Lidhu me ne

Kryesore

Erdoan jeton në një botë lajkatarësh e çanaklëpirësish

Erdogan

Nga Enver Robelli

Rexhep Taip Erdoani është një burrë prej Turqie të cilit shpejt i prishet hatri. E kur i prishet hatri atij, atëherë duhet të dridhet toka. Për shembull Rexhës dhe Taipit të Turqisë i prishet hatri kur një gazetar e kritikon politikën e tij, kur një gazetë zbulon se pushteti i tij – qe besa – ka lejuar luftëtarët e milicisë terroriste “Shteti Islamik” ta shfrytëzojnë Turqinë si prapavijë të sigurt për të depërtuar në Siri, por më së shumti presidentit të Turqisë i acarohen nervat kur mediumet zbulojnë se shërbimi sekret turk e ka furnizuar me armë “ISIS-in” e shefit të “kalifatit” Abu Bakr al-Bagdadi.

Gazeta “Cumhuriyet” ka bërë një zbulim të tillë dhe kjo pati pasoja të rënda për kryeredaktorin dhe korrespondentin nga Ankaraja: të dy kanë përfunduar në paraburgim, ndërkohë që pasi janë liruar këto ditë ka filluar procesi gjyqësor kundër tyre. Këta gazetarë nuk janë të vetmit që janë gjendur në shënjestër të autoriteteve turke. Republika e Turqisë është shndërruar në ferr për lirinë e shtypit. Kush raporton për korrupsion, keqpërdorime, krime, vjedhje, plaçkitje nga ana e regjimit të Erdoanit – ai rrezikon të përfundojë në qeli dhe të durojë kërcënimet e presidentit turk nga pallati i tij i ri me njëmijë dhoma.

Erdoan duket se ndihet mjaft i fuqishëm për të atakuar edhe mediumet perëndimore. Para pak ditësh korrespondenti i revistës gjermane «Der Spiegel» u largua nga Turqia pasi autoritetet nuk ia vazhduan akreditimin. Gazetari kishte shkruar disa tekste kritike kundër pushtetit të Erdoanit dhe mori shumë kërcënime, mes tjerash edhe mesazhe si ky: «Nëse të shohim në rrugë, do të presim në fyt». Erdoan është zemëruar edhe me një këngë humoristike të një kanali televiziv gjerman. Ministria e Jashtme e Turqisë menjëherë pas emetimit të këngës ka ftuar në bisedë ambasadorin gjerman, i cili i ka shpjeguar palës turke se liria e shprehjes dhe liria e mediumeve në Gjermani është e garantuar me ligj.

Kanali televiziv gjerman është kundërpërgjigjur me satirë therëse duke e shpallur Erdoanin «punëtor të muajit».
Por Erdoan nuk ndalet. Javën që shkoi ai vizitoi Washingtonin, ku mori pjesë në një konferencë për çështje atomike. Në kryeqytetin amerikan truprojat e Erdoanit u përpoqën të merrnin ligjin në duar: ata sulmuan dhe tentuan ta largojnë një gazetar nga salla e institutit politik Brookings, ku Erdoan mbajti një fjalim. Gazetari ishte i afërt me teologun Fethullah Gülen, një ish-bashkëpunëtor i Erdoanit dhe tani kundërshtar i tij i ashpër. Gülen jeton në SHBA. Truprojat e Erdoanit po ashtu u përplasën me demonstrues kurdë në Amerikë.

Qeveria amerikane (ashtu si ajo gjermane) është e brengosur me shndërrimin e Erdoanit në autokrat të pamëshirshëm. Këtë Washingtoni po përpiqet t’ia bëjë me dije Erdoanit. Presidenti turk kishte kërkuar që Barack Obama ta shoqëronte në hapjen e një xhamie në Maryland. Por Shtëpia e Bardhë theksoi se Obama kishte obligime të tjera. Kjo është një shuplakë për Erdoanin. Por ai zor se do të bëhet merak për këtë. Shtetet perëndimore po ngurrojnë të marrin masa të ashpra kundër tij për shkak se janë të varura nga bashkëpunimi i Turqisë në zgjidhjen e krizës së refugjatëve.

Turqia ka pranuar 2,5 milionë sirianë dhe që nga shpërthimi i konfliktit në Siri më 2011 ka bërë shumë pak për të penguar valën e refugjatëve drejt Evropës Perëndimore. Së fundi Qeveria e Ankarasë ka lidhur një marrëveshje me Bashkimin Evropian, në të cilën pala turke obligohet të pranojë kthimin e refugjatëve nga Greqia – me kusht që BE për çdo sirian të kthyer në Turqi të pranojë një sirian të strehuar në Turqi.

Nëse Evropa e zemëron Erdoanin me kërkesa aq të tmerrshme siç janë respektimi i të drejtave të njeriut dhe garantimi i lirisë së shtypit, atëherë presidenti turk mund të tërhiqet nga marrëveshja dhe të vërshojë Evropën, përmes Ballkanit, me valë të reja të refugjatëve. «Ne në çdo çast mund t’i hapim portat drejt Greqisë dhe Bullgarisë dhe t’i fusim refugjatët në autobusë». Kështu iu kërcënua Erdoani shefit të Komisionit të BE-së, Jean-Claude Juncker, gjatë një takimi nëntorin e kaluar.

Erdoan ka merita të mëdha për zhvillimin e Turqisë, por sa më shumë ka zgjatur qëndrimi i tij në pushtet, aq më autoritar është bërë. Dikur ai ishte një besimtar i devotshëm (ose së paku e luante mirë këtë rol), ndërsa tani ai është një islamik agresiv që synon ringjalljen e Perandorisë Osmane, duke hedhur shikimin si në drejtim të botës arabe ashtu dhe nga trevat ballkanike të banuara me myslimanë.

«Demokracia është vetëm tren në të cilin ngjitemi derisa të arrijmë në cak». Kështu kishte thënë Erdoan dikur. Cili është caku? Një kalifat islamik? Suspendimi i demokracisë? Shtypja e mendimit të lirë? Shkelja e të drejtave të njeriut? Dominimi i burrave? Tallja me gra? (Erdoan së fundi tha se rolin e gruas e sheh në radhë të parë si nënë). Rolin e dhëndrit po ashtu e ka të qartë Erdoani: dhëndri i tij së fundi është emëruar ministër, ndërsa ish-shoferi i Erdoanit ka zënë vend në parlament. Ky është nepotizmi postosman, i cili më gjerësisht përshkruhet në numrin më të ri të revistës gjermane «Der Spiegel».

Si të gjithë autokratët, edhe Erdoan jeton në një botë lajkatarësh e çanaklëpirësish. Së fundi, siç shkruan «Der Spiegel», një politikan i ri i partisë së Erdoanit AKP publikoi në Twitter një fotografi të një gote të ujit. Këtë fotografi ai e shoqëroi me këto fjalë: «Kjo është gota prej së cilës piu ujë presidenti ynë, ndërsa po mbante fjalim». Ky është humor i pavullnetshëm.

Ndërkaq, humor i vullnetshëm është ky që hodhi në eter emisioni humoristik «heute-show» i ZDF, kanalit të dytë të televizionit publik gjerman: pasi e thirri ambasadorin gjerman për të protestuar kundër satirës së një kanali televiziv gjerman, Erdoani tani e ka ftuar edhe hënën e plotë në bisedë informative që të protestojë «për shkak të njollosjes së flamurit turk». Hëna në flamurin turk është e shenjtë, por nuk është e plotë!/Koha Ditore

 

Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Mix1 ditë më herët

Vogue kritikon ashpër portretin zyrtar të Melania Trump në Shtëpinë e Bardhë

Pasi kaloi katër vitet e fundit duke lëvduar ish-Zonjën e Parë Jill Biden dhe ish-zv/presidenten Kamala Harris, të cilat kanë...

Kryesore1 ditë më herët

Fotot pikante nga ceremonia e lamtumirës së Janullatosit, Rama dhe Berisha ‘në siklet’ me njëri-tjetrin

Rama, Mitsotakis, Berisha Nuk dihet çfarë parashikonte protokolli, por Sali Berisha është ulur ditën e sotme në krah të kryeministrit...

Radar1 ditë më herët

Ku e merr “bukën” Shqipëria?

Varësia e Shqipërisë nga importi i drithërave duket se është reduktuar në vitet e fundit pasi vihet re një rënie e...

Mix1 ditë më herët

Toyota dominon tregun për të pestin vit radhazi, mbetet numri 1 në botë

Toyota Motors ka shitur 10.8 milionë automjete në vitin 2024, duke mbetur prodhuesi më i shitur i automjeteve në botë...

Radar1 ditë më herët

Historia e fotos me Linda Ramën, Ilir Demalia: Jemi kushërinj!

  Ilir Demalia ka reaguar sot në lidhje me një valë komentesh në rrjetet sociale pas një fotoje të tij...

Radar1 ditë më herët

Zhvendosja e palestinezëve, një manovër e Trump kundër Netanyahut?!

Donald Trump ka përsëritur edhe njëherë idenë e tij të dëbimit të palestinezëve nga Gaza dhe vendosjen e tyre në...

Mix2 ditë më herët

Pasuria neto e Barron Trump, djali më i vogël i Presidentit

Barron Trump, djali i fundit i ish-Presidentit Donald Trump, ka një pasuri neto prej 76 milionë eurosh, sipas raportimeve të...

Mix2 ditë më herët

Kolesteroli shumë i ulët në gjak – Rastet kur është shqetësues

Për problemet me kolesterolin me siguri keni degjuar dhe lexuar me qindra artikuj, e kryesisht ato për kolesterolin e lartë....

Mix2 ditë më herët

6 arsye të forta se pse duhet të hani sa më shumë dardha

Dardha ka përfitime të shumta për organizmin. E pasur me vitamina, ajo promovon një dietë të shëndetshme dhe të ekuilibruar....

Mix2 ditë më herët

Si të forconi kockat natyralisht, zgjidhjet që ju duhen

Kockat e forta janë kryesore për shëndet të mirë dhe rezistencë të trupit. Gjithësesi për shumë njerëz mbeten një sheqetësim...

Facebook