Letersi
Nëse do të vish
Nëse do të vish
Eja thjesht, si njeri,
pa trastat mbushur plot,
pa flori,
pa stoli,
trokit në derë me dashuri,
e portat e sarajeve të shpirtit
do t’i hap dy kanatesh për ty.
Po nëse do vish,
me një trëndafil,
pa dashuri ujitur,
me një rrugë,
pa dashuri stisur,
a si njeri,
pa dashuri rritur –
kurrë mos eja të më gënjesh:
të gjitha portat e sarajeve të shpirtit,
deri në fund…
të kyçura do t’i gjesh.
Katër pa një
Ajo pranverë ishte tjetër pranverë.
Një lule të rrallë ajo ma solli;
shpirti mori krahë e u bë erë,
era lulen me krahë e mbështolli.
Këto pranverëza jete s’ma heqin mërzinë.
Pse si ato lule nuk po çelin më?
Tani vitin e kam me tre stinë,
pranverën koprrace e mallkoj nën zë.
Gjethe e gjëmba
Ankohen pishat me potere:
“Pa gjethe tërë jetën këtu në mal!
S’na u hoqën qafe gjembat njëherë!
Më mirë shelg në moçal!”
Flet shelgu me zë të egër:
“Pisha ju vraftë e mira,
ju katër stinë jeni gjelbër,
e unë moçaleve mbledh këllira!”
Ku…
Ku gjumi mbi gjumë fle gjer në mëngjes
Ku ëndrra mbi ëndërr jeton e vdes
Ku hija mbi hije frikë ndez
Ku uji mbi ujë kthehet në djersë
Ku bari mbi bar zgjohet me vesë
Ku shiu mbi shi pa pushim dënes
Ku reja mbi re çahet në mes
Nga rrezja e diellit që pres
Më vjen një shpresë…
Poezi nga Bilbil Beqiri – Vëllimi poetik ‘Brirë Tymi’
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu