Ilir Kanini, zotëria me flokë të thinjura, që vitet e fëmijërisë i kaloi në ish-Bllok, fundjavën që lamë pas doli në pension. Në ambientet e Ministrisë së Arsimit, ku prej 33 vitesh ishte shtëpia e tij e dytë iu organizua një festë surprizë nga ministrja Lindita Nikolla me prezencën e kryeministrit Edi Rama. U përlot. 40 vite punë dhe përkushtim nuk janë pak për një njeri.
E takojmë pranë “Shallvareve” në kryeqytet, zonë në të cilën edhe banon. 65-vjeçari, ka lindur në Tiranë, por rrënjët i ka nga Përmeti. Për shkak se babai i tij ka punuar si kuzhinier në ish-Bllok, banesa e tij ka qenë shumë pranë asaj të Enver Hoxhës, Hysni Kapos, Manush Myftiut…
Dhe pyetja për kujtimet e fëmijërisë na fut dashje pa dashje në Bllokun e viteve ’50.
“Ka qenë ndryshe. Shokët me të cilët jam shoqëruar kanë qenë çuna të mirë. Zamir Myftiu, djali i Manush Myftiut ka qenë një ndër shokët e mi më të ngushtë. Luaja shpesh te shtëpia e tij sepse na ndante një mur. Madje, më kujtohet që, çantën e parë kur kam shkuar në shkollë ma ka dhënë e ëma e tij. Në fillim më futën edhe mua në një klasë me ta, për shkak se banoja në Bllok. Ishte klasa që njihej ndryshe si “klasa e byrosë politike”, pasi aty ishin djemtë e udhëheqjes. Kam pasur edhe djalin e Enver Hoxhës, Sokolin. Po atë ditë, më larguan, se unë djalë populli isha… Më pas ka filluar të qajë Zamiri, se ne ishim shokë. Aty më thonë se ka ndërhyrë vetë ministri i asaj kohe (Manush Myftiu) duke thënë se, ata që kur kanë lindur kanë qenë bashkë, kështu që nuk kemi pse t’i ndajmë. E kështu, unë deri në klasë të katërt kam qenë të Shkolla “11 Janari” me “çunat e Bllokut”.
Deri në moshën dhjetë vjeç komshi me Enver Hoxhën, e keni takuar ndonjëherë, e pyesim duke e futur në kujtime.
“Dy herë. Njëherë kur na çuan si kopsht në shtëpinë e tij, pasi kishte ditëlindjen dhe unë isha në kopshtin e fëmijëve të udhëheqjes. Mbaj mend që, na priti në një dhomë të madhe, ku kam parë në një tavolinë të pjerrët shumë telefona, më janë fiksuar sepse unë nuk kisha parë ndonjëherë telefona. Po nuk më kujtohet çfarë është thënë se isha i vogël.
Herën e dytë ka qenë kur ka pasur ditëlindjen djali i madh, Iliri, Lilo i thoshim ne atëherë. Pas Bllokut, afër shtëpisë së Haxhi Lleshit ka qenë një fushë sportive, aty kemi bërë një ndeshje klasash, Iliri ka ndenjur si arbitër. Aty ishte edhe Enveri. Kemi bërë edhe foto të cilat janë botuar diku, por më vonë nuk i kam gjetur më. Ata kanë qenë çuna shumë të mirë, të edukuar, si Zamiri (Myftiu) edhe Koli (djali i Enver Hoxhës). Kanë qenë edhe nxënës të mirë. Pas klasës së pestë u ndamë. Unë shkova në një shkollë tjetër. Kemi pasur kontakte, por më rrallë. Unë isha djalë populli, atë djem Blloku, por të them të drejtën dhe ata kishin qejf të rrinin me ne. Luanim bashkë….”
Një “jetë” tjetër
Kanini edhe pse kishte të dëshirë të bëhej mjek, kjo ëndërr nuk iu plotësua. Ai studioi Histori-Gjeografi dhe u diplomua në vitin 1975 si “Mësues i Historisë dhe Gjeografisë për shkollat e mesme”.
“Partia” e emëroi si mësues në fshatin Troshan të Lezhës ku qëndroi për nëntë vite. Nuk ishte e thjeshtë për një djalë nga Tirana të zhvendosej duke punuar dhe jetuar në këtë qytet verior, por Iliri nuk i bënte bisht punës. Nga Lezha ka mësuar shumë. Breza të tërë ka nxjerrë nga bankat e shkollës, ka gëzuar ndër vite dashurin e banorëve, por mbi të gjitha, aty njohu dhe njeriun e jetës, bashkëshorten e tij të ardhshme, Marian. Sot, janë prindër të dy djemve të rritur.
Pas 9 vitesh pritje erdhi dhe transferimi për Ilirin… por ndërkohë Lezha ishte vendi nga i cili u largua me dy dekorata lavdërimi për shkrimet dhe punën e bërë.
Në ‘83 u emërua redaktor dhe më pas kryeredaktor i gazetës e përjavshme “Mësuesi” (gazetë e Ministrisë së Arsimit), post të cilin e mbajti deri në vitin 2003.
Gazetën “Mësuesi” mund ta quajmë një ndër dashurit e tij të mëdha. Flet me pasion për punën me të, në të cilën ka pasur jo pak vështirësi. Pas viteve ’90 asgjë nuk ishte si më parë. “Gazeta ‘Mësuesi’ përmbante shkrime për arsimin, shkollat, kushtet, mësuesinë. Sigurisht kishte kritika dhe akuza si p.sh, që shkruante në favor të qeverive, por në fakt synimi ynë ishte të shkruanim jo për çfarë nuk ishte bërë, por për atë që po bëhej, sepse aty po ndërtohej diçka, po zhvilloheshin tekstet, shkollat, programet, dhe qëllimi jonë ishte t’iu tregonim njerëzve se edhe këtu arsimi po merrte zhvillim”- shprehet Kanini
Në këtë punë, e cila ka qenë pjesë e jetës së tij, me bindje tregon se ka dhënë “shpirtin”.
Në 2003 e lë gazetën dhe që prej asaj kohe Iliri ka vazhduar të punojë në Ministrinë e Arsimit si specialist i inspektimit dhe i monitorimit nëpër shkolla.
Nuk e ka pasur të thjeshtë t’u mbijetojë ndryshmeve politike, qeverive dhe ministrave (17 ministra gjatë viteve të punës). Madje shumë herë tregon se ka qenë në fije të perit, për t’u hequr nga puna. Por as vetë nuk e shpjegon dot, se si arriti ta mbyllte me sukses karrierën e tij.
“Nuk kam pasur frikë të them atë që mendoja edhe kur e dija që mund të më pushonin, përkundrazi u kam shprehur eprorëve të mi të gjitha ato që mendoja se nuk shkonin siç duhej dhe më vjen mirë që më kanë dëgjuar dhe nuk ka pasur qejfmbetje”-tregon profesori.
“Shikoni, administrata është një nga gjërat më të çmuara të një shteti. Njerëzit të cilët fillojnë të punojnë aty, marrin përvojë, eksperiencë, trajnohen. Shteti harxhon miliona për formimin e tyre dhe nuk mund t’i heqësh sa hap mbyll sytë. Një person i cili ka 20 vite në një sektor, e bënë shumë herë më mirë punën se sa një i ri i cili duhet ta fillojë nga zero. Politika nuk duhet t’i fusë hundët tek punonjësit e administratës. Ata janë pasuri. Largimi i tyre, shkatërron sistemin e punës dhe asgjë nuk ecën mirë”- shprehet Kanini.
“Ndoshta, sekreti i jetëgjatësisë sime në këtë punë ka të bëj më faktin që unë nuk jam përzier me asnjë parti. Edhe pse, këtu tek ne është një fenomen i çuditshëm. Kur kundërshton një nismë të një qeverie se ty nuk të duket mirë, të akuzojnë si i partisë kundërshtare. Kur vjen pala tjetër dhe ti thua në të njëjtën mënyrë mendimin tënd hapur, janë këta që të hedhin nga krahu tjetër. Edhe unë, gjatë këtyre viteve, për nga bindjet jam bërë ping-pong. Por e kam pasur të ngulitur në vetvete, se partia ime e vetme është puna”.
17 ministra, 33 vite në Ministrinë e Arsimit, si i vlerësoni ministrat?
“Unë profesionist vë në vend të parë Skënder Gjinushin, nuk i binte fjala në tokë. Et’hem Ruka, po ashtu, elokuent. Një tjetër profesionist ka qenë edhe Luan Memushi. Linditën e vlerësoj për anën e saj njerëzore. I akullt ishte Ben Blushi. Për mua siç hyri, doli. Krijoi rrjetin e vet, bënte punë të mbyllur”.
Pas viteve ‘90 arsimi ka ndryshuar rrënjësisht. 65-vjeçari ka udhëtuar në të gjithë Shqipërinë dhe e njeh gjendjen e shkollave. Thotë se kemi institucione të mira të dijes, por edhe vende ku gjërat nuk shkojnë mirë. “Arsimi është shumë i vështirë. Unë mendoj se po ka një vend ku nuk duhet të fusë hundët politika është arsimi. Nëse specialistët do të zgjidhen politikisht, atëherë ne i kemi vënë flakën arsimit. Po që se do ndërrohen qeveritë dhe do bëjnë ndryshime për inat të njëri- tjetrit, ne nuk kemi për t’u bërë ndonjëherë”.
Është i lumtur që ka punuar me përkushtim, por e gjitha kjo nuk e ka lënë pa pasoja. “Shumë herë jam stresuar, kam debatuar, jam zemëruar… kokëfortësia dhe dëshira për t’i bërë gjerat korrekt, sot me kanë lenë pasoja. Jam operuar katër herë nga zemra. Jam me diabet, me nerv shiatik… por, së punuari nuk do të pushoi asnjëherë”- tregon Kanini duke qeshur.
Kur e pyesim se çfarë do bëjë tani si pensionist, thotë se do të vazhdojë të punojë. “Nuk kam asnjë para mënjanë. Nuk është e lehtë të arsimosh dy fëmijë”.
Teksa përshëndetem me profesorin, pranë asaj që njihet si ura e Bllokut, shkëmbehem me një grup turistësh të huaj pensionistë, të cilët ecin qetësisht në trotuar. Mendja më shkon te profesor Iliri, i cili mund të ishte një prej tyre, por me rrogën e tij ka mbajtur vetëm familjen. A nuk duhen vlerësuar më shumë këta njerëz?!
Nga Entela Resuli, gazetare e Dita
Gazeta Dita
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu