Java që lamë pas dëshmoi se cili mund të ishte akti i fundit i një lufte të hapur ndërmjet dy lëvizjeve më të mëdha islame në Turqi. Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajjip Erdogan, akuzoi liderin mysliman në mërgim, Fethullah Gylen si organizator i grushtit të shtetit kundër qeverisë, që dështoi javën e kaluar. Menjëherë pas kësaj, Erdogan nisi një valë spastrimesh masive staliniste dhe një sërë arrestimesh në të gjithë vendin të gjithë të dyshuarve që ndonjë lidhje me Gylenin, ose në fakt arrestimin e çdo pjesëtari të çdo ideologjie që është kundër Erdoganit.
Por, para së gjithash, kur diskutojmë për liderët myslimanë në Turqi, duhet të kemi parasysh se po diskutojmë për një skenë shumë të ndryshme nga ajo e shumicës së pjesës tjetër të botës islame. Kjo që po ndodh në Turqi, është në thelb një luftë ndërmjet islamikëve të moderuar. As Erdogani dhe as Gyleni nuk bëjnë thirrje për ndonjë Shtet Islam, rikthimin e ligjit të Sheriatit, apo të Kalifatit. Të dy veprojnë me kujdes brenda një strukture kryesisht laike të shtetit të krijuar një shekull më parë nga themeluesi sekularist modern, Mustafa Kemal Ataturk. Në të vërtetë nuk po diskutojmë për Islamin apo për teologjinë, por për pushtetin dhe ndikimin te të tjerët. Politika në Turqi ka qenë përherë një lojë e ashpër, madje edhe brenda rendit demokratik.
Por, ndërmjet dy grupimeve vërehen dallime të rëndësishme. Erdogani drejton një parti politike, ndërsa Gyleni vepron përmes një lëvizjeje civile të quajtur Hizmet (Shërbimi). Erdogan vjen nga një lëvizje më tradicionale sunite turke e Islamit; ndërsa Gyleni nga një lëvizje apolitike, më tepër sufiste, një traditë mistike dhe sociale. Gyleni është i interesuar për ndryshime të ngadalta dhe thelbësore shoqërore, e cila në thelb ka arsimin e lartë laik; Erdogan si kryetar i një partie politike, para së gjithash, është i interesuar për ruajtjen e pushtetit të partisë së tij dhe vepron në një mënyrë populiste, duke u përpjekur që të rrisë mirëqenien e përgjithshme.
Personalisht besoj se nuk ekzistojnë gjasat që Gyleni të jetë organizatori i përpjekjes dramatike të dështuar për grusht shteti kundër Erdoganit javën e kaluar. Natyrisht, në mungesë të provave, deri më tani askush nuk mund të flasë me siguri. Lëvizja civile e Gylenit ka, ndoshta, më shumë se një milion ndjekës apo simpatizantë, të cilët nuk janë nën një kontroll të centralizuar. Me arrestimin e dhjetëramijëra personave gjatë kësaj jave dhe përdorimin e torturës tashmë të dyshuar, nuk kemi asnjë të dhënë që të mund të dimë se çfarë lloj “rrëfimesh” mund të prodhojnë këto masa. Erdogan kërkon që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta ekstradojnë Gylenin (aktualisht ai jeton në Pensilvani) në Turqi, por Uashingtoni zakonisht nuk i ekstradon figurat politike, duke përjashtuar këtu rastet kur provat e paraqitura në një gjykatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë shumë bindëse.
Më e rëndësishmja, akuzat e bujshme dhe gjithëpërfshirës të Erdoganit ndaj Gylenit duket se nuk kanë baza logjike. Këto për arsyet që do të rendis më poshtë:
Erdogani tashmë ka shkërmoqur në masë të madhe Hizmetin që para tentativës së grushtit të shtetit të javës së kaluar. Ai u zemërua në vitin 2013 në rastin e publikimit – nga pasuesit e Gylenit – të provave të përgjimeve të policisë për korrupsionin e përhapur në rrethin e ngushtë të bashkëpunëtorëve të Erdoganit. Ndërmori një spastrim masiv dhe të vazhdueshëm ndaj anëtarëve të Lëvizjes “Hizmet”, aktivistëve, mbështetësve, zyrtarëve, institucioneve financiare, televizioneve, gazetave, institucioneve arsimore dhe sociale dhe në veçanti brenda strukturave të policisë dhe në rradhët e gjyqësorit. Institucionet e Hizmetit janë shkatërruar. Anëtarët e saj e dinin se baza e tyre ishte goditur rëndë dhe e kuptuan nevojën për t’u riorganizuar si lëvizje, ndoshta duke punuar më ngushtë me forcat liberale, madje edhe me laikët, duke pasur si qëllim ruajtjen e demokracisë dhe për t’u mbrojtur nga një rikthim i influencës dhe pushtetit të ushtarakëve, si dhe për të parandaluar abuzimet si pasojë e zgjerimit të autoritarizmit të Erdoganit.
Gyleni gjithmonë ka mbështetur rëndësinë dhe dinjitetin e shtetit, bazuar në traditën më të mirë të perandorisë osmane. Ai është pozicionuar në mbështetje të shtetit edhe kundër lëvizjeve më të hershme islame, të cilat vinin Islamin mbi shtetin. Madje ai ka qenë i detyruar të mbështesë marrjen në kontroll të shtetit nga ushtarakët në vitin 1980, në mënyrë që shteti të mos shkatërrohej dhe të shmangej një luftë e ashpër guerile dhe civile në rrugët e vendit. Në thelb, megjithatë, ai mbështet demokracinë përkundrejt sundimit ushtarak dhe këtë e vlerëson si një garanci dhe mënyrë më të sigurtë për Lëvizjen “Hizmet” që ajo të ekzistojë dhe të kryejë misionin e saj shoqëror.
Gyleni, edhe javën e kaluar, e denoncoi menjëherë grushtin. Mos vallë e bëri këtë thjesht për t’u fshehur? E pamundur, për sa kohë që qëndrimi kundër dhe mosaprovimi i Gylenit ndaj sundimit ushtarak gjatë viteve ka qenë konsistent. Dhe për më tepër, “Hizmeti” nuk angazhohet në aktivitete terroriste, ndaj dhe mbështetja për përdorimin e dhunës politike në këtë rast është jashtëzakonisht e vështirë për t’u besuar. Akuzat e Erdoganit se “Hizmet”-i është një “organizatë terroriste” janë absurde për këdo që e njeh sadopak Lëvizjen “Hizmet”, duke pasur parasysh theksin e saj të fortë mbi paqen dhe dialogun.
Gyleni argumentoi gjithashtu edhe pamundësinë dhe mungesën e aftësive për të organizuar një grusht shteti të përmasave të tilla në një ushtri, e cila, për dekada me rradhë, ka spastruar rigorozisht ndjekësit e lëvizjes “Hizmet”, duke i nxjerrë ata jashtë strukturave të ushtrisë – dhe, për hir të së vërtetës, edhe të çdo oficeri që shfaqte përkatësi në ndonjë prej besimeve fetare. Inteligjenca turke për vite me rradhë ka ndjekur dhe vëzhguar me kujdes të gjitha lëvizjet e Lëvizjes “Hizmet”, duke grumbulluar dosje masive rreth saj dhe anëtarëve të kësaj lëvizjeje. Atëherë, përse vallë Gyleni duhet dhe mund të zgjidhte një përpjekje për grusht shteti, i cili është në kundërshtim me të në të gjitha pikëpamjet e tij, si dhe ,pse ta bënte diccka të këtillë pikërisht në një moment të një dobësie maksimale përballë Erdoganit?
Udhëheqësit e grushtit të shtetit u vetëquajtën Komiteti i Paqes në Vend. “Paqja në Vend” (Yurtta Sulh) është pjesë e një slogani të famshëm të Ataturkut dhe nuk ka asnjë lidhje me Gylenin.
Është jashtë çdo logjike që të besosh se tani dhjetëramijëra njerëz të spastruar dhe të arrestuar – policë, ushtarakë, gjyqtarë, avokatë, mësues, bankierë, gazetarë – janë të gjithë armiqtë terroristë të shtetit. Duket më se qartë që Erdogan ka gjetur rastin për të eliminuar këdo dhe të gjithë kundërshtarët e planeve të tij për të krijuar një presidencë të re të superfuqishme për veten e tij. Është e sigurtë që Erdogani ka për të gjetur shumë të tillë, madje edhe brenda radhëve të partisë së tij, të cilët kanë frikë nga shtrirja e pushtetit të pakufishëm të tij, megjithëse të frikësuar në heshtje. Gazetarët që dikur ishin objektivë, tashmë i mendojnë me kujdes fjalët e tyre para se t’i artikulojnë.
Dua të jem i hapur – tani është e njohur dhe publiku e di që në pozitat e një individi tëëlire kam shkruar një letër në kohën kur Gyleni pati aplikuar për pajisjen me “green card” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2006, ku pata deklaruar se nuk besoja që Gyleni të përbënte kërcënim për sigurinë e Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo ka ndodhur menjëherë pas publikimit të librit tim me titull “E ardhmja e Islamit Politik”, i cili përfshinte udhëtime të shumta dhe intervista me liderë myslimanë në të gjithë botën. Në këtë kontekst, me rezultonte dhe kisha arritur në konkluzionin se Lëvizja “Hizmet” ishte një lëvizje shumë e moderuar, tolerante, jo e dhunshme, e hapur për dialog; një lëvizje sociale dhe aspak politike dhe një përkrahëse e fuqishëm e arsimit si mjeti mëëi forte për fuqizimin e myslimanëve në një të ardhme të globalizuar.
Por, gjatë viteve të luftës globale të Presidentit Bush kundër terrorizmit, shumë neokonservatorë në Uashington propogandonin deportimin e Gylenit, si dhe të disa qindra klerikëve të tjerë myslimanë, duke i konsideruar ata si kërcënim për sigurinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këto dhe në atë kohë i kam konsideruar si të pabaza. Në të vërtetë, unë ende edhe sot besoj se Lëvizja “Hizmet” është një lëvizje që përfaqëson një nga fytyrat më inkurajuese të Islamit bashkëkohor në botë.
Do të doja që Byroja Federale e Hetimit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjatë shqyrtimit të çështjes së tij, të paktën të njihej me opinionin tim personal rreth tij. Që nga ajo kohë, armiqtë e Gylenit dhe shumë turq me mendime konspirative, vendosën që të bënin lidhjet: fakti që unë isha një zyrtar i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (jam tërhequr nga agjencia para 18 viteve), si dhe fakti dhe që unë isha shprehur në mbrojtje të Gylenit, sipas tyre përbënin “prova” të qarta që Gyleni është një agjent i CIA-s.
Lëvizja e Gylenit nuk mund të mendohet pa gabime. Ai (Gylen) është një figurë e shkollës së vjetër, 75 vjeç, bën një jetë të vetmuar dhe pa shumë kontakte me njerëzit dhe shpesh jo në kontakt me aspektet e përditshme të lëvizjes. Lëvizja “Hizmet” nuk ka qenë një organizatë transparente, prandaj kjo është parë si diccka “e fshehtë” (në hije). Por, në dekadat e fundit, kur anëtarësimi në Lëvizjen “Hizmet” (apo në ndonjë lëvizje tjetër myslimane në Turqi) përbënte bazë për ndjekje penale të mundshme, anëtarët e kësaj lëvizjeje kanë mbajtur një profil të ulët, shpesh duke e fshehur përkatësinë e tyre.
Kjo ndryshoi disi pas ardhjes në pushtet të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim të Erdoganit (e njohur si AKP-ja) në vitin 2002. Shumë anëtarë të Lëvizjes “Hizmet” më pas ishin të lirë aspironin për poste në qeveri (nëse ishin të kualifikuar). Në veçanti, ata kërkonin punë në polici dhe në sistemin e drejtësisë, në një masë të madhe për të siguruar që kompetencat e policisë nuk do të përdoreshin sërish kundër tyre (ose AKP-së), ashtu sikundër kishte ndodhur në të kaluarën. Batica është kthyer dhe Erdogani është tashmë i gjithëpushtetshëm – policët e kontrolluar prej tij po përdoren kundër anëtarëve të Lëvizjes “Hizmet”. Fatkeqësisht, policia ka qenë rregullisht në një gjendje futbolli politik në politikën turke gjatë viteve.
Por në fund, kjo nuk është thjesht politikë. Po flasim për një çështje tejet kritike: çfarë lloj lëvizjeje dhe cila lëvizje do të përfaqësojë të ardhmen e Islamit? ISIS-i? Al Kaeda? Vëllazëria myslimane? Ndërsa lëvizjet islame zhduken, unë do të rendisja lëvizjen Hizmet në krye të listës së organizatave dhe lëvizjeve racionale, të moderuara, në marrëdhënie shoqërore konstruktive dhe mendje hapur. Ajo nuk është një kult; ajo qëndron në mes të rrjedhës dhe pa devijuar aspak punon për modernizimin e islamit.
Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e Erdoganit dikur ishte një model i mrekullueshëm. Cc’është e vërteta, nëse Erdogani do të ishte tërhequr nga politika në vitin 2011, pas shumë arritjesh të partisë së tij, ai, me siguri, do të hynte në histori si kryeministri më i suksesshëm dhe më i rëndësishëm në historinë e Turqisë demokratike. Por, ashtu sikundër ndodh me shumë liderë të tjerë, pas një dekade në pushtet, korrupsioni fillon të përhapet dhe të shtrijë tentakulat e tij, udhëheqësit humbin kontaktet e tyre, izolohen dhe bëhen të etur për pushtet. Erdogani tashmë ka nisur procesin e shkatërrimit të pothuajse çdo gjëje që partia e tij ka arritur dhe ka bërë në dekadën e parë të qeverisjes. Spastrimet e tij gjithëpërfshirëse, frika dhe pasiguria po shkatërrojnë vetë Turqinë.
Si do të përfundojë e gjitha kjo? Është e qartë që Erdogani ka siguruar një fitore bindëse ndaj Lëvizjes “Hizmet”. Por, ai po mbjell tani farën e shkatërrimit të tij. Si dhe mbetet ende e paqartë se kur do të rrëzohet nga pushteti. Ndërkohë, në arenën ndërkombëtare, Turqia po shndërrohet me shpejtësi në një vend pa ndikim. Vetë shteti është viktima e tij kryesore.
*Ish-Zëvendëskryetar i Këshillit Kombëtar të Inteligjencës të CIA-s dhe Autor i “Breaking Faith”.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu