Lidhu me ne

Temporal

Veriorët apo jugorët, gërr-mërr shekullor

Çapajev-Gjokutaj-150x150

Nga Çapajev Gjokutaj

Ikja e 2-3 futbollistëve nga përfaqësuesja e Shqipërisë në atë të Kosovës solli vërshimin e një morie diskutimesh. U përmbytën rrjetet sociale dhe mediat në këtë stinë të thatë për nga reshjet dhe shterpë për nga idetë.

Si kurdoherë, në themel të diskutimeve qëndron gërrmërri tradicional: shqiptarët e Shqipërisë apo ata të Kosovës, veriorët apo jugorët? Ka diçka alogjike në këtë gërrmërr ciklik. Jemi popull i vogël, fati e taksirati na kanë ndarë në disa shtete. Rrjedhimisht, interes jetik kemi integrimet mbarëkombëtare, kurse yll polar, që orienton ardhmërinë e largët, kemi bashkimin kombëtar.

Pse atëherë, në ligjërimin publik, jemi kaq të etur të nxisim ndarje e përçarje? Cilat janë shkaqet, të shprehura apo të fshehura, që e ushqejnë këtë debat pa bukë?

1.Sa herë shkruhet për veriorët dhe jugorët, për virtytet dhe veset e tyre, ligjërimin publik e përshkon një tallaz që përcjell nervozizëm dhe agresivitet.

Shqetësimi shfaqet më dukshëm në shënimet që bëjnë lexuesit anonimë përfund shkrimeve online, por nuk mungon edhe në reagime “emergjente” emrash të njohur. Ky trazim, para se të artikulohet në ligjërimin publik dhe të synojë ndikim e pushtet, ngjizet mbi një proces psikologjik individual.

Pasoja e parë e këtij procesi është zbehja e kuptimit të parë të emërtimeve verior/jugor dhe aktivizimi i tyre në funksione stereotipesh. Në kuptimin e parë, këta emra përdoren për të treguar diçka që ekziston në Veri apo në Jug, ose që vjen prej andej. Por kur këto dy fjalë përdoren për të stereotipizuar, përftojnë kuptime të dyta, kuptime që edhe kur nisen nga ndonjë zanafillë objektive e ekzagjerojnë deri në shpërfytyrim.

Fjala vjen, je larg të vërtetës kur i percepton veriorët si të mbyllur dhe jugorët si të hapur, dhe, mbi këtë përgjithësim, të ngrirë në kohëra dhe tejet të ekzagjeruar, gjeneron tipare të tjera stereotipizuese si: veriorët primitivë, kurse jugorët modernë, të parët të sinqertë, kurse të dytët dinakë, këta të besës, kurse ata të dredhisë, të pushkës vs të penës, të zakonit vs të ligjit etj., etj.

Dhuna ndaj së vërtetës merr trajta edhe më të thekshme, kur cilësi të tilla u atribuohen individëve të veçantë, pavarësisht se kush janë e çfarë bëjnë, por vetëm e vetëm pse janë nga Veriu apo nga Jugu. Kur stereotipizojmë nuk nisemi aq nga realiteti i gjërave, nuk jemi aq të preokupuar për të thënë me çdo kusht të vërtetën, përkundrazi, e lëmë disi mënjanë dhe shpesh e zbehim deri në zhbërje.

Stereotipizimi, më shumë sesa funksione njohëse, kënaq nevoja psikologjike. Edhe emërtimet verior dhe jugor, kur përdoren si stereotipe, synojnë më shumë të kënaqin nevoja psikologjike, t’i pohojnë individit vlerat e grupit ku bën pjesë, rrjedhimisht edhe vlerat e veta. Fatkeqësisht, psikologjia e grupit ka një tipar universal.

Ka funksionuar dhe funksionon mbi dy veprime të kundërta: idealizimin e grupit tënd dhe demonizimin e grupit fqinj. Sa më i frustruar të jesh, sa më vulëhumbur të ndihesh, aq më të nevojshme e ke t’i japësh zemër vetes, d.m.th. të idealizosh grupin tënd dhe të demonizosh grupin fqinj. Lëvizjet demografike, papunësia, varfëria, kriza e vlerave etj., e kanë shtuar si rrallë ndonjëherë numrin e individëve të frustruar, rrjedhimisht edhe etjen për t’u përfshirë në gërrmërre të tipit ne apo ju.

2. Logjika e zhvillimeve bashkëkohore sugjeron që ndarjet etnografike e dialektore të vijnë duke u zbehur nën veprimin e një vargu faktorësh si integrimet e brendshme, zhvillimet globale në sferën e komunikimit etj. Të gjithë këta faktorë janë realë dhe po veprojnë fuqishëm, megjithatë, ndarja veriorë/jugorë nuk po zbehet, përkundrazi vazhdon të shfaqet me nervozizëm dhe agresivitet në ligjërimin publik.

Në këtë mes veprojnë një varg faktorësh kontekstualë si: lëvizjet demografike, ndërsimi nga politika, krizat identitare etj. Po t’i shohësh në terma afatgjatë lëvizjet demografike, bashkëjetesa në metropole e popullsive ardhur nga krahina të ndryshme sjell dobësimin e elementit etnografik e dialektor dhe krijimin, në rrugë organike, të idiomave të përbashkëta kombëtare. E kundërta ndodh në terma afatshkurtër.

Përzierjet e popullsive që realizohen nëpërmjet ardhjesh masive dhe përgjithësisht të parregulluara me ligj sjellin jo vetëm kontrastim kulture, edukate, higjiene, rregulli komunitar, por edhe ndeshje të thekshme interesash që mund t’i bënim mullar rreth sintagmës tokë e xanun. Thuajse gjithë emërtimet që përdoren në shqipe për ata që vijnë në një qendër banimi priren të konotohen negativisht.

Nga denotacioni i ardhur kalohet në konotacione të larmishme, por gjithnjë përkeqësuese si: ardhacak, shkulak, jabanxhi e deri te çeçen. Në fakt, të gjitha këto konotacione kanë qenë përdorur në shqipe edhe para tranzicionit postkomunist, përjashtim bën fjala çeçen që konoton më fuqishëm, jo vetëm pse është më e re, por edhe pse aktivizohet totalisht duke përfshirë edhe tingëllimin.

Tek emërtimi çeçen mishërohet edhe një tipar tjetër i stereotipeve, prirja që pjesëtarët e grupit rival t’i homgjenizosh. Kur stereotipizon përdor dy optika të ndryshme: në grupin tënd sheh individë e individualitete, kurse në grupin rival sheh vetëm qenie të thjeshtëzuara e njëtrajtëshe si të ishin parafabrikate. Kaq e fuqishme është prirja për homogjenizim në këtë rast, sa që me fjalën çeçen shënjohen pothuajse vetëm veriorët, paçka se të ardhurit në Tiranë, Durrës etj. janë si nga Veriu, ashtu edhe nga Jugu.

Mbijetesa e stereotipizimeve në aksin veriorë/ jugorë është nxitur dhe nxitet edhe nga politika. Për arsye të njohura, krahët politikë ndër ne vuajnë mungesë legjitimiteti dhe programesh që të jenë mirëfilli të majta apo të djathta.

Për të superuar këtë mungesë thelbësore thërrasin në ndihmë stereotipe të vjetra, mes tyre edhe këto që lidhen me ndarjen krahinore Veri-Jug. Kjo prirje e politikës për krijimin e bastioneve të ngurta, jo aq mbi identitete social-ekonomike, por mbi histori, etnografi e folklor ushqehet edhe nga tradita.

Shteti shqiptar, që në nisje e deri në bitisje, d.m.th. që nga fillimet e deri në ditët tona, është dalluar për institucione të dobëta dhe meritokraci të nëpërkëmbur. Në këto rrethana, përzgjedhja dhe promovimi i individëve bëhet jo mbi meritën, por mbi mendësi klanore e krahinore. Zhvillimi i mekët dhe varfëria masive kanë bërë e bëjnë që të mbizotërojë kultura e përjashtimit dhe jo ajo e gjithëpërfshirjes. Tradita ka ndikuar edhe në një rrafsh tjetër, më të perceptueshëm.

Një tufë rastësish historike kanë bërë që pushtetet në Shqipëri të alternojnë njeritjetrin mbështetur mbi ndarjen Veri-Jug. Periudha e Monarkisë konsiderohet si dominim i veriorëve, kurse ajo e diktaturës – dominim i jugorëve. Ky alternim nuk ka reshtur as në tranzicionin postkomunist, qeverisjet e PS-së shihen si dominim i jugorëve, kurse ato të PD-së i veriorëve.

Në këtë rrafsh duket sikur nuk ka ndryshuar gjë, madje puna ka ardhur duke u përkeqësuar për faktin se monarkia dhe diktatura alternuan njëra-tjetrën për periudha të gjata, me dekada, kurse demokratët dhe socialistët – në çdo shtatë-tetë vjet. Siç shihet, stereotipizimet në akset veriorë/jugorë ushqehen nga një varg faktorësh, që nisin me impulse psikologjike individuale dhe përfundojnë me dukuri të ndërlikuara shoqërore e historike. Gjithsesi, në të gjitha rastet nuk bëhen në emër të zhvillimit perspektiv, por kanë ndikim të thellë prapavajtës, sjellin veç regres.

3. Stereotipet fqinjërojnë me paragjykimet, duke u bërë të dëmshme dhe jo rrallë edhe tinëzare e të rrezikshme.Edhe stereotipet veriorë/jugorë kanë prirje të aktivizohen automatikisht dhe shpesh të veprojnë në të pandërgjegjshmen.

Kur anonimët e uebit flasin për veriorët a jugorët janë të bindur se thonë gjëra reale, gjëra që burojnë nga realiteti. Nuk e perceptojnë dot se përdorimi i këtyre stereotipeve bëhet më së shumti për të kënaqur nevoja të brendshme, psikologjike. Në periudha tranzicioni, kur sistemi i vjetër është rrëzuar dhe i riu është në ngjizje e sipër, kur gjithçka është në ndryshim e paqëndrueshmëri, individi përjeton ankthe pasigurie dhe kërkon me etje gjëra të qëndrueshme, qofshin këto edhe identitete krahinore, për t’i përdorur si tokë e fortë ku mund të hedhë spirancën.

Stereotipizimi i kategorive veriorë/jugorë ka dhe një arsye të dytë, që me thjeshtësinë e saj të sjell ndër mend vezën e Kolombit: nuk kërkon sforcim, duke qenë automatik, rrjedh vetvetiu. Ky faktor është me peshë sidomos për njerëzit e thjeshtë që, kur marrin të shkruajnë a të flasin në publik, sforcohen së tepërmi.

Si shpjegohet atëherë që edhe shumë njerëz të shkolluar, në daçi edhe persona publikë që bëjnë opinion, i përdorin kategoritë verior/jugor si stereotipe?

Një përgjigje e procesuar automatikisht do të ishte: edhe ata robër të humbur të Allahut janë, ndaj shpesh e dërgojnë mendjen me vakanca dhe lënë paragjykimet të mendojnë për ta. Thënë më shkoqur – mëndjellinj…/Panorama

Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Sport10 minuta më herët

Jude Bellingham është lojtari më i shtrenjtë në botë, vlen 251.4 mln euro!

Sipas Observatorit të Futbollit të Qendrës Ndërkombëtare për Studime Sportive (Cies), mesfushori anglez i Real Madridit, Jude Bellingham është aktualisht...

Radar21 minuta më herët

Berisha shkatërron shpresat e Mul Nokës: Sa të kem jetë do jem në politikë

Ish-kryeministri Sali Berisha ka dërguar një mesazh të fortë për ata që mendojnë se ai mund të largohet nga skena...

Aktualitet1 orë më herët

Tjetër instalacion në kryeqytet, Tirana Moons vendoset tek Politekniku

Në relacionin arkitektonik, struktura modulare “Hënë” është një pavijon sferik i bërë kryesisht prej druri dhe pëlhure. Foto ilustruese Tirana...

Mix2 orë më herët

Sekreti i rënies nga pesha – Kur duhet të hani mëngjesin dhe darkën

Ushqyerja është një aspekt shumë i rëndësishëm i shëndetit të organizmit. Krahas saj, koha e ushqyerjes është po aq e...

Mix2 orë më herët

Blackstone do investojë 300 milion dollarë në kompaninë e Inteligjencës Artificiale

Blackstone po investon në një kompani që i ndihmon organizatat të ruajnë dhe analizojnë në mënyrë më efikase sasi të...

Mix2 orë më herët

Il Ragazzo Dai Pantaloni Rosa, një film për bullizmin dhe pasojat e tij ishte më i ndjekuri i 2024 në Itali

70 milionë spektatorë vetëm në kinema në vitin 2024. Një shifër e përgjithshme prej rreth 493.9 milionë eurosh për një...

Mix2 orë më herët

Brooke Shields: Doktori më bëri operacion në pjesët intime pa aprovimin tim

Brooke Shields ka shkruar një libër autobiografik, i cili del të martën e 14 janarit në shitje. Mes shumë rrëfimeve...

Mix2 orë më herët

Jessica Alba divorcohet pas 17 viteve martesë

Jessica Alba dhe Cash Warren ndahen. Aktorja ka folur gjithmonë për marrëdhënien e tyre si shokë dhomë. Prej pak orësh...

Mix3 orë më herët

A e dini emrin e vërtetë të personazhit më të komentuar të momentit, Gjesti?

Këngëtari dhe ish-banori i “Big Brother VIP Kosova”, Gjesti, ka surprizuar publikun me lëvizjen e tij më të fundit. Vetëm...

Kioske3 orë më herët

1 shkurt, ditë pushimi

Shkruar nga Lutfi Dervishi Historianët që tani kanë nisur debatin nëse kjo ulje prej 1 lekë është “arritje historike” apo...

Facebook