Lidhu me ne

Temporal

Anti-korrupsion? Filloni nga programi i transparencës

Afrim Krasniqi

Në mesin e muajit qershor pata rastin të vizitoj dy bashki, Durrës e Vlorë, me qëllim njohjen nga afër të raporteve të qytetarëve me administratën dhe mënyrës sesi trajtohen problematikat e tyre. Në Vlorë takova rreth 10 qytetarë, 7 prej të cilëve më rezultoi se kërkonin ndihmën e administratës për probleme, të cilat sipas ligjit të Informimit Publik dhe Programit të Transparencës në këtë ligj, do të duheshin të ishin zgjidhur nga banesa e tyre, online ose me postë, pa harxhuar kohë, mund e energji për radhë, pritje e debate me punonjësit e bashkisë. Interesant ishte fakti se ata nuk i njihnin të drejtat e tyre, nuk ishin në dijeni sesi mund të merrej informacioni online dhe nga ana tjetër, as punonjësit e bashkisë nuk kishin njohuri të detajuara të kësaj praktike.

Në Durrës situata ishte më ndryshe. E thënë simbolikisht, – më lehtë mund të merreshin të dhëna publike nga thesari i shtetit sesa nga bashkia e këtij qyteti. Koncepti mbi të drejtën e informimit, programin e transparencës, detyrimet ligjore për info falas dhe shërbime online ishte aq minimal, saqë njëra nga dy palët, – qytetari ose bashkia, dukeshin jashtëtokësorë. Në të njëjtën kohë në Tiranë kisha një përvojë personale: në shkollën e fëmijëve të mi filluan punimet, mësimi u ndërpre, nxënës e personal u zhvendosën në një shkollë tjetër, u ndryshua sistemi i mësimit të tyre nga paradite në pasdite, etj, – një kosto e madhe financiare, kohore dhe stresi për disa qindra prind që kanë fëmijët e tyre aty. Natyrisht Bashkia u përgjigj se po bënte më të mirën, – një shkollë të re, e cila po pret inaugurimin këto ditë. Por as bashkia dhe asnjë institucion tjetër nuk ishte në gjendje ti jepte përgjigje pyetjes, – përse prindërit dhe fëmijët nuk kishin dijeni më parë, përse tani në mes të sezonit shkollor, përse shpërndarje të fëmijëve në dy shkolla të tjera, dhe kush mban përgjegjësi për miliona lekët që familjet paguajnë ekstra për të çuar fëmijët në shkolla larg zonës ku ata banonin.

Në Përmet zyrtarët lokalë ishin më të qartë: shërbime online falas? Ok, por në 3-4 njësi administrative nuk ka pasur dhe as kemi internet. Në Lezhë apo Bulqizë e njëjta histori, – shërbime online kur nuk ka akses në internet. Në Sarandë në disa njësi administrative ka internet, por më shumë hyn linja greke sesa ajo shqiptare, ndaj kosto, sidomos ajo telefonike është e lartë. Problematika të njëjta apo specifike gjenden në secilën prej 61 bashkive të reja. Shembull pozitiv? Po, Shkodra ka aktualisht shërbimin më të mirë online të informacionit, sidomos në ëebsite të bashkisë, kjo falë një investimi të huaj në këtë bashki.

Deri përpara një muaji Tirana ishte bashkia më me pak informacione, tani ka krijuar faqe të re, kurse në total nga 61 bashkitë, vetëm gjysma e tyre janë në gjendje të ofrojnë online informacionet bazë për shërbimet ndaj qytetarëve. Kur më 2014 u miratua ligji për të drejtën e informimit, me një program të detyrueshëm të transparencës, skeptikët ishin të shumtë. Dhe me të drejtë. Një sistem i hapur e transparent është një ëndërr e largët për një elitë të korruptuar politikanësh e zyrtarësh, nga ata që kemi pasur e kemi. Transparenca i pengon ata të fitojnë nga buxhetet tona, transparenca i pengon ata të devijojnë fondet publike tek klientela e tyre, transparenca i pengon ata të japin llogari për premtimet e shërbimet, për të cilat janë votuar ose paguajnë taksë qytetarët. Sa më transparente një bashki e institucion, aq më pak qytetarë trokasin në dyert e tyre për shkresa, shërbime, ndere, etj, pra aq më pak zvogëlohen mundësitë e korrupsionit nga zyrtarët e trajnuar me ryshfete dhe sistem nderesh. Programi i transparencës do të ndihmonte shumë prindër si unë për të ditur në kohë, cilat janë projektet vjetore në lagjen time, ku shkojnë taksat e mia, çfarë do të ndodhë me shkollën e fëmijëve të mi, kur janë oraret e shërbimeve publike, çfarë procedurash duhen ndjekur për të nxjerrë dokumente zyrtare, cilat janë lejet e ndërtimit të dhëna, ku do të ketë lulishte dhe fusha sporti, ku do jetë ambulanca e lagjes dhe zyra e punësimit, ku merren pensionet dhe ku blihen librat shkollorë, ku ndodhet stacioni më i afërt i policisë dhe cila banesë nuk duhet marrë me qira sesa është për prishje.

Në aspektin më makro programi i transparencës do të më ndihmonte të mësoj se çfarë ndodh me buxhetin e bashkisë apo institucioneve, si merren vendimet, sa punë bëjnë këshilltarët, cilët janë personat buxhetorë që paguhen me taksat e mia në bashki, cilat janë programet e zhvillimit afatshkurtër dhe afatgjatë, cilat janë planet urbanistike, cilat janë taksat dhe si justifikohen ato…etj, etj. Duke mos i pasur këto të dhëna, qytetari e të vështirë të bindet përse duhet të paguajë taksë ekstra për arsimin kur nuk ka fëmijë për të çuar në shkollë, përse duhet të paguajë taksë ekstra për çerdhet kur nuk ka fëmijë të vegjël, përse duhet të paguajë për gjelbërimin kur lulishten pranë tij bashkia e kthen në shesh ndërtimi, përse shtrohen rrugë që nuk janë emergjente dhe injorohen ato më emergjente, përse sheshet e ndërtesave të prishura nga INUK janë kthyer në parkingje private në lagje, deri edhe pyetje më të rëndësishme, si, cila është shkolla më e mirë në qytet, cilat janë zonat me perspektivë zhvillimi në qytet, cilat janë projektet urbanistike në zonën time, etj. Për ne që merremi me ligjet, institucionet, politikën sesi duhet të jetë, leksionet, etj, shpesh kritika që na bëhet është, – nuk jetoni me realitetin! E pata këtë ndjesi edhe kur në Durrës pyeta një zyrtar bashkie përse janë harxhuar miliona brenda një viti në katër ndërhyrje tek e njëjta rrugë, ndërkohë që tani parashikohet prishja e saj e plotë, ose përse muret e qytetit të vjetër janë mbuluar nga betoni i pallateve të reja të betonit vetëm 20 metra larg bregdetit. E pata këtë ndjesi edhe kur harxhova katër ditë vizita burokratike në itinerare të ndryshme zyrat e postës – bashki – polici për të rifreskuar pasaportat e fëmijëve. Katër ditë vajtje – ardhje dhe një gjobë të lartë financiare për kuponë, foto, vërtetime, certifikata, deklarime, fotokopje, etj, për një shërbim që në vendin perëndimor ku kam jetuar, jepej falas nga shteti në 5-10 minuta!

Gjithsesi përvoja të tilla na “shkundin” për të kuptuar se diferenca midis ligjeve, retorikës dhe realitetit, vërtetë mbetet e madhe, por edhe për të na nxitur për të imponuar sa më parë dhe me çdo kosto, një sistem informimi publik, një program integral të transparencës në çdo bashki dhe institucion publik. Zgjidhja është transparenca, alternativa tjetër mbetet sistemi i vjetër konsensual që nuk po ndryshon, – mekanizmi militant e abuzues i korrupsionit, – i përdorimit të shtetit, taksave dhe aseteve të tij si pronë private, fonde private, burime private. Kjo është arsyeja që, kushdo që ka një zë, – media e shoqëria civile, donatorë dhe institucione të së drejtës, qytetarë dhe mendje liberale, – të ndikojnë veç ose së bashku përmes presionit pozitiv, protestës, reagimit, nxitjes, etj, për reformë të thellë në shërbime, për hapje të bashkive dhe institucioneve, për një sistem shumë më transparent dhe efikas raporti të shtetit ndaj qytetarëve, si vlerë, përgjegjësi e standard demokratik.

“Shekulli”

Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Radar1 ditë më herët

U hoqën nga gara, por nuk mërziten! Si shprehen socialistët pas publikimit të listës

Me 186 kandidatë do të hyjë në garën e 11 Majit Partia Socialiste. Por si çdo listë edhe ajo mund të...

Mix2 ditë më herët

Ushqimet për një agjërim sa më të shëndetshëm gjatë Ramazanit

Gjatë kohës së vakteve në muajin e Ramazanit, familjet myslimane zakonisht mblidhen për të shijuar vaktin pas perëndimit të diellit...

Mix2 ditë më herët

Mollët, portokalli dhe kivi, frutat më të mira për mëngjes dhe përfitimet e tyre për shëndetin

Studime të ndryshme kanë treguar se ngrënia e mëngjesit mund të ndihmojë në stimulimin e metabolizmit. Një mëngjes i shëndetshëm...

Mix2 ditë më herët

Rihanna vesh xhinset $1,200 të Kendrick Lamar

Mesa duket, Rihanna ‘is like us’. Një muaj pasi Kendrick Lamar bëri bujë me performancën e tij në “Super Bowl...

Mix2 ditë më herët

Si të humbasësh peshë duke ecur! Këshillat për një rezultat të shpejtë

Për të mbajtur një trup të shëndetshëm mënyrat e duhura janë vetëm dy, aktiviteti i vazhdueshëm fizik dhe regjimi i...

Radar2 ditë më herët

“Lista e PD me një grusht servilash”, Basha – kolegëve demokratë: I paralajmërova, i ftoj të na votojnë ne! U bënë pishman për mumifikimin e partisë

Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë dhe njëkohësisht drejtues i Koalicionit Euroatlantik në zgjedhjet e 11 majit, Lulzim Basha, i bëri thirrje...

Aktualitet2 ditë më herët

PD dhe PS nxjerrin emrat kandidatëve që do përballen në zgjedhjet e 11 majit

Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë vendosur emrat e kandidatëve për deputetë të cilët do kandidojnë në zgjedhjet e 11...

Kryesore2 ditë më herët

Të zhgënjehesh nga Berisha në vitin 2025?

Dhe nëse dikush priste që ai do të luante ndryshe këtë herë, atëherë problemi nuk është Berisha – problemi është...

Aktualitet3 ditë më herët

Ben Andoni: Rama po përgatitet për republikën presidenciale

Kryeministri Edi Rama tha së fundmi se ka mundësi që të mos jetë më në listën e deputetëve. Kjo ka...

Radar4 ditë më herët

Eksodi i “diplomave”, në 2023 u diplomuan rreth 12 mijë studentë më pak se në 2019!

Eksodi i diplomave nuk ka të ndalur, teksa në bankat dhe auditore ka gjithnjë e me pak studentë, sot çka...

Facebook