Sport
Polemika në Francë mes futbollistëve dhe presidentit Hollande
Presidenti François Hollande vihet në qendër të polemikave në Francë. Shkak për këtë është bërë libri i publikuar nga kreu i shtetit transalpin me titullin “Një president nuk duhet të thotë që…”, ku ai nuk i ka kursyer aspak kritikat ndaj futbollistëve franceze.
“Është e qartë që ka një rënie të ndjeshme në nivelin e të shprehurit. Tashmë po shohim yje jo të arsimuar mirë dhe fëmijë shumë të pasur që nuk dinë të dallojnë të mirën nga e keqja. Federata duhet të organizojë kurse edhe për trajnimin e trurit”, lexohet ndër të tjera në librin e presidentit Hollande.
Por, presidenti nuk ndalet me kaq. Kreu i shtetit francez shtoi se lojtarët francezë janë persona që nuk i ndjejnë ngjyrat e kombëtares, pa pika referimi dhe pa vlera.
Reagimi nga Shoqata e Futbollistëve ishte i menjëhershëm. Kjo e fundit, nëpërmjet një letre publike të shkruar mbi një top futbolli, shprehet e skandalizuar nga këto deklarata të presidentit Hollande.
“Francezët nuk janë kafshë dhe futbollistët me të cilët ju dëshironi të bëni foto në Clairefontaine apo Champs Elizee nuk janë budallenj. Nuk do të donim të ishim në vendin tuaj dhe të qeverisnim një popull “pa dhëmbë” e të adhuronim një sport të praktikuar nga persona pa tru. Një president nuk duhet ta thotë një gjë të tillë”, lexohet në letrën e Shoqatës së Futbollistëve.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu