Kadareja nuk e njeh më shtëpinë e tij, pas rikonstruksionit të bërë nga Bashkia e Gjirokastrës. Ajo çfarë ka parë Kadareja nga banesa e tij tre katëshe në lagjen “Palorto”, nuk i përngjante aspak strukturës origjinale të godinës ku u lind dhe u rrit.
Ndonëse nuk ka pranuar fare të japë opinion për interesin e treguar nga mediat e pranishme, u duk qartë se shkrimtari Kadare, nuk i ka pëlqyer aspak ndërhyrjet që ka bërë Bashkia e Gjirokastrës në godinë.
Shenjat e pakënaqësisë së Kadaresë janë shfaqur dukshëm në fytyrën e tij e cila ka treguar se nuk i pëlqente aspak ndërkohë që nuk i ka bërë përshtypje kjo gjë kryetares së Bashkisë, Zamira Rami, e cila përgjatë gjithë kohës, qeshte dhe mbante në dorë, xhaketën e Kadaresë.
Kadare ka ardhur në banesë, i shoqëruar nga Muntaz Dhrami, bashkëshortja e tij dhe miq ndërkohë që në mënyrë simbolike, i’u dhurua celësi i shtëpisë që vetë Kadare, i’a ka falur shtetit për t’a shndërruar në një qendër të rekreativitetit kulturor.
Në shëtitjen që ka bërë Kadare së bashku me zonjën e tij në dhomat e banesës, ai ka shprehur pakënaqësinë për ndërhyrjet që janë kryer nga Bashkia e Gjirokastrës si për shkallët të cilat janë të drunjta ndërkohë që në versionin origjinal ato ka qenë të gurta, si dhe elementë të tjerë të cilat nuk i janë përafruar aspak banesës së dikurshme e cila u shkrumbua nga një zjarr i rastësishëm nëntorin e vitit 1999.
Kadare, më pas, është takuar me një grup studiuesish dhe përkthyesish të huaj që janë marrë me përkthimet e veprave të tij, takim ky që është organizuar pa praninë e mediave.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu