Lidhu me ne

Temporal

20 me 0

Bujar-Nishani-dhe-Edi-Rama-768x558

Në dy vite e gjysmë, kreu i shtetit ka rrëzuar 20 ligje të miratuara nga shumica e majtë. Ndërkohë që në 1 vit e gjysmë të qeverisjes së demokratëve nuk shënohet asnjë ligj i kthyer. Shumica kanë pasur të bëjnë me reformat e ekzekutivit. Asnjë nga ligjet e kthyera nuk është marrë në konsideratë nga mazhoranca, çka tregon se përplasja ka qenë më shumë një betejë e karakterit politik se sa ligjor.

Përplasja e hapur në distancë mes Presidentit të Republikës, Bujar Nishani dhe kryeministrit, Edi Rama, dy javë më parë, ku nuk munguan edhe etiketimet e rënda nga të dyja krahët, është vetëm finalja e një raporti të tensionuar mes qeverisë dhe presidencës, të nisur që me ardhjen e të majtëve në pushtet.

Pavarësisht se 4 vite më parë, socialistët, në respekt të solemnitetit të institucionit të kreut të shtetit, do të bëheshin pjesë e ceremonisë së marrjes së detyrës si President i Republikës nga Bujar Nishani, marrëdhëniet mes tyre kanë qenë vështirë të mbeten edhe institucionale, ku nuk kanë munguar jo vetëm përplasjet verbale, por edhe ato ligjore.

Ndërsa mazhoranca e majtë do të ndërmerrte disa nisma ligjore që do të kufizonin kompetencat e Presidentit, ky i fundit do të kundërpërgjigjej në vazhdimësi me mjetet që kishte në dorë, duke refuzuar një sërë ligjesh të rëndësishme që mazhoranca i ka konsideruar si reforma.

Për rrjedhojë, në vetëm 2 vite e gjysmë, Presidenti i Republikës rezulton se iu ka kthyer mazhorancës, jo pak por plot 20 ligje.

Bëhet fjalë për nismat më të rëndësishme që ka ndërmarrë qeveria e majtë në kuadër të reformave shtetbërëse, siç i quan ajo.

Por, është fakt se asnjë nga ligjet e kthyera të Presidentit nuk është marrë në konsideratë nga mazhoranca, çka tregon se përplasja e tyre ka qenë më shumë një betejë e karakterit politik sesa ligjor.

Dekretet

Beteja e parë mes tyre do të ishte pikërisht për ligjin e “Nëpunësit Civil”, i cili ishte dhe ligji i parë i qeverisë së majtë. Kreu i shtetit refuzoi të dekretojë aktin normativ, me të cilin qeveria ndryshoi ligjin, duke u bërë kështu pjesë e një beteje politike që qeveria kishte edhe me opozitën.

Pavarësisht kësaj përpjekjeje, mazhoranca do t’i rivotonte këto ndryshime në parlament, duke prekur kështu një ligj që vetëm pak muaj më parë ishte miratuar me konsensusin e të dyja palëve.

Beteja e dytë mes Presidentit dhe qeverisë ishte ajo për paketën e ligjeve të forcave të armatosura. Presidenti refuzoi të dekretojë të tria ligjet e kësaj pakete, me argumentin se ato cenonin kompetencat e tij si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.

Edhe në këtë rast, beteja do të përfundonte me rivotimin në parlament dhe ankimimin më pas në Gjykatë Kushtetuese.

Beteja e tretë ka qenë ajo për institucionet e drejtësisë, ku mazhoranca e ardhur në pushtet do të synonte që me anë të disa ligjeve, të zhbënte disa vendime të qeverisjes së mëparshme, për të zëvendësuar disa emra.

Bëhet fjalë për ndryshimet në ligjin “Për Këshillin e Lartë të Drejtësisë” dhe ligjin “Për Shkollën e Magjistraturës”, me anë të të cilëve, të majtët bënë edhe zëvendësimin e përfaqësuesve që zgjidhen nga Kuvendi.

Presidenti refuzoi sërish të dekretonte këto dy ligje, pasi cenonin kompetencat e tij.

Një tjetër ligj i refuzuar dhe që i përket fushës së drejtësisë është ai “Për Gjykatën e Lartë”, me anë të të cilit qeveria u përpoq që të zhbllokojë ngërçin e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë, duke i hequr kreut të shtetit disa të drejta sa i përket përzgjedhjes së kandidatëve.

Por pavarësisht kësaj ndërhyrjeje, situata nuk u zhbllokua.

Një tjetër ligj që kreu i shtetit i ka kthyer qeverisë për rivotim në parlament ka qenë edhe ai “Për Policinë e Shtetit”, ku përfshihej edhe një pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Presidenti argumentoi se “kemi të bëjmë me një strukturë, e cila krijon paralelizma në kompetenca dhe kontradiksion me objektin e veprimtarisë së organit të Prokurorisë dhe Policisë Gjyqësore, për të cilat ka tashmë një kuadër ligjor që e mirëpërcakton”.

Pas refuzimit të mazhorancës për ta korrigjuar këtë ligj, çështja shkoi në Gjykatë Kushtetuese, ku pjesa e Byrosë Kombëtare u rrëzua.

Reforma

Pjesë e listës së ligjeve të kthyera nga Presidenti është dhe ai që në fakt përbën një nga reformat më të thella ligjore të realizuara nga të majtët dhe ka të bëjë me ndarjen territoriale.

Presidenti nuk pranoi ta dekretojë këtë ndarje, ndërsa mazhoranca e rivotoi edhe një herë.

Çështja shkoi në Gjykatën Kushtetuese, e cila la në fuqi ligjin.

Gjithashtu, një tjetër ligj që kreu i shtetit ka kthyer në këto dy vite e gjysmë të qeverisjes së të majtëve, ishte edhe ndryshimi në ligjin “Për huamarrjen”, ku qeveria i jepte të drejtë vetes të merrte më shumë borxh nga jashtë. Beteja e Presidentit me ligjshmërinë e nismave të qeverisë vazhdoi me ligjin “Për Arsimin e Lartë”, “Për Shërbimin me Jashtë”, “Për marrëveshjet ndërkombëtare”, “Për mediat audiovizive”, e një sërë ligjesh të tjera.

Ndaj, jo vetëm për shkak të deklaratave dhe të shkuarës së tij politike, por edhe si pasojë e të gjithë këtyre ligjeve të kthyera, mazhoranca ka vënë në dyshim paanshmërinë e qëndrimeve të Presidentit.

Pa u futur në argumentet ligjore që palët kanë përdorur për kushtetutshmërinë e këtyre nismave, është fakt se ndërsa socialistëve presidenti iu ka kthyer 20 ligje në dy vite e gjysmë, demokratëve në 1 vit e gjysmë nuk u ktheu asnjë ligj.

*Ky shkrim botohet në kuadër të projektit “Udha e Shkronjave” i mbështetur nga qendra UET

 

Ligjet e kthyera

  1. Ligji nr. 161/2013 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 5, datë 30.9.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil””. Nr. Dekretit 8383. Tiranë, më 08.11.2013.
  1. Ligji nr. 45/2014 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, të ndryshuar””. Nr. Dekretit 8566. Tiranë, më 16.5.2014.
  1. Ligji “Për Forcat e Armatosura”.
  1. Ligji nr. 64/2014 “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.
  1. Ligji nr. 59/2014 “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura”.
  1. Ligji “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”.
  1. Ligji “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”.
  1. Ligji “Për Policinë e Shtetit”.
  1. Ligji nr. 97/2014 “Për Shkollën e Magjistraturës”.
  1. Ligji nr. 115/2014 “Për ndarjen administrativo – territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”. Nr. Dekretit 8696. Tiranë, më 22.8.2014.
  1. Ligji nr. 154/2014 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”. Nr. Dekretit 8851. Tiranë, më 19.12.2014.
  1. Ligji nr. 181/2014 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”. Nr. Dekretit 8899. Tiranë, më 16.1.2015.
  1. Ligji nr. 177/2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8588, datë 15.3.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.” Nr. Dekretit 8894. Tiranë, më 9.1.2015.
  1. Ligji nr. 23/2015 “Për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë”. Nr. Dekretit 9043. Tiranë, më 10.4.2015.

15.Ligji nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”. Nr. Dekretit 9206. Tiranë, më 14.8.2015.

  1. Ligji nr. 93/2015 “Për turizmin”. Nr. Dekretit 9205. Tiranë, më 7.8.2015.
  1. Ligji nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”. Nr. Dekretit 9377. Tiranë, më 29.12.2015.
  1. Ligji nr. 22/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”. Nr. Dekretit 9499. Tiranë, më 1.4.2016.
  1. Ligji nr. 19/2016 “Për masat shtesë të sigurisë publike”. Nr. Dekretit 9501. Tiranë, më 4.4.2016.
  1. Ligji nr. 43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë”. Nr. Dekretit 9577. Tiranë, më 5.5.2016./Mapo
Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Radar1 ditë më herët

U hoqën nga gara, por nuk mërziten! Si shprehen socialistët pas publikimit të listës

Me 186 kandidatë do të hyjë në garën e 11 Majit Partia Socialiste. Por si çdo listë edhe ajo mund të...

Mix1 ditë më herët

Ushqimet për një agjërim sa më të shëndetshëm gjatë Ramazanit

Gjatë kohës së vakteve në muajin e Ramazanit, familjet myslimane zakonisht mblidhen për të shijuar vaktin pas perëndimit të diellit...

Mix1 ditë më herët

Mollët, portokalli dhe kivi, frutat më të mira për mëngjes dhe përfitimet e tyre për shëndetin

Studime të ndryshme kanë treguar se ngrënia e mëngjesit mund të ndihmojë në stimulimin e metabolizmit. Një mëngjes i shëndetshëm...

Mix1 ditë më herët

Rihanna vesh xhinset $1,200 të Kendrick Lamar

Mesa duket, Rihanna ‘is like us’. Një muaj pasi Kendrick Lamar bëri bujë me performancën e tij në “Super Bowl...

Mix1 ditë më herët

Si të humbasësh peshë duke ecur! Këshillat për një rezultat të shpejtë

Për të mbajtur një trup të shëndetshëm mënyrat e duhura janë vetëm dy, aktiviteti i vazhdueshëm fizik dhe regjimi i...

Radar1 ditë më herët

“Lista e PD me një grusht servilash”, Basha – kolegëve demokratë: I paralajmërova, i ftoj të na votojnë ne! U bënë pishman për mumifikimin e partisë

Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë dhe njëkohësisht drejtues i Koalicionit Euroatlantik në zgjedhjet e 11 majit, Lulzim Basha, i bëri thirrje...

Aktualitet1 ditë më herët

PD dhe PS nxjerrin emrat kandidatëve që do përballen në zgjedhjet e 11 majit

Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë vendosur emrat e kandidatëve për deputetë të cilët do kandidojnë në zgjedhjet e 11...

Kryesore1 ditë më herët

Të zhgënjehesh nga Berisha në vitin 2025?

Dhe nëse dikush priste që ai do të luante ndryshe këtë herë, atëherë problemi nuk është Berisha – problemi është...

Aktualitet3 ditë më herët

Ben Andoni: Rama po përgatitet për republikën presidenciale

Kryeministri Edi Rama tha së fundmi se ka mundësi që të mos jetë më në listën e deputetëve. Kjo ka...

Radar3 ditë më herët

Eksodi i “diplomave”, në 2023 u diplomuan rreth 12 mijë studentë më pak se në 2019!

Eksodi i diplomave nuk ka të ndalur, teksa në bankat dhe auditore ka gjithnjë e me pak studentë, sot çka...

Facebook