Lidhu me ne

Temporal

“Bomba atomike” ka rënë prej kohësh

indir

Nga Teodor KEKO: “Bomba atomike” ka rënë prej kohësh (viti 1991)

Në sheshin që rrethihet nga gati 10 dyqane fruta-perime është qetësi. Shitoret i kanë banakët bosh. Një pazi e prishur që mund t’ua priosh mendjen blerësve për spinaq. Ca lakra të freskëta dhe një lloj reçeli në kavanoz. Vetëm kaq. Dhe ca shitës që hanë fara luledielli të përgjumur.  Unë kam një orë që bisedoj me shitësin, një djalë i ri që ka mbarruar 5-6 vjet të shkuara gjimnazin. Gjatë praktikës mësimore i kam dhënë disa orë letërsi këtij djali. Atëherë i kam folur për karakterin e mrekullueshëm të shqiptarit. Për vetitë e tij të admirueshme që mahnitën Bajronin, për bujarinë dhe besën. Tani ai, që nuk harron asgjë, më pyet:

-E mban mend profesor, ç’më ke shpjeguar dikur në mësim?

I bëj një shenjë me dorë “më lërë të qetë!” dhe qëndroj si murg para banakut. Nga porta e madhe shfaqen hera-herës ca si fantazma në kundër dritë. Kur afrohen në banak, disa i shquaj se cilët janë. Janë njerëz të shquar të kryeqytetit, artistë me emër, mjekë, ekonomistë – truri i kombit. Ata, herë qeshin me servilizëm para shitësit, herë bëjnë humor të sforcuar…janë aktorë të mrekullueshëm tek përpiqen me çdo kush që ta tundojnë shitësin.  Mbase ai futet pas perdes së dyqanit dhe iu shet nja dhjetë kokrra vezë, apo ndonjë frut!?…mirëpo shitësi ju betohet se sot magazina s’e ka furnizuar. Atehërë, ata heqin maskën, pikëllohen dhe largohen të vrarë.  Unë e di se ç’thonë me vete: “Më mirë të mos kisha shkelur këtu, se sa humba gjithë këtë kohë dhe ula veten përrtokë duke iu lutur një shitësi si…”

Ai që e njeh karakterin tonë përmes “Lahutës së Malcisë” të Fishtës, tmerrohet nga metamorfoza.  Ai që e njeh përmes “A don qymyr, zotni?” të Migjenit, skandalizohet nga përsëritja pikë për pikë e shkatërrimit të karakterit. Karakteri ynë vërtet është në një pikë kritike. Shkrimtarë që në epistolarin e tyre kanë më shumë lutje se  vepra. Vandakë letrash anonime. Shpifje pa fund të shkruara me një kaligrafi të admirueshme…

Që foshnjë na mësuan të lutemi…Më dërgoi babi për një paqetë me filter…pastaj lutjet për të hyrë në rini, lutje për t’u futur në punë, lutje për shkollën e lartë, lutje për transferim, lutje për shtëpi, lutje për shtesë rroge, lutje për të marrë një frigorifer, përgjërim te shitësi i peshkut, servilizëm te shitësi i vezëve, lutje te…

Kush na shkallmoi kështu, ne njerëzve me bezë burri e shpirt njeriu?

Ata që përpiqen ta mbajnë gjallë karakterin e tyre, e pësojnë. Më 16 janar, në orën 6 e 1 minutë  të mëngjesit, fizikanti P.F., njeri që nuk dëshiron t’i lutet askujt, u plagos në dorë duke u shtyrë mes grumbullit të blerësve, në çastin që u hap dera e madhe e merkatos së Tiranës (ora kur hapet është 6). Vërtet e trishtueshme që viktima e parë e  luftës në Irak, fill pas shpalljes së kësaj lufte, ishte në Tiranë.

Shitësi më thotë se i është mërzitur jeta në dyqan. Nuk shikon dot superintelektualët e kombit që të luten si mjeranë.

– Kam një javë që nuk çoj vezë e fruta në shtëpinë time, – shton, – s’ruaj dot një mall për vete. Si shoh dot njerëzit të luten. S’kam zemër.

Ai është nëj djalë i zgjuar. Më thotë atë që unë trembem ta sjell nëpë mend:

– Dyqanet një ditë do të mbushen, ekonomia do të mëkëmbet, por karakteri i këtyre njerëzve s’rregullohet më! Ata gjithë jetën do të hakmerren për këto vite, kur nuk i lanë të bëjnë shkencë dhe art, por i shndërruan në lypsarë!…

Ai ndoshta nuk di dhe një gjë tjetër: thuajse të gjithë ata që kanë shkruar letra anonime dhe shpifje, që kanë deponuar të paqëna nëpër gjyqe dhe vëllezërit e tyre, – të gjithë  ata që kanë shkelur ligjin të detyruar me përdhunë nga presioni fatal i  mekanizmit të ekzistencës, “po nuk fole, do të dënohesh ti”, sot janë penduar dhe i vret ndërgjegja. Nëse një ditë do t’i harrojmë mëritë e vjetra, të fundit do të mbeten këta! Këta njerëz do të hakmerren ndaj vetvetes, ndaj fajit të tyre, duke ndenjur një kohë të gjatë forca inaktive për të mirën e kombit tonë. Po sa intelektualë  do të vetëparalizohen kështu?

Në të vërtetë, bomba atomike ka rënë në shpirtin tonë. Kjo është një bombë e llojit të veçantë. Në Hiroshimë ajo vrau njerëz dhe mbolli leuçemi. Tek ne shkatërroi karakteret e njerëzve dhe mbolli ligësi. Po si do ta zbukurojë këtë vend nja karakter i shëmtuar nga tatuazhet që ia fiksuan përdhunshëm këto 46 vjet? Si do ta shërojë Shqipërinë një shpirt i sëmurë njerëzor?

Rrituni sa më shpejt fëmijët tanë! Bëhuni burra, jo si ne! Mos iu dorëzoni mjerimit, siç i ngritëm duart përpjetë ne!…

Në sheshin e merkatos është një boshësi e madhe. Ajo nesër do të gjallërojë nga zërat njerëzorë. Por unë i trembem boshësisë së shpirtit. Këtë gjë nuk e di akoma: a do të na mbushet ndonjëherë shpirti me jetë? A do të nisemi ndonjëherë me shpirtin tonë përdore drejt krijimeve të mrekullueshme njerëzore?

Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Mix1 ditë më herët

Çfarë nuk duhet të bëni kurrë me stomakun bosh

Nisja e ditës shëndetshëm sigurisht nis nga stomaku në mëngjes. Mënyra e të ushqyerit dhe kujdesi që duhet të tregojmë...

Mix1 ditë më herët

Diabeti – Zgjidhja gjendet tek ushqimi

Kur bëhet fjalë për diabetin, zgjedhjet tona ushqimore janë shumë të rëndësishme. Pavarësisht se disa ushqime janë më të mira...

Mix1 ditë më herët

Si të forconi kockat natyralisht – Zgjidhjet që ju duhen

Kockat e forta janë kryesore për shëndet të mirë dhe rezistencë të trupit. Gjithësesi për shumë njerëz mbeten një sheqetësim...

Mix1 ditë më herët

Historia e harruar e vrasjes së pabesë të Ismail Bej Vlorës

NGA EVARIST BEQIRI* NGA EVARIST BEQIRI* Këtë shkrim ia kam kushtuar një personazhi dhe një ngjarjeje shumë të rëndësishme kombëtare,...

Mix2 ditë më herët

E ve, me dy fëmijë, Bridget Jones rikthehet në shkurt dhe ky është traileri

Bridget Jones do të rikthehet si një vejushë me dy fëmijë të vegjël, që veç problemeve të saj, do t`i...

Mix2 ditë më herët

Eksperimenti i pazakontë, milingonat mposhtin grupin e njerëzve në lëvizjen e objektit përmes labirintit (Video)

Një ekip që studion sjelljen në grup të milingonave ka zbuluar se në rrethanat e duhura, milingonat mund t’i tejkalojnë...

Temporal2 ditë më herët

Shqipëria e viteve (1924 – 1928)/ PAMJET e shkrepura nga fotografi gjerman gjatë udhëtimit të tij në trojet shqiptare

Shkruar nga Albana Cenaj – Liberale.al Nga Albana Cenaj Ah, çfarë nostalgjie e mrekullueshme! Shqipëria e dikurshme e viteve (1924...

Mix2 ditë më herët

Pse u largua realisht, Justin Trudeau?

“Ky vend meriton kandidatë të vërtetë për zgjedhjet e ardhshme dhe unë e kam kuptuar se nuk mund të jem...

Radar2 ditë më herët

Noka nxjerr dokumentet: Kompania e Agron Shehajt ka ndërtuar vilën e Ajola Xoxës në Petrelë

Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka akuzon deputetin Agron Shehaj se përmes kompanisë së tij ka ndërtuar vilën e...

Kioske2 ditë më herët

Të gjithë kundër Elon Musk

Europa është ngritur kundër Elon Musk, miliarderi më i pasur në botë dhe drejtuesi i platformës sociale X (ish-Twitter), i...

Facebook