Lidhu me ne

Aktualitet

Berisha, Nano, Rama, por edhe Meta.

dash-shehi6

Dashamir Shehi, në një rrëfim ndryshe për përpjekjet për të ndërtuar shtet gjatë këtij çerek shekulli. Si i sheh ai drejtuesit kryesorë të qeverisjes në më shumë se dy dekada.

Nga Nevila Perndoj, Revista Mapo

 

CV-ja e tij nis me detyrën e parë si anëtar i qeverisë menjëherë pas zgjedhjeve të para pluraliste. Dy vite si ministër i Punës, mandej dy të tjera si i Ndërtimit dhe Turizmit, shoqëruar edhe me postin e zv-kryeministrit.

Edhe pse i shkëputur qyshkur nga impenjimet ekzekutive, politika mbeti fati i tij. Kah saj, ai është pjesë e disa ndryshimeve legjislative, që lidhen me privatizimet, ideator i nevojës për reformën administrative, dhe disa të tjerave, që lidhen kryesisht me pronën.

Thënë shkurt, kontributor i hedhjes së disa hapave të të bërit shtet. Por teksa iu qëmton fakteve, Dashamir Shehi nuk të krijon një pamje të rrejshme kur rrëfehet se në këto 25 vjet klasa politike shqiptare thuajse ka dështuar në të bërit shtet, (edhe pse mëton se përfundimet objektive do t’i nxjerrë koha në dekada të mëvonshme).

“Çerek shekulli më parë menduam që kjo ishte një çështje tranzitore, për të kaluar nga një shtet socialist në një shtet demokratik, një çështje që në rastin më të madh do të merrte vetëm një dekadë…”, – thotë ai.

Sot, pas 25 e kusur vitesh jete në politikë, Shehi vëren se perceptimet e fillimit ishin praktikisht të gabuara. Sepse  në argumentin që jep nuk mjafton vetëm ndryshimi politik i sistemit për t’i rindërtuar institucionet sipas modelit të ri.

“Gjatë gjithë kësaj periudhe kemi pasur një tension permanent të brendshëm, i cili buron jo thjesht nga opozicioni e majtë – e djathtë, por shpesh herë edhe nga faktorë të tjerë, që janë ekstra politikë, siç janë interesa ekonomikë, interesa krahinorë, një shoqëri e cila në disa aspekte është përcjellë si shoqëri tribale dhe ku ka dominuar më shumë fisi, lidhja e gjakut dhe lidhja krahinore sesa lidhja e majtë apo e djathtë…”, – analizon Shehi.

I përfshirë rrënjësisht në politikë, vetë ai e ka të qartë se rruga drejt ndërtimit të një shteti sipas modelit perëndimor do të ishte më e lehtë nëse pikë së pari mentaliteti i vjetër partiak të mos ishte kaq i qëndrueshëm brenda botës politike shqiptare. Që do të thotë se edhe pse janë krijuar shumë parti, raporti mes tyre dhe pushtetit ka mbetur po i njëjtë.

“Kush del partia fituese duhet të marrë të gjithë pushtetin, që praktikisht i bie që të jetë një imitim, në një dimension dhe ngjyrë tjetër i asaj që ishte përpara, vetëm se tani në vend që të jetë një parti janë disa parti…”, – vëren ai.

Bazuar kryekreje, demokratizimi i vetëm në këtë mes, për Shehin, ka qënë nevoja për të negociuar midis partive për ta rishpërndarë pushtetin, por jo një dialog i brendshëm për të ndërtuar institucione shteti. Sipas tij, partitë me të njëjtën dëshirë dhe vullnet (shpesh herë edhe me agresivitet), janë në garë me njëra-tjetrën, jo për t’i afruar më shumë hapësirë dhe liri qytetarëve, apo më shumë pavarësi institucioneve, por se kush do të kontrollojë më shumë pushtet.

“Pra në këto 25 vjet ne, më shumë jemi marrë me pushtetin sesa me shtetin, që janë dy gjëra krejt të ndryshme, ndaj dhe ne kemi dështuar në një farë mënyre në ngritjen e institucioneve të pavarura…”, – thotë Shehi.

Vëren se, përceptimi për demokracinë ka qënë foshnjarak, dhe se dëshira e klasës politike, më shumë sesa një dije në favor të zgjerimit të demokracisë ka qënë vijim i pushtetit të vjetër, me instrumentin e ri që kishte sjellë liria, votën.

“Ditën që more votën e qytetarëve, në mendjen e shumë politikanëve shqiptarë lind ideja e absolutizmit që tani votat i kam unë dhe unë mund të qeveris”, -shton ai, duke nënvizuar në këtë optikë se opozita është parë gati si një padrejtësi nga pala në pushtet.

***

Në këtë çerek shekulli të të bërit shtet pas zgjedhjeve të para pluraliste, kryetari i LZHK-së ka ide të qarta edhe për plus minuset e atyre, që drejtuan vendin në më shumë se dy dekada, si Berisha, Nano, Rama, por edhe Meta.

Për Berishën, Shehi thotë se ka pasur gjithnjë energji pozitive për të ndryshuar gjërat në ekonomi. Por minusi më i madh në analizën e Shehit, është raporti i tij me institucionet e pavarura.

Duke kujtuar arsyet për referendumin e dështuar të 94-ës, por edhe raportin me gjyqësorin, Shehi nxjerr në pah anën autoritare dhe kontrolluese të Berishës që kryesisht në gjyqësor la rrënjë të thella.

“Në kohën e administrimit të shtetit në vitin ‘92, parlamenti i asaj kohe, presidenti i asaj kohe ndërroi tre Prokurorë të Përgjithshëm, tre kryetarë Gjykate të Lartë. Kjo nuk i shërbeu qëndresës së institucioneve. Sepse ato morën një mesazh. Që kush nuk i bindet politikës, duhet të largohet dhe të vijë një njeri që është më i bindur dhe më i zellshëm. Kjo lloj linje vazhdon sot e kësaj dite. Edhe debati i sotëm pozitë- opozitë për drejtësinë nuk është gjë tjetër veçse vazhdimi i konfrontimit se kush duhet ta ketë kontrollin”, – vëren ai.

Gjyqësori, në zinxhirin e të bërit shtet, është hallka përfundimtare dhe më e rëndësishme. Prandaj dhe aty, dështimi sipas tij është më i dukshëm edhe sot. Për ish-kryeministrin Fatos Nano, Shehi thotë se kishte  koncepte të mangëta kryesish në raport me ekzekutivin dhe ekonominë.

“Nuk e kuptonte që ekzekutivi është një makinë e cila në një vend si Shqipëria që e ka rrugën malore, ditën që ndalon, kthehet mbrapsht…”, – të tregon ai.

Por Nano pati në historinë politike të këtij vendi edhe disa elemente pozitive. Për shembull, Shehi nuk e kishte menduar që një njeri si Nano, i cili vinte nga kasta e vjetër politike, të sillte elemente demokratizuese brenda PS-së, duke i radhitur atij lirinë e debatit brenda partisë, por edhe mundësinë e alternimit të postit të kryeministrit. Nano, sipas tij, krijoi edhe precedentin që ditën që humb zgjedhjet largohesh, dorëzon partinë, kthehesh në shtëpi dhe bën liberalin.

“Ndryshe nga Berisha, ai kishte ndofta një paaftësi për të qënë në ekzekutiv maksimalist, por në të njëjtën kohë Nano ka afruar një lloj kontributi, për të cilin demokracia shqiptare ka pasur nevojë gjatë gjithë këtyre viteve…”, – thekson  ai.

Ndërsa Ilir Metën, e sheh një figurë relativisht minore.

“Nuk është figura e njeriut të ekzekutivit sepse ka qëndruar vetëm dy vjet kryeministër. Por Meta është i rëndësishëm sepse ai për herë të parë ka krijuar një çarje midis dy partive të mëdha. D.m.th. këmbëngulja për të çarë raportin politik, për të krijuar lidhje nga e majta në të djathtë, qoftë edhe të shtyra nga interesa personalë, pushteti, grupe ekonomike, biznesi që kanë favorizuar këtë lloj ndërlidhje, është meritë e tij në një farë mënyre”, -thotë Shehi.

Por, në konceptin e përgjithshëm të politikës, se a është meritë që me çdo çmim të mbërrihet në një cep të pushtetit, kjo pastaj për të është një tezë të cilën e ka kundërshtuar gjithnjë. Shehi është i mendimit se debati duhet të jetë i brendshëm. E djathta të ketë debatin e vet. E majta të vetën. Sipas tij, transferimi i pushtetit politik, i votës popullore nga një krah në një krah tjetër mori formë thuajse institucionale me kreun e LSI-së.

“Meta është akoma i ri. Dhe pesha që ka partia e vet është relative, nuk është alternativë për të përmbysur pushtetin. Meta është një alternativë për të plotësuar pushtetin. Kështu që gjykoj që në historinë politike, ai duhet të bëjë akoma rrugë…”, -vëren Shehi.

Sa i përket Edi Ramës, ka shumë për të folur dhe jo pozitivisht.

“Rama për mua personalisht është një zhgënjim i madh. Ai ka qenë më qytetar dhe më intelektual kur ishte kryetar i Bashkisë sesa sot që është kryeministër i Shqipërisë. Ai nuk mund ta qeverisë vendin vetëm me një grusht njerëzish që ka përqark vehtes. Por duhet ta qeverisë përmes institucioneve. Kjo është rruga e demokracisë. Ndryshe nga sa rezulton, unë kam pritur që Rama duhet të ishte kampioni i liberalizmit në politikë. Nano e kishte filluar dhe ky duhet ta shtynte më tej”, – nënvizon Shehi.

Thotë se raporti i Ramës me institucionet e shtetit ka qënë po kaq negativ, mos më keq sesa paraardhësit e vet.

“Nuk e di se çfarë i ka mbetur pozitive Ramës në këtë situatë përveçse batutave, që na kujton që ky njeri ka pas lexu edhe ndonjë libër përpara, por gjë tjetër nuk na lë”, -shprehet ai.

Por Shehi nuk pëlqen as mënyrën se si Rama konfrontohet me opozitën.

“Dëshira e Ramës për të komentuar çdo vendim apo qëndrim të opozitës, që në vend që të shohë se si ec karvani qeveritar kthehet t’i gjuajë me gurë atyre që nuk kanë pushtet, kjo nuk ka lidhje me demokracinë”, -shton kreu i LZHK-së.

Sipas tij, në çdo hapësirë të jetës publike dalin forca e ide progresive dhe Rama nuk mund ta konsiderojë veten si zotëruesi i çdo gjëje që rezulton e tillë.

“Ky e quan ofendim edhe mungesën e lavdërimit ndaj tij. Deri këtu Berisha nuk kishte mbërritur. Berisha e pranonte që ditën e parë që do të vepronte se pala tjetër do ta godiste dhe e quante gjë normale. Ndërsa ky, jo vetëm që nuk e pranon, por ky kërkon, i duket gati çudi se si nuk e lavdërojnë për ‘mrekullitë’ që po ndërton”, -nënvizon ai.

***

Dashamir Shehi është nga të paktët politikanë që ka marrë oferta në rrugëtimin e tij politik sa nga e majta aq edhe nga e djathta. Ai i njeh vetes merita dhe dështime në raport me shtetin. Thotë se, betejën e tij më të madhe në politikë e lidh me promemorjen e vitit ’96, bashkë me një grup deputetësh, një lëvizje kjo që dështoi, por që koha për Shehin tregoi se ishte e duhura.

“Ti pyet se si mund të ndihesh krenar për një betejë të humbur? Jam krenar sepse në fund të betejës kemi lënë idetë më të mira, kur me idetë e të tjerëve në fushë të betejës u lanë 3-4 mijë shqiptarë të vrarë. Ndihem krenar që në kohë të vështira mora vendimin e duhur në të mirë të shtetit shqiptar…”, –vëren ai.

Edhe pse jo riosh si 25 vite më parë, Shehi thotë se është gati për një kapitull të ri, gjithnjë brenda së djathtës, me shpresë se zgjedhjet që po aviten do të sjellin ndryshim.

“Unë jam njeri i qëndrës së djathtë dhe do të qëndroj këtu. Kam shumë dëshirë që të kryesoj listën e kryeqytetit nga LZHK-ja. Besoj se ka ardhur dita që pas shumë vitesh kontribut në politikë të marrim votat që meritojmë, që të na numërohen votat…”, -thotë ai.

Nëse krijohen kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa presione politike, të botës së krimit dhe rrugës, Shehi gjykon se nga këto zgjedhje mund të dalin ide edhe risi emrash në politikë.

Nëse do të jenë sërish rregullat e vjetër të lojës, ai druhet se edhe produkti do të jetë i vjetër.

Por optimist për nga natyra, Dashamir Shehi sheh dritë në fund të tunelit.

Mjafton pak braktisje të interesit partiak për hir të interesave të shtetit shqiptar.

Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Mix2 orë më herët

Çfarë ndodh në organizëm nëse nuk hani sheqer për 10 ditë

Sheqeri ka një efekt shkatërrimtar në organizëm dhe nxit shfaqjen e shumë problemeve dhe sëmundjeve shëndetësore siç janë: diabeti i...

Mix2 orë më herët

Faktori që ndikon në shtimin në peshë – Këshillat që ju duhen

Ushqyerja e keqe dhe shtimi në peshë janë pjesë e një cikli vicioz që rrezikon shëndetin jo vetëm të të...

Mix2 orë më herët

Përfitimet e pafundme nga lëngu i mandarinës

Kjo është stina e mandarinave. Ky frut i shijshëm pak më i vogël se portokalli mund të hahet në formën...

Mix2 orë më herët

Speci djegës – Si ta përdorni për shëndetin e zemrës

Speci i kuq djegës është përdorur prej mijëra vitesh kundër disa problemeve shëndetsore. Këtu përfshihet urthi, kllapia, sëmundjet e stomakut,...

Radar2 orë më herët

-Hej, Siri, a mund të më gjesh një mik të besueshëm?

Nga Ornela Çuçi “Popujt zakonisht i këndojnë virtyteve që nuk i kanë” më tha kolegia ime nga Kosta Rika në...

Mix2 orë më herët

Spotify publikon listën me këngët më të dëgjuara në historinë e saj

Aplikacioni muzikor Spotify ka ndarë një listë të 10 këngëve më të transmetuara në historinë e tij. Spotify është bërë...

Mix3 orë më herët

Andrea Toska, 14-vjeçari shqiptar që u shpërblye nga Samsung pasi zbuloi defektin në softuerin e tyre

Andrea Toska është një 14-vjeçar shqiptar, i cili ka arritur të zbulojë një defekt në softuerin e telefonave celularë Samsung...

Mix3 orë më herët

Qumështi i shtrydhur me pompë më pak i shëndetshëm sesa ushqyerja direkt nga gjiri?

Qumështi i gjirit i shtrydhur me pompë mund të mos jetë aq i shëndetshëm për fëmijët, sa qumështi i dhënë direkt nga...

Kioske3 orë më herët

Nëse nevojën për politikanë të rinj opozitarë do ta kishte përmbushur PD …

Nga Indrit Vokshi Partitë e reja Lulëzuan sepse degradoi PD-ja. Në raport me to, Fevziu, Sandri, Carlo, Vjollca, Irfani, Ylli,...

Mix4 orë më herët

Arsyeja absurde pse Mark Zuckerberg eliminoi fact checking nga Facebook

Lajmi për eliminimin e verifikimit të fakteve nga palët e treta nga rrjetet sociale Meta ka ngjallur jo pak komente...

Facebook