Lidhu me ne

Aktualitet

Çfarë do bëjë Basha me qeverinë e 2013-S?

lulzim-basha

Zgjedhjet në Dibër edhe përmes deformimit dëshmuan se keqqeverisja e 2016 nuk mjafton për të shlyer imazhin e keqqeverisjes së 2013, duke e lënë PD pa shumë mundësi para zgjedhjeve të ardhshme lokale. Është e qartë që ish-ministrat dhe ish-administrata nuk mund të fitojnë për opozitën dhe Bashës i duhet të gjejë zgjidhje që mund t’i japë avantazh moral mbi qeverinë, pasi barazimi i bën punë vetëm shumicës

Nga Vladimir Karaj

Është e vështirë që dikush të besojë se zgjedhjet në Dibër ishin një fitore e thellë dhe e ndershme e shumicës. Përmbysja e pamenduar e numrave në disa zona dhe pamjet filmike nga dy emisione investigative e të tjera të dhëna, pa llogaritur denoncimet e opozitës si palë në proces, janë dëshmi e një deformimi që gati ka dalë jashtë kontrollit. Nga ana tjetër, opozita (PD plus aleatë) luhatej prej akuzave të rënda për shit-blerje votash, në skena parodie me të paralizuar që ngriheshin për të përqafuar përfaqësues të saj. Një lloj shfaqjeje që tregon ndër të tjera se sa joserioze dhe sa pak e organizuar shkoi ajo në Dibër, megjithëse në teori u përfaqësua prej niveleve më të larta të saj.

Nuk dihet sa është numri i atyre që kanë votuar sepse janë paguar apo i atyre që kanë votuar nën presion apo i atyre që nuk kanë dalë të votojnë për shkak se opozita është si qeveria. Ndërkohë analizat postzgjedhore e kanë gjetur si anomali edhe për Shqipërinë, që shtimi i numrit të atyre që dalin për të votuar  nuk përkon me një votë revolte por me një votë aprovimi. Është e pamundur nga ana tjetër të gjesh të gjitha arsyet pse votuesit që duhej të ishin të revoltuar me shumicën dolën më shumë të revoltuar  ndaj opozitës, përpos asaj që Armand Shkullaku shkruante për “Mapo”.  “Dhe kur të dyja palët ngjajnë njëlloj, sigurisht dibranët dhe shqiptarët do bëjnë edhe ata llogaritë e tyre. Në këtë rast dihet, se oferta e pushtetit është gjithnjë më atraktive dhe më plotësuese. Këtu nuk ka më enigma”, shkruante Shkullaku.  Humbja e besimit, ngjashmëria në skandale e palëve politike dhe mungesa e ideve që mund ta ndryshojnë vendin janë të mjaftueshme për t’i bërë qytetarët të kërkojnë ofruesin më të parë.  Kjo mungesë aftësie e opozitës për të krijuar një distancë morale nga shumica qeverisëse është me gjasë pasojë e varësisë së saj prej qeverisë së 2013 dhe administratës së dikurshme, për të cilat ka kaluar pak kohë për të qenë të rehabilituara.

Shenjtëria e votës

Vota nuk është e shenjtë sa kohë marrësi i saj e kthen atë në një vegël përfitimesh, arrogance dhe korruptimi. Rreziku i këtij degradimi të statusit të votës në diçka që i shërben vetëm fituesit dhe pasuron vetëm atë, mund t’i shkatërrojë edhe më keq zgjedhjet e ardhshme dhe palët politike në vend e kanë të qartë këtë dhe e kanë pasur ndërsa kanë lejuar që ky degradim të ndodhte dhe e kanë inkurajuar atë aty ku kanë pasur leverdi.

Shpresa e opozitës se skandalet e qeverisë dhe denoncimet e saj do preknin dibranët nuk mbajti dhe as nuk duket se mund të mbajë në zgjedhjet e 2017-s për sa kohë vetë opozita nuk është një dallim i qartë prej qeverisë apo nëse ajo nuk do i bindë shqiptarët se është alternativa më pragmatiste duke bërë koalicione me pjesë të qeverisë së tanishme.

Por konkluzioni se zgjedhjet në Dibër u deformuan nuk thotë asgjë për shqiptarët. Dibra nuk është ndryshe nga Dushku, Ruzhdia, kutitë e votimit të romëve në Tiranë në 2011 apo skema e madhe e falsifikimit elektoral në 2005, ku PS dhe PD shkarkuan proporcionalin drejt aleatëve me shpresë që të merrnin kështu numrat e nevojshëm për të qeverisur.

Në fund është e qartë që varfëria, blerja e votës, thasët e miellit dhe gjithë skema që mund të jetë përdorur, nuk janë një arsye e mjaftueshme për humbjen e PD-së. Fakti që ajo nuk arriti të nxirrte në votime më shumë mbështetës të saj, duke mos pasur në dorë pushtetin dhe vegla të tjera presioni, tregojnë që ajo nuk frymëzon dhe vuan ende peshën e qeverisjes së 2013.

Përplasja në PD

Debati i fundit brenda PD-së tregon se një pjesë e saj nuk është dakord me justifikimin se zgjedhjet u humbën thjesht për shkak të parave. Eduard Selami foli për një opozitë që nuk ngjallte shpresë. Më shumë se kaq ironia pas kësaj humbjeje qëndron në faktin se PD deri në momentin kur numërimi tregoi çfarë kishin kutitë, priste të fitonte. Ky është treguesi i qartë i strukturave që nuk kishin funksionuar. E vendosur thuajse e gjitha në Dibër dhe pse figura të saj me peshë kishin marrë përsipër fshatra dhe zona të ndryshme, PD nuk mundi as të shtonte votat e saj as të kontrollonte abuzimin që thotë se ka ndodhur. Ndërkohë humbja e bastioneve po kthehet në një rutinë zgjedhore për njerëzit që marrin përsipër zona në dukje të lehta elektorale dhe që nuk arrin të mbajnë as avantazhin brenda tyre. Vënia në funksion e makinës elektorale të opozitës së ish-drejtorëve të rëndësishëm të administratës së shkuar, të përfolur dhe të akuzuar, njerëz që madje besohet se i sollën humbjen në 2013 është ndërkohë më shumë se thjesht një gabim strategjik. Angazhimi i ish-ministrave (një pjesë e mirë e tyre) dhe deputetëve pa kredenciale apo të konsumuar si pjesë e një qeverisje 8-vjeçare është e qartë se nuk është arma më e fortë e një opozite.  “E vetmja rrugë për Lulzim Bashën, si një prej drejtuesve që nuk rrjedh nga shkolla komuniste e politikës, është t’i japë kuptim votës politike, të krijojë frymë.

Por, që të krijojë frymë duhet të largojë nga Partia Demokratike të gjithë ata që i kanë dhënë asaj këtë fytyrë të zymtë që ka sot. Zgjedhjet e Dibrës duhet të jenë të fundit ku ai shfaqet me atë fytyrë të PD-së, me ata ish-ministra e ish-deputetë që shkojnë në Dibër me makina superluksoze dhe i kërkojnë dibranit të varfër të mos e shesë votën e tij, edhe pse ajo votë është e vetmja mundësi për të siguruar bukën e fëmijëve, të paktën për disa javë”, shkruante dje Luljeta Progni.

Por nga ana tjetër PD-së nuk po i funksionojnë as të rinjtë. Koordinatorët apo departamentet dhe strukturat e krijuara me njerëz të rinj, veç ndonjë rasti të rrallë,  nuk kanë sjellë ndonjë energji brenda PD-së, e cila duket se flet me të njëjtën gjuhë dhe pa sjellë ndonjë ndryshim. Majlinda Bregu ngriti shqetësimin për struktura të tkurrura dhe të shthurura lokale. PD e Dibrës, sipas burimeve brenda kësaj partie, është dukshëm një shembull i kësaj tkurrjeje. Konflikti brenda saj zor se mund të prodhonte i vetëm humbjen, por ka qenë i mjaftueshëm për ta lejuar shumicën të bënte si i erdhi më për mbarë.

Zgjedhjet e shitura

Shkullaku e ka bërë të qartë në shkrimin e tij për Mapo, të tjerë po ashtu i kanë mëshuar të njëtës plagë. Zgjedhjet shiten vetëm në ato raste kur votuesi nuk ka alternativë dhe vendoset të zgjedhë mes dy të këqijave. Në këtë rast qartazi fiton e keqja që paguan më shumë. “Kemi mbërritur në një fazë të politikës, ndoshta të fundit, ku ideologjitë, programet, frymëzimi, kandidatët, projektet, nuk kanë më asnjë pikë rëndësie. Hapur, të gjithë e dinë dhe e pranojnë se ato janë fjalë boshe, se ndërrimi i qeverive apo i shukrive, nuk sjell ndryshim alternativash por thjesht karrigesh”, shkruante Shkullaku. Ben Blushi në kuvend mbajti gati të njëjtin qëndrim. Në PD zërat kritikë i shkojnë më afër këtij opsioni, ndërsa ish-ët të cilët Basha nuk ka mundur apo nuk ka dashur t’i largojë duket se janë të vetmit që besojnë te humbja vetëm për shkak të parave. PD përdori të njëjtën strategji për t’i ikur një analize në 2013 kur humbi në zgjedhje dhe edhe pse e kishte ajo kontrollin e pushtetit përfundoi të akuzonte opozitën se ia kishte blerë votat.  Qasja e ngjashme në të gjitha zgjedhjet e humbura nuk është vetëm fataliste dhe dëshmi se zgjedhjet do të vijojnë të humben, por edhe një lloj fajësimi i elektoratit. Kjo e fundit duket se është edhe mënyra më e mirë për ta ndarë këtë njëherë e mirë prej forcës politike edhe pse duket si shpëtim i sigurt prej përgjegjësive prej humbjes./Revistamapo

Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Mix2 orë më herët

Çfarë ndodh në organizëm nëse nuk hani sheqer për 10 ditë

Sheqeri ka një efekt shkatërrimtar në organizëm dhe nxit shfaqjen e shumë problemeve dhe sëmundjeve shëndetësore siç janë: diabeti i...

Mix2 orë më herët

Faktori që ndikon në shtimin në peshë – Këshillat që ju duhen

Ushqyerja e keqe dhe shtimi në peshë janë pjesë e një cikli vicioz që rrezikon shëndetin jo vetëm të të...

Mix2 orë më herët

Përfitimet e pafundme nga lëngu i mandarinës

Kjo është stina e mandarinave. Ky frut i shijshëm pak më i vogël se portokalli mund të hahet në formën...

Mix2 orë më herët

Speci djegës – Si ta përdorni për shëndetin e zemrës

Speci i kuq djegës është përdorur prej mijëra vitesh kundër disa problemeve shëndetsore. Këtu përfshihet urthi, kllapia, sëmundjet e stomakut,...

Radar2 orë më herët

-Hej, Siri, a mund të më gjesh një mik të besueshëm?

Nga Ornela Çuçi “Popujt zakonisht i këndojnë virtyteve që nuk i kanë” më tha kolegia ime nga Kosta Rika në...

Mix3 orë më herët

Spotify publikon listën me këngët më të dëgjuara në historinë e saj

Aplikacioni muzikor Spotify ka ndarë një listë të 10 këngëve më të transmetuara në historinë e tij. Spotify është bërë...

Mix3 orë më herët

Andrea Toska, 14-vjeçari shqiptar që u shpërblye nga Samsung pasi zbuloi defektin në softuerin e tyre

Andrea Toska është një 14-vjeçar shqiptar, i cili ka arritur të zbulojë një defekt në softuerin e telefonave celularë Samsung...

Mix3 orë më herët

Qumështi i shtrydhur me pompë më pak i shëndetshëm sesa ushqyerja direkt nga gjiri?

Qumështi i gjirit i shtrydhur me pompë mund të mos jetë aq i shëndetshëm për fëmijët, sa qumështi i dhënë direkt nga...

Kioske4 orë më herët

Nëse nevojën për politikanë të rinj opozitarë do ta kishte përmbushur PD …

Nga Indrit Vokshi Partitë e reja Lulëzuan sepse degradoi PD-ja. Në raport me to, Fevziu, Sandri, Carlo, Vjollca, Irfani, Ylli,...

Mix4 orë më herët

Arsyeja absurde pse Mark Zuckerberg eliminoi fact checking nga Facebook

Lajmi për eliminimin e verifikimit të fakteve nga palët e treta nga rrjetet sociale Meta ka ngjallur jo pak komente...

Facebook