Lidhu me ne

Kryesore

Pastruesja në Pukë: Si u dashurova me Migjenin

Nuk është nevoja të jesh poet për t’i shfaqur botës një dashuri të madhe. Mjaftojnë edhe ato psherëtimat e mbytura, për të cilat nuk gjen dot asnjëherë fjalët e duhura. Me fraza si këto me siguri që zhyteni menjëherë në libra dhe mirë bëni, sepse dashuri si kjo, që do t’ju tregojmë më poshtë, nuk vijnë më.

migjeniMadje, për shkak se flitet për Migjenin, duket sikur është një nga krijimet e tij, por jo, ai kishte ikur për fare kur vajza, më pas gjyshe, e historisë, xhelozohej e grindej heshturazi me posterin e Greta Garbos në dhomën e mësuesit të saj, Migjenit të saj, prej të cilit ruajti gjithmonë një kujtim, atë që e shponte më tepër, Greta Garbon. Mundet që ende sot, në Pukë, të gjenden njolla të asaj dashurie.

Të gjendet, për shembull, ndonjë copë letre e zverdhur prej posterit, në rast se gjyshja nuk ka lënë amanet ta marrë me vete… Gjenden me siguri njerëz që kanë njohur gjyshen, që pati njohur e dashuruar Migjenin… Por sot nuk shkon më askush atje. Kanë ikur edhe ata që kanë qenë. Edhe Roland Gjoza kur shkoi, ishte i detyruar sepse e emëruan si mësues dhe nuk mund t’i kundërvihej kohës, por me siguri do të ishte larguar, do të kishte bërë ndonjë nga ato marrëzitë e rinisë së tij dhe do të ishte larguar.



Të mos ishte për ajrin migjenian të Pukës, do ta kishte gjetur zgjidhjen, edhe sikur të përfundonte në burg. Vetëm ai e mbante, ai dhe historitë që i tregonin të panjohurit e rastësishëm rreth tij. Duket sikur nuk i kërkonte, sikur gjithçka i dilte përpara syve vetë. Kuptoi më vonë që ishte pikërisht në kërkim të gjithçkaje që dëgjoi, që çdo detaj i jetës së një të riu mësues, vdekur në moshën që ai kishte ardhur mësues në Pukë, zhurmonte në fshat enkas për të.

Sa vite e sa jetë ka mbushur Gjoza me ato kujtime… I shkruan një nga një atje në Nju Jork, ku jeton prej vitesh. I dalin përpara syve rrugëve të Manhatanit a kudo tjetër ku e çon jeta e harlisur e një vendi aq të madh. I fanitet në metro, nëpër “billboard”-e të ndriçuara, nëpër këpucë të lustruara…

KUSH ESHTE ROLAND GJOZA DHE SI U BE ADHURUESI I MIGJENIT

Kam qenë mësues në Pukë, në vitet ’74-’82. Një djalosh kaçurrel nga Tirana, që pat botuar një libër me lirika në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare, kur ishte ende në shkollën e mesme. Ndoshta pak mendjemadh. Siç është mosha e adoleshencës kur ke sukses në një dashuri me një vajzë të bukur që bën spikame, apo në art.

Roland Gjoza
Roland Gjoza

Isha në moshën e Migjenit, poetit që e adhuroja, kur shkruante kryeveprat: “Të korrat”, “Legjenda e misrit”, “Bukuria që vret” etj… Nuk po e duroja dot atë qytet të ftohtë e të largët dhe doja të ikja, le të më fusnin në burg, veç të ikja në Tiranë, ku kisha familjen e të mos kthehesha më. Nuk i duroja privacionet. Por, kishte një gjë që më mbante, atje ishte Migjeni. Ndoshta kjo duket disi e çuditshme, por isha në kohën e shpirtit, kur je lëndë eterne dhe s’di ç’të kanoset. Mblidhja në një fletore aritmetike, me kutia, nuk e di përse e bëja këtë brenda atyre kutive, që më kufizonin, si një dhimbje, tërë ato mbresa e fakte që lidheshin me Migjenin.

Ashtu mbetën, si në një shtrat Prokusti, plot tharme tregimesh, gjithashtu dhe ky, mbi të cilin u shkruan këto radhë. Atje, në atë trevë, fshihen, si pas një sipari teatri, tërë ato hollësi brilante që farkëtuan talentin e madh të Migjenit, një furi hyjnore që erdhi nëpërmjet dhimbjes, pamjes së mjerimit të skajshëm, si dhe shkaqet e vërteta që e çuan në vdekje të parakohshme. Shumë gjëra nuk shpjegohen. Këto janë misteret e artit. Migjenin e kemi parë në profil.

Migjeni e mori me vete Migjenin. Herë-herë i rikthehem, si një perëndie, këtij gjeniu të ndërprerë, dhe prej atyre kutive në atë fletore që është zverdhur, nxjerr ndonjë shkëndijë të jetës së tij të brendshme, siç është edhe kjo. Ato shkallë të muzeut, që ishte shkolla ku dha mësim, ishin si ajo pjesë e pentagramit bethovenian ku u hodhën notat e trokitjes së fatit te simfonia e pestë.

Ulesha shpesh te ato shkallë dhe shikoja yjet dhe, atë natë, e cila nuk më shqitet nga memoria, mbi mua vezullonte ylli Mars. Atë e mori lufta, ishte hero i Marsit të letrave. Le të ulesha unë atje, apo dikush tjetër, ai kishte lindur nën yllin Mars, me jetë aq të shkurtër, por me lavdi të përjetshme si çdo hero. Kushdo tjetër ishte veç adhurues i tij.

GRETA GARBO DHE PASTRUESJA E MIGJENIT

Nga ROLAND GJOZA

Tetë vjet në Pukë, në moshën më të bukur, 24 vjeç, me një libër me poezi të botuar 18 vjeç, me një mallkim, thuaj më mirë. Puka, një qyet 840 metra mbi nivelin e detit, me një rrugë të vetme, që përshkohej për pesë minuta, me pesë kafene, tre restorante, një berberhane, një kinema, një muze, ai i Migjenit. Nuk po zgjatem shumë, se pikërisht këtë doja të spikatja, muzeun, ish-shkollën, ku kish dhënë mësim Migjeni, që tani i binte të ishte në një moshë me mua.

Dy a tri shkallë kishte ajo shkollë ku ulesha nganjëherë, përgjithësisht në muzg, kur dilte hëna, apo kur binte borë dhe vetmia ndjehej më shumë. Atje brenda ishte dhe ajo kinse dhoma e përshtatur për poetin, ku kishte një krevat, një pasqyrë, një raft të vogël, një tavolinë, një karrige, një dollap për rrobat, dhe aty në mure ishte Çarli Çaplini dhe Greta Garbo, në korniza të praruara, me gdhendje, po ishte dhe një gozhdë për peshqirin që ndërrohej shpesh. Te xhami i dritares fëshfërinte dhe kërciste ndonjë degë, qershia, që atij i jepte një ngushëllim të çuditshëm.

Aty në atë dhomë mësova prej Daves, nxënëses time, se gjyshja e saj shkonte dhe e pastronte atë dhomë, madje një detaj që më bëri fort përshtypje, u ruajt gjatë në kujtesën time dhe nuk u shënua askund, si prej pengimit të një dhimbjeje. Ishte poeti më i madh për mua dhe fakti që vdiq aq i ri, sikur më bënin me turp. Nuk e di pse e kisha këtë ndjesi.

Ndoshta ngaqë e kalova moshën e tij dhe s’vuaja nga ndonjë sëmundje vdekjeprurëse. -Është gjallë gjyshja? -Po mësues, doni ta pysni për diçka, patjetër! Ishte një e moshuar e rrëgjuar, me një shkop në dorë, e përthyer pothuaj, sikur bëhej gati të nisej për poshtë, me një pengim prej Daves. Kështu besoja.

Atë mbesë kishte, atë fillikate, siç shprehej me një aht zemërndrydhës që Zoti s’e kish bërë me shumë mbesa e nipa. “Më tha Abdullahu që t’i pastroja dhomën se do të vinte në pranverë. Ç’me pastrue, ajo ishte borë si bora e parë. E kish pastrue vetë para se me shkue, veç sa ia kam përkëdhelë teshat; nji kostum dopio petë për ceremoni, dy kravata të kuqe, dyzina me shami mëndafshi që vijshin erë me të turbullue… një palë këpucë fringo të reja, veshë a jo dy tri herë, këpucë shollet, e ç’me kujtue tjetër… pastër, pastër, si me hy në nji dhomë të porsa martuemish…

Greta Garbo
Greta Garbo

U ula te karrigia, e papritur pashë veten në pasqyrë! -Ku-ku, thashë, e më erdhi për të qeshë. Ishte marre, me pa veten ashtu zhelamane. E vetmja që s’shkojsha në atë dhomë. Vesh pa vesh, zdrale pothuej, po veç e bukur kam kenë. E them për herë të parë, mësues, se ti m’kupton… Në atë kohë s’duhet me e ditë se ishe e bukur se të hajshin dreqnit! Milloshin, pse me e mohue, e kam dashtë me loçkë të zemrës. E kam dashtë! E pse me e mshef? E kuptova që edhe ai m’simpatizote, ashtu kinse po më falënderonte, anipse e dijsha se po turbullohej fort…

Isha vetëm, kuptohet, kisha kureshtje me dijtë për intimitete… Brekët, ia pashë, dhe ato të palosuna, tutlue me parfum, nji cen s’i dallojshe, ishin përdore a jo… M’lëndoi kjo, a ish femën a mashkull… se isha mësue me i gjetë teshat e burrit të shkoklueme, hidh e prit andej e këndej. I pashë letrat, i preka nji stilograf, me nji majë prej florini, kështu mu duk, dhe ajo letra që i preka, qe tjetërlloj e i lexova diçka, nuk e harroj, shkruante: Abdullah, thuej të ma pastrojë mirë…

Ishte për mue! Po unë dijsha me e lexue ndryshe; thuaj me mi prek… A ishte vërtet kjo? E marume kam qenë, e lanme krejt… uhf! Tash po i them, e tu ia prekë teshat, zene se e preka atë! Pastaj shkrute: Do ta shpërblej! Kjo m’vrau, s’kërkojsha pare prej tij, po veç një vështrim e aq zemra jeme bahej zog. Tash e kisha qyqe! Më kishin thanë se ishte shtrue në një sanatorium të Italisë se vuante prej mushknive…

Si iu ka mush ajo qershia te dritarja, sa herë vinte pranvera me drandofille, se shpesh e shifsha atje tuj mendue, me ndoj lule në dorë! Erdhe? Më thoshte buzagaz me ato mustaqe spicë e me synin zjarr. Donte me u çue me më dhanë dorën e unë s’e lajshe. I qeshsha dhe unë me nji gaz që ate e ka habitë. Ia hyjsha me themel asaj dhome, po ç’me i hy, ju thashë, zotni, aty sikur kishin kalue natën e parë dy të porsamartuem…

Kur e gjejsha vetëm në dhomë, më zgjaste dorën që e kishte përherë të nxehtë e më afrote me dashni, po jo me të keq, se kështu bante dhe me njerëzi, po ma vonë nuk e bante ma, qysh atëherë kur i lajsha kravatat dhe këmishat me njolla gjaku, vuente i shkreti, ishte sëmundë. Përherë më jepte ka i diçka, edhe pare më ka dhanë, për me ble dru e pishë për zjarrm. Unë i blejsha për nxanësit e për të e ai e dinte këtë, po s’bezajtte. Ma vonë mora vesh se ai vdiq.

Një ditë Abdullahu më takoi e më dha paret. Ç’janë këto? I thashë. I ke për atë ditë që i pastrove dhomën! Të ka shënue edhe ty në këtë listë që më erdhi me postë. S’ka lanë asnji borxh pa shly… merri, kush nuk ka nevojë për pare? E ç’i bana do të thush ti, mësues! I bleva qirinj e u luta për shpirtin e tij, për atë fatzi, që më la në shpirt nji kujtim shumë të bukur. Ishte për t’u dashtë! Ia kam rujtë atë dhome për nji kohë, se Abdullanë e transferuen dhe drejtori i ri, ishte krejt ndryshe, nuk i hyjshin në sy hollësina të tilla, kisha frikë se po vijshin dorë mbi rrobat e tij, i futa në nji arkë e i çova në shtëpinë teme e kur erdhën motrat, ua kam ngarkue deri te makina, veç Greta Garbon nuk ua dhashë, atëherë nuk e dijsha se ishte aktore, kisha xhelozi për të e nuk ua dhashë, po s’i bana gja, as e hupa, as e grisa, po e kam fshehë…

E kishte nji të dashtun aq të bukur e aq… e shikojsha kaiherë, e shikojsha e thojsha se shkojshin bashkë! Kur mora vesh se ajo ishte aktore dhe ai e pëlqente fort, m’u këputen do tela këtu mbrenda, kam qeshë e jam mahitë me veten.

Ca gjana u kthyen prap e ca të tjera mbetën në shkollë, e dolën kur u hap muzeu, e unë jam paraqitë në Komitet e kam thanë; mos caktoni pastrues në muze, e baj unë pa pare, dhe e bajsha këtë punë për qejf, vetëm prej asaj dhome ku kam provue ndoca ndjesina të mshefta. Po Greta Garbon nuk e dhashë, e kam respektue, ishte gruaja e tij e andrrave, se ai s’pati grue!

Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Mix5 ditë më herët

Elon Musk: Mos dhuroni më asnjë qindarkë për Wikipedia, kontrollohet nga ekstremi i majtë

Elon Musk, i ka bërë thirrje publikut që të ndalojë së dhuruari për ‘enciklopedinë’ e internetit Wikipedia, duke e akuzuar...

Mix5 ditë më herët

Si e dekoroi Kendall Jenner shtëpinë për Krishtlindje

Dashuria e Kendall Jenner për Krishtlindjen vjen nga nëna e saj Kris Jenner. “I jap shumë meritë nënës sime për...

Radar5 ditë më herët

“Na duhet aleancë kundër krimit, korrupsionit, drogës dhe mafias. Në Itali nuk e bëri veç drejtësia”

Dom Gjergj Meta “Duhet të bëjmë një aleancë qytetare kundër krimit, korrupsionit dhe mafies”. Kështu u shpreh Dom Gjergj Meta,...

Radar5 ditë më herët

Ekonomia po rritet pa konsum

Në 3-mujorine e tretë, kur turizmi ishte në kulmin e tij konsumi final i popullatës u rrit me vetëm 0.8...

Mix5 ditë më herët

VIDEO: Kërcimi viral i Donald Trump për Krishtlindje

Donald Trump priti Krishtlindjet në pronën e tij në Mar -a – Lago ku mblodhi familjen e madhe. Show-n e...

Mix6 ditë më herët

Sam Altman kundër Elon Musk: “ai është një bullizues, i pëlqen të debatojë me njerëzit”

Dihet mirë se marrëdhëniet mes Sam Altman dhe Elon Musk nuk janë idilike dhe përgjigja e OpenAI për Musk e...

Mix6 ditë më herët

“La Palma”: Seriali i ri në Netflix që po thyen rekorde shikueshmërie

Shikuesit besnikë të Netflix janë shumë të emocionuar për serialin e ri “La Palma”, i cili përshkruhet nga shumë njerëz...

Mix6 ditë më herët

100 christmas wishes for friends and family

Best Christmas Wishes, Sayings and Greetings To Write in Christmas Cards 1. Merry Christmas! I hope you receive one blessing after...

Mix6 ditë më herët

Krishtlindje: sugjerime filmash për një atmosferë magjike!

Krishtlindjet janë koha e përsosur për të shijuar disa filma klasikë që përcjellin mesazhe të ngrohta, dashurie dhe miqësie. Filmat...

Radar6 ditë më herët

Presidenti Donald Trump do të përballet me një Phenian ndryshe gjatë mandatit të dytë!

Në mandatin e tij të parë si President i Shteteve të Bashkuara, Donald Trumpi forcoi sanksionet ekonomike kundër Koresë së...

Facebook