Kryesore
Pse mërzitemi kaq shumë kur ndahen VIP-at?
Nga Mark Vernon
Në letrën e tij të famshme nga Burgu Reading, “De Profoundis” Oskar Uajlldi kritikon hidhur Lordin Alred Dagllas, ish të dashurin e tij, me një akuzë të tmerrshme. Dagllasi nuk ka jetuar jetën e tij, shkruan Uajlld. Dagllasi e ka “kulluar” jetën e tij nga jetët e të tjerëve, ashtu sikurse dhe nga ajo e Uajlld. Kështu që, jeta e Dagllasit është një jetë e huazuar, një gjysmë jetë, një pasqyrim i shtrembëruar i jetëve të të tjerëve.
Kjo ka rëndësi të madhe për Uajlld. Poshtërimi i tij në burg e ka bindur se detyra më e madhe me të cilën përballen individët është të jetojnë jetët e tyre, t’i zotërojnë ato, duke përfshirë edhe vuajtjet. Atëherë do të gjejnë dinjitet, individualitet, të vërtetën. Problemi i të jetuarit përmes jetëve të të tjerëve është se shkatërron këto cilësi të larta. “Të mohosh eksperiencat e tua, është të vësh një gënjeshtër në buzët e jetës tënde. Nuk është asgjë më pak se sa një mohim i shpirtit”, shpjegon ai.
Interesi shumë i madh për martesën e dështuar të Brad Pit dhe Angelina Jolie, më kujtoi paralajmërimet e Uajlldit. Ai nxjerr në pah përse kultura e të famshmëve është kaq gërryese, për ata, të famshmit dhe admiruesit e tyre.
Dakord, nga një vështrim në shkëlqimin e të tjerëve mund të mos jetë i dëmshëm. Ndonjëherë, askush nuk i reziston dot tundimit. Por sot, të duket sikur është shndërruar në epidemi, deri në pikën që ngjan me një lloj sëmundjeje.
Uajlldi na shpjegon përse: “Shumica e njerëzve jetojnë për dashurinë dhe admirimin. Por ne duhet të jetojmë ME dashurinë dhe admirimin”. Të jetuarit me dashuri dhe admirim na fut në jetë. Na mundëson të zbulojmë plotësinë e jetës. Të jetuarit për dashurinë dhe admirimin është një shtrembërim i dëshpëruar i premtimit të jetës; një këmbëngulje narciziste që jeta mbështjell një zbrazëti brenda saj.
Psikoterapistët e quajnë projeksion – pikasja në mënyrë të pandërgjegjshme tek të tjerët, e asaj që nuk arrijmë ta kontaktojmë vetë. Njohja e mënyrës se si projektohesh tek të tjerët, është një pjesë e rëndësishime e psikoterapisë.
Dhe të gjithëve na ndodh. Mendoni momentin e zemërimit në rrugë, kur një e qindta e sekondës vonesë në semafor, shkakton një vërshim zemërimi të projektuar. Apo momenti i zilisë, kur duam aq shumë që të dukemi njësoj si modelja në revistë, dhe betohemi se do të fillojmë të bëjmë vrap, për të hequr disa kile. Apo momenti i përshkruar nga Gore Vidal, kur thoshte: “Sa herë që një mik ka sukses, diçka brenda meje vdes”. Ajo diçka është pjesë e vetes. Ai ka projektuar dëshirën e tij për sukses tek miku, dhe gjatë këtij procesi, ka parë që t’i merret dëshira e tij.
Eshtë edhe projeksioni që kemi kur shohim ndarjen e njerëzve të famshëm. Eshtë huazim nga vuajtja e tyre. Se çfarë huazohet apo projektohet, vetëm gjithësecili mund ta thotë. Ndoshta është një zëvendësues për humbjet tuaja në dashuri? Eshtë më e kollajtë të ndiesh trishtim për ta, se sa të përjetosh trishtimin tënd? Ndoshta është një lloj kënaqësie që buron nga fatkeqësia e tjetrit, se çifti i artë është rrëzuar, duke nënkuptuar se ti vetë ke fshehur brenda teje një dëshirë të kahershme për pasuri, bukuri apo famë. Ku i dihet?
Por paralajmërimi i Uajlld dhe mekanizmi i projektimit, mund ta shnërrojnë lajmin e gazetave në një shans. Nëse saga e Pitt-Jolie ju mbërthen, qoftë edhe për një moment, pyesni veten: përse? Cfarë ndodh kur i shikoni ata? Cfarë po huazoni? Cfarë po humbni? Dhe a mund të merrni sërish mbrapsht jetën tuaj, duke përfshirë edhe vuajtjet e saj?
- Mark Vernon është psikoterapist në Londër / Newsweek
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu