Radar
6 strategji për të pasur gjithmonë stafin më të mirë të punonjësve
Për t’i bërë ballë tregut të ashpër të konkurrencës, çdo kompani ka nevojë për punonjës të aftë profesionalisht. Prandaj kur ju keni në ekipin tuaj një ose disa punonjës profesionistë, ju nuk doni t’i humbisni ata, por doni që ata të jenë përherë pjesë e kompanisë suaj sidomos edhe kur ju investoni në rritjen e tyre profesionale nëpërmjet trajnimeve të ndryshme. Gjithsesi, në realitetin e hidhur të biznesit mund të ndodhë që disa prej punonjësve tuaj të largohen për arsye të ndryshme. Që ta parandaloni një gjë të tillë dhe të mbani stafin më të mirë të punonjësve në kompaninë tuaj, ndiqni 6 strategjitë e mëposhtme:
Paga konkurruese. Në një prej artikujve të Jacquelyn Smith “Çfarë hapash duhen ndjekur për të pasur gjithmonë stafin më të mirë të profesionistëve”, shprehet se 70 për qind e punonjësve vlerësojnë shumë nivelin e pagës dhe kjo është një prej arsyeve primare se përse ata do të largoheshin në një tjetër kompani. Krahasojeni nivelin e pagës me konkurrencën në mënyrë të tillë që të jeni gjithmonë një hap përpara tyre.
Ambient komod pune. Duke marrë në konsideratë faktin se shumë prej nesh harxhojnë kohën më të madhe të ditës në ambientin e punës, ai duhet të jetë sa më mikpritës dhe komod. Një numër i madh punonjësish largohen nga një kompani e caktuar sepse nuk e gjejnë veten rehat në ambientin e punës. Në këtë rast mos shikoni se çfarë bën konkurrenca, sepse pjesa më e madhe veprojnë brenda një kornizimi standard, zyrë me ngjyra neutrale, pajisje zyre në vendin e caktuar dhe njerëz të veshur sipas një uniforme të caktuar. Mos u nisni nga konkurrenca, por pyesni punonjësit tuaj se çfarë vlerësojnë në ambientin që kanë dhe çfarë do të donin të ndryshonin.
Ekuilibri ideal punë-jetë private. Ruajtja e ekuilibrit ideal ndërmjet kohës që punonjësit shpenzojnë në punë dhe moscenimit të jetës së tyre private (me orë të tejzgajtura dhe pa honorare) është një prej gjërave më të rëndësishme për një numër të madh punonjësish.
Delegoni punën sipas aftësive. Punonjësit me një nivel të lartë performance e dinë shumë mirë sesa “vlejnë”. Nëse atyre nuk u jepet puna që vertet i takon por u jepen të merren me vogëlsira, gjëja e parë që ata do bëjnë është largimi në një kompani tjetër. Prandaj mundohuni që t’i delegoni punët sipas aftësive të punonjësve.
Trajnime profesionale. Trajnimet profesionale janë një nga arsyet e tjera pse punonjësit nuk largohen nga një kompani e caktuar. Ofrojuni atyre trajnime të ndryshme profesionale sepse një gjë e tillë do të jetë për të mirën e të dyja palëve. .
Komunikojini strategjitë. Sipas një studimi të fundit të kryer nga Jean Martin dhe Conrad Schmidt dhe të publikuar në artikullin për “Harvard Business Review”, një ndër gjërat më të mira është t’u shprehni punonjësve tuaj strategjinë në lidhje me mbarëvajtjen e punës. Një gjë e tillë krijon tek ata ndjesinë e të qenët transparent dhe i besueshëm.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu