Kryesore
Rreziku i fitores së Trump, qeveria shqiptare zhvendoset në Bunk’Art në datat 8 – 9 dhe 10 nëntor
Afrimi i zgjedhjeve presidenciale në SHBA e bën edhe më eminent kërcënimin e Donald Trump ndaj qytetërimit perëndimor. Fitorja e republikanit nuk është më aq e pamundur, ndaj establishmenti politik botëror, ai demokratik, po përgatitet për më te keqen. Mësohet se në planet e emergjencës bën pjesë edhe qeveria e Tiranës, si një nga shtyllat e këtij qytetërimi, ndaj së cilës është sugjeruar kalimi në protokollet e mbrojtjes maksimale më 8 nëntor. Një ditë që nuk i ndahet historisë së këtij vendi. Në këtë kuadër, qeveria shqiptare ka miratuar me hollësi këtë plan masash:
Ø Kryeministri Edi Rama bashkë me stafin e ngushtë do të vendoset në datat 8, 9 dhe 10 në Bunk’Art.
Ø Krahas stafit mësohet se do të jenë edhe Spartak Ngjela, që do të drejtojë një emision radiofonik të emergjenës, titulluar: Aleatët, Ne, Perëndimi.
Ø Në mjediset e brendshme do të jetë funksionale Selfie Tv për Komunikimin Javor, edicionin e jashtëzakonshëm në anglisht përmes të cilit Edi Rama do t’i drejtohet botës nëse Trump fiton.
Ø Paraprakisht, Carlo Bollino ka njoftuar Saimir Tahirin që të korrë hashashin e mbjellë në zonë, pasi pranë Bunk’Art do të vendoset edhe një pjesë e trupit diplomatik.
Ø Meqenëse rrugët janë shtruar të gjitha, Erjon Veliaj është ofruar të bëjë roje në hyrje të Bunk’Art. Po kështu Veliajt i është caktuar detyra e simulimit të Rojes Dixhitale, me synim çorientimin e Sali Berishës në Facebook.
Ø Në rezidencë do të jetë edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Sejko, që mendohet se e ka fituar vendin aty pas propozimit që i ka bërë kryeministrit për të konvertuar të gjithë thesarin e shtetit në Bitcoin. Kështu askush nuk do të nxjerrë analogji me ikjen e Zogut.
Ø Stafi ka transferuar edhe pikturat e Edi Ramës në Bunk’Art.
Ø Është në tratativa për të fituar një divan në korridor edhe Bamir Topi.
Hollësi të tjera mbeten për t’u zbardhur në ditët në vijim.
Shaptilografisti
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu