Kioske
T’dheftë moca ato mysteqe
Është e Dielë dhe për çudi çdo të dielë të kujtohen gjyshet. Ndoshta kur ikin nga kjo botë, të zbrazin disi të Dielën.
Por kam një shkas përtej së Dielës që ta kujtoj prapë sot gjyshen time, moma Fetin. Nesër është Dita e Verës. Dhe mbaj mend që sa herë avitej kjo ditë (qysh se mbaj mend veten e tradicionalisht), ne të dyja këndonim një këngë. Si rit! Moma Feti thoshte se kjo këngë ishte shumë e moçme dhe se asaj ia kishte kënduar gjyshja e vet nga Priska e Tironës, dhe katragjyshes poashtu gjyshja e vet.
Dhe mbasi e këndonim të dyja këtë këngë, kapur përdore në oborr, moma Feti pastaj na bënte për drekë byrek me hislla (hithra). Edhe ca fshikje kërcijve me hislla se thoshte që kështu nis del dimri nga trupi.
Unë vijoj e këndoj me fëmijët e mi këtë këngë të breznive të mia! Për dashni të gjyshes sime, për mua ajo mbetet “forma mentis”, poedhe për respekt të traditave të mia.
E tash po jua sjell këtu më poshtë këtë këngëz. Melodinë përfytyrojeni vetë: e ka të thjeshtë, gati në kufijtë e recitimit, si të gjitha këngët rituale popullore. Dhe hyftë e mbarë Vera!!!
“U rrit bari i tokës / Fojti gjijt e lopës / Ishte lopa barrse / Barrse manarse / Fryjti era kacakeqe / T’dheftë moca ato mysteqe”
Të Dielë të paqtë uroj!
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu