëruan në 6 orë dhe asnjë kontestim. -Po këtu te ne?
Zgjedhjet presidenciale në SHBA tërheqin gjithmonë vëmendje për mënyrën se si ndërtohet fushata e kandidatëve, por edhe për sigurinë dhe pranimin e rezultatit nga kandidatët humbës. Sistemi i numërimit të votave është një nga më të mirët në planet, edhe pse janë rreth 120 milionë të tilla. Në zgjedhjet e fundit presidenciale, ku fituesi u shpall për 6 orë pas mbarimit të orarit zyrtar të votimit, nuk pati asnjë kontestim të rezultatit.
Bëhet fjalë për gati 120 milionë vota të numëruara dhe një rezultat popullor tepër i ngushtë, ku të dy kandidatët siguruan mbi 59 milionë vota secili. Asnjë kontestim, asnjë reagim për mospranimin e zgjedhjeve, asnjë akuzë për manipulim apo për vjedhje votash.
Në ndryshim nga SHBA-të, vendi ynë, i cili numëron rreth 1.5 milionë votues, karakterizohet nga një klimë agresive midis palëve, të cilat lëshojnë akuza të rënda ndaj njëri tjetrit. Për kaq pak vota në krahasim me votuesit në SHBA, në Shqipëri ka pasur raste të shumta ku qytetarët kanë humbur jetën duke mbrojtur “idealet” e partisë.
Qendrat e votimit dhe të numërimit mbushen plot me militantë, të fortë dhe kriminelë, të cilët sipas partive politike do të ruajnë votat e tyre. Rezultati kërkon më shumë se 1 javë për tu konfirmuar dhe pas shpalljes, partia humbëse, në shumicën e rasteve i konteston zgjedhjet dhe i cilëson ato si të manipuluara e të vjedhura. Në fakt, nuk janë të pakta rastet kur vota është blerë dhe numëruesit janë shitur.
Shfaqja nuk mbaron me kaq. Tashmë është bërë traditë shqiptare që partia që fiton zgjedhjet largon nga puna personat e mëparshëm për të punësuar militantët e saj.
Krahasimi midis dy shteteve është shumë i madh. Në SHBA ka 120 milionë votues, ndryshojnë Presidentët, senati dhe guvernatorët, por nuk preken punonjësit, pavarësisht ngjyrës politike. Shqipëria, e cila ka 1% të votuesve në krahasim me SHBA-në, e kthen muajin e fushatës, ditën e zgjedhjeve, dhe ato pas saj, në një fush-betejë të vërtetë.
Kjo është arsyeja pse Shqipëria ka këtë demokraci dhe jeton në këtë realitet. Për amerikanët, demokracia fillon nga vota, për shqiptarët fillon nga vjedhja e saj
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu