Aktualitet
Siria drejt ndarjes
Njësoj si në rastin e Libisë, kur pas rënies së Moamer Gedaffit, nisi publikimi i hartave të ndarjes, edhe për Sirinë e përgjakur, ka ardhur koha e ideve të tilla. Në një opinion të publikuar në “Foreign Policy”, ish-komandanit suprem i NATO-s, gjenerali James Stavridis, propozon ndarjen, pasi siç e shohin të gjithë “asgjë nuk ka mbetur më nga Siria e dikurshme”. Të dhënat e luftës flasin qartë: 500 mijë të vdekur deri më tani që është 2.5% e popullsisë së para luftës. Afërsisht 50% e popullsisë është zhvendosur.
“Është e vështirë të mendohet për një katastrofë të ngjashme që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore”, shkruan Stavridis. Ndarja aktualizohet edhe nga fakti se aktorët kryesorë në plojën siriane nuk bien dakord për termat e zgjidhjes: SHBA dhe Rusia nuk janë dakord për fatin e presidentit Bashar al – Assad, Arabia Saudite dhe Irani janë të izoluar në një luftë gjeopolitike në rajon ku Siria është pika zero; Rusia dhe Turqia kanë kundërshti të mëdha për çështje taktike dhe strategjike. “Çfarë është e qartë përherë e më shumë, në mes të kësaj mizerjeje është se Siria si komb sa vjen e ngjan si fiksion…Shanset që Siria të rikthehet sërish si një entitet funksional janë shumë të ulëta. Është koha të merret në konsideratë ndarja”, propozon ish-komandanti i NATO-s. Sipas tij vendimi ka rreziqet e veta, por ai duhet shtruar për diskutim në Gjenevë(http://foreignpolicy.com/2016/03/09/its-time-to-seriously-consider-parti…).
Ndarja eventuale kalon nga ndasitë fetare, ato që kanë përshkuar vendin gjithë kohës: një rajon alavitësh rreth Damaskut që drejtohet nga regjimi i Assadit, një copë për sunitët, që “duhet të jenë të moderuar” dhe në finale sipas Stavridis, më kontroversalja mund të jetë edhe ideja e një enklave kurde në Lindje. Model këtu shërben Ballkani: ose ndarje e plotë si ish-Jugosllavia, ose federatë si Bosnje-Hercegovina. Mendimi se pas Sirisë i vjen radha Irakut, për Stavridis mund të neutralizohet me pasuritë e mëdha të naftës dhe gazit në Irak, çka nëse vihen në punë, do të zbusnin kërkesat për shkëputje. Ky propozim do të kërkonte misione ndërkombëtare për garantimin e funksionimit, njësoj si në Bosnje, çka në themel është një ide për dakordësi mes Rusisë dhe SHBA-së, secila e interesuar që ngjarjet të mos përcaktohen nga luftimet në terren.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu