Temporal
50 fakte nga jeta e Ramiz Alisë dhe misteret që mori në varr
Udhëheqësi i fundit komunist, Ramiz Alia është një nga personazhet me kompleks të historisë së Shqipërisë. Njeriu që jetoi në tre epoka të rëndësishme të historisë sonë do të jetë për një kohë të gjatë objekt i studimeve të historianëve të këtyre 70 viteve të fundit. Alia lindi në kohën e Ahmet Zogut, u bë protagonist gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishte një udhëheqës në hije gjatë viteve të para të komunizmit, arriti të bëhej krahu i djathtë i Enver Hoxhës. Më pas mori drejtimin e shtetit pas vdekjes së Hoxhës, dhe me ndryshimin e sistemit iu desh të jetonte disa kohë në burg e më pas derisa vdiq u tërhoq tërësisht nga jeta publike.
Është cilësuar si një kuadër me të ardhme, është cilësuar si një ministër i qëndrueshëm, është cilësuar një byroist konsekuent, është cilësuar si pasuesi më i denjë i Enver Hoxhës, por edhe është akuzuar për prapaskena me krahasimin Jago, liberalizëm me krahasimin Gorbaçov, e deri tek shkaktar i kaosit të vitit 1990-1991, ai pothuajse është nga të vetmit personazhe që i ka provuar të gjitha. Një jetë e tërë e mbushur me ecejake, ulje-ngritje, që, nëse vihen në kandar çdokush mund të dallojë vetë se kush ishte Ramiz Alia. “Tirana Observer” nuk është munduar të shkruajë historinë e jetës së tij në mënyrë definitive, por mbi bazën e fakteve dhe ngjarjeve, sjell portretin e tij në 50 fakte që vijnë si nga kujtimet personale, nga kujtimet e të tjerëve, por edhe nga studime të ndryshme historike, enciklopedi vendase e të huaja, e deri tek deklarata që kanë mbetur në mendje të publikut.
1- Ramiz Alia lindi më 18 tetor 1925 në Shkodër dhe vdiq më 7 tetor 2011 në Tiranë pasi vuante nga një komplikacion në mushkëri, (trenboembolia pulmonare). Ramiz Alia u varros në varrezat e Sharrës pranë gruas së tij, Semiramiz Alia. Kjo ishte dhe dëshira e Alisë.
2- Ramiz Alia ishte ndër të rrallët politikanë që jetoi tre epoka në Shqipëri. Atë të Luftës Antifashiste si partizan, të sistemit komunist si kuadër i Partisë e deri në udhëheqës i gjithë sistemit, si dhe atë të demokracisë, si President i parë pluralist i vendit.
3- Detyrat më të rëndësishme të Ramiz Alisë kanë qenë, ajo e sekretar të Parë të KQBRPSH (1949-1955), ministër i Arsimit dhe Kulturës (1955-1958), anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i KQ PPSH-së për ideologjinë (1961-1985), deputet, kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor (1982-1990), sekretar i Parë i KQ të PPSH-së (1985-1991) dhe kryetar i Këshillit Presidencial (1991).
4- Ai u diplomua në shkollën e Partisë në Moskë (1954). Alia është një nga figurat më të rëndësishme të Partisë së Punës së Shqipërisë, i cili udhëhoqi Shqipërinë mes viteve 1984–1990. Gjatë kësaj periudhe Ramiz Alia ka kryer detyra të larta në drejtim të PPSH-së, rrjedhimisht edhe të shtetit shqiptar.
5- Pas zgjedhjeve të para shumëpartiake në Shqipëri të zhvilluara më 31 mars 1991, parlamenti i ri pluralist i dominuar nga deputetët e PPSH-së, më 30 prill 1991 me propozim të PPSH-së e zgjodhi Ramiz Alinë, President të Republikës. Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 22 marsit 1992 ku fitoi koalicioni i opozitës i udhëhequr nga Partia Demokratike, më 3 prill 1992 Alia dha dorëheqje nga posti i Presidentit.
6- Semiramis Xhuvani Alia, vajza e Aleksandër Xhuvanit ishte bashkëshortja e Alisë me të cilën pati tre fëmijë. Dy vajza, Zanën, Besën, si dhe një djalë, Arbenin.
7- Në prill të vitit 1985, Ramiz Alia është emëruar pasues i Enverit në shtëpinë e këtij të fundit. Kur mjekët i dhanë lajmin se Enveri vdiq. Haxhi Lleshi në korridoret e vilës së Hoxhës në Tiranë i është drejtuar me fjalët. “Të rrojë Partia, të rroni ju shoku Ramiz”, duke nënkuptuar se vendin e Enverit mund ta zinte vetëm ai.
8- Ramiz Alia ishte Presidenti që firmosi ligjin që lejonte krijimin e partive dhe shoqatave politike. Ky akt i firmosur më 12 dhjetor 1990 formalisht i dha fund sistemit monopartiak dhe krijonte mundësinë e pluralizmit të partive dhe shoqatave të tjera në vend.
9- Që nga rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës, në shkurt të 20 shkurtit 1991, shënoi dhe prishjen e marrëdhënieve mes Ramiz Alisë dhe bashkëshortes së diktatorit, Nexhmije Hoxha. Dy njerëzit që mbajtën për gjashtë vite sistemin nuk folën më kurrë me njëri-tjetrin.
10- Për 40 vite me radhë do të ishte në krah të Enver Hoxhës. Të tjerë para tij e provuan të ishin në krah të diktatorit dhe nuk arritën të mbyllnin jetën me lavdi. Ndërsa Alia jo vetëm ishte më i besuari dhe i mbijetoi intrigave të kupolës, por për gjashtë vite ishte dhe pasuesi i Hoxhës.
11- Dy drejtuesit komunistë, Alia dhe Hoxha, historia do t’i takonte në muajt e parë të vitit 1943. Alia ishte 18 vjeç, ndërsa Hoxha 35 vjeç në një shtëpi në Tiranë. Askush nuk di çfarë kanë folur për herë të parë. Por aty do të niste historia e sistemit komunist në Shqipëri. Detyrën e parë si komunist e ka marrë në qytetin e Beratit. Me urdhër të Nako Spirut ai delegohet të ngrejë bazën e rinisë në qytetin Beratit. Që nga ajo kohë ai merr pjesë aktive në rezistencën kundër pushtuesve fashistë dhe më pas atyre gjermanë.
12- Pas vdekjes së Enver Hoxhës, më 11 prill 1985, Ramiz Alia u betua se do e mbante sistemin komunist përjetë. Në fakt ai e udhëhoqi vetëm për pesë vite 11 muaj e 22 ditë, deri në dorëheqjen e tij, më 3 prill të vitit 1991.
13- Për nëntë vite, nga 1982 deri më 1991 ka mbajtur funksionin e kryetarit të shtetit në regjimin komunist. Në këto vite posti i presidentit funksiononte si organ kolegjial dhe quhej Presidium i Kuvendit Popullor. Alia e mori këtë post pas Haxhi Lleshit.
14- Ramiz Alia është President i parë i dalë nga një parlament shumë partiak. U zgjodh në 30 nëntor të vitit 1991 dhe e mbajti këtë detyrë për 11 muaj e 21 ditë, deri në zgjedhjen e pasuesit të tij, Sali Berisha, më 9 prill 1992.
15- Është i pari zyrtar i lartë i komunizmit që pranoi të largohej nga pushteti me zgjedhje demokratike. Edhe sot zgjedhjet e vitit 1992, mbahen më pak problematiket me gjithë tensionin që shoqëruan një eveniment të tillë. Alia dha dorëheqjen më 3 prill të vitit 1992.
16- Ka meritën se ndërrimi i sistemeve nuk u polarizua në një shkallë të tillë që mund ta kthente atë në një luftë civile. Edhe pse në këndvështrime të ndryshme, akti i lejimi të pluralizmit me një vendim byroje tregonte një emancipim për gjithë vendet e Evropës Lindore.
17- Lufta e klasave, ndalimi i fesë, kolektivizimi total i ekonomisë, janë ndër nga gabimet e komunizmit në Shqipëri që janë pranuar nga vetë udhëheqësi komunist, Ramiz Alia. Në deklarata të ndryshme Alia është shprehur se nëse këto tre çështje do ishin realizuar në mënyrë më të butë, atëherë regjimi nuk do ishte kaq i ashpër.
18- Ramiz Alia u akuzua për korrupsion dhe për dhunim të të drejtave njerëzore në vitin 1993. Bashkë me të u arrestuan Nexhmije Hoxha, Zylyftar Ramizi, Hajredin Shyti, Shefqet Peçi, Aranit çela, Hekuran Isai.
19- Gjyqi për ish-funksionarët e lartë të Partisë së Punës e dënoi me 9 vite burg, për dhunim të të drejtave njerëzore. Në vitin 1997 dhe çështja e tij u pushua dhe Ramiz Alia fitoi sërish lirinë.
20- Më 12 shtator të vitit 1992, ndaj Ramiz Alisë merret masa e arrestit në shtëpi. Akuza ishte shpërdorim detyre. Së bashku me të u arrestua dhe ish-kryeministri Adil Çarçani; avokati i tij ishte Kleanthi Koçi; ndërsa prokurori i çështjes, Arben Qeleshi; hetues, Maringlen Rrapi.
21- Më 19 gusht arrestohet në shtëpinë e tij me urdhër të prokurorisë. Tre policë e shoqërojnë për në burgun 313 në Tiranë. Protesta e tij në ato momente ishte, “se një kryetar shteti nuk mund të arrestohej nga tre policë të thjeshtë, pa avokat dhe pa prokuror”.
22- Alia u dënua me nëntë vite burg, në 21 maj 1994, në ditën e Kurban Bajramit. Një koincidencë që vet Alia e vë re te kujtimet e tij, 10 anëtarë të Byrosë u dënuan gjatë Krishtlindjeve të vitit 1993. Ndërsa Fatos Nano në ditën e Pashkëve.
23- Historia, Ramiz Alinë dhe Fatos Nanon, nuk do t’i takonte vetëm në debatet mes udhëheqjes dhe intelektualëve në vitin 1991. Gjatë vuajtjes së dënimit, Alia dhe Nano do t’i ndanin vetëm një mur dy qelitë e tyre në burgun e Bënçës në Tepelenë, deri në vitin 1997.
24- Është politikani që pas viteve 1990 është sulmuar nga të dy kampet. Komunistët e akuzuan për tradhti, sepse nuk mbrojti sistemin dhe nuk u tregua i ashpër me studentët e dhjetorit. Demokratët e akuzuan se u tregua i ashpër në ngjarjet e vitit 1991.
25- Ishte ndër të pakët byroistë dhe politikan i diktaturës që mbajti marrëdhënie të përhershme me gazetarët nga më në zë të vendit. Dhe jo vetëm me gazetarët në Tiranë, por bashkëpunoi dhe me shumë media në Prishtinë.
26- Ramiz Alia ishte ndër të paktët anëtarë të Byrosë Komuniste që fjalimet i shkruante vet në letra të vogla formati, pa ndihmën e këshilltarëve. Ishte ndër të rrallët drejtues shteti në Byronë Komuniste që kishte kapacitete intelektuale të admirueshme.
27- Nga origjina familjare është i besimit mysliman. Por në vitin 1960 ishte pjesë e sistemit që ndërmori heqjen e besimit fetar. Ndërsa i njëjti person në vitet 1990 hodhi hapin e parë për lejimin e besimit fetar në vend.
28- Ramiz Alia njihet gjatë studimeve në Moskë me gruan e tij të ardhshme, Semiramis Xhuvanin. Semiramizi, megjithëse gruaja e një prej njerëzve me më shumë pushtet, nuk pati ndonjë ndikim apo ndërhyrje në jetën politike, siç ndodhi me shumë bashkëshorte të udhëheqësve të Bllokut.
29- Semiramis Alia, bashkëshortja e Ramiz Alisë, vdiq në vitin 1985 nga një sëmundje e rëndë. Cilësohej si një nga gratë më të kulturuara të Bllokut. Ishte vajza e studiuesit të njohur Aleksandër Xhuvani dhe lindi në Elbasan në vitin 1925.
30- Ramiz Alia ishte edhe ndër të paktët njerëzi që moshën 80-vjeçare mësoi kompjuterin dhe përdorte në mënyrë të shkëlqyer internetin dhe e-mailin . Ramiz Alia kishte dhe një nga bibliotekat më të pasura në vend.
31- Ramiz Alia kishte një adhurim të veçantë për Ismail Kadarenë dhe veprat e tij. Megjithëse gjatë ndarjes së sistemeve, Kadare dhe Alia patën jo pak herë debate në publik për çështje të ndryshme, mëritë nuk ndikuan në shijet artistike të Alisë.
32- Si nxënës hynte tek ata që vlerësohen shkëlqyeshëm. Lëndët e preferuara për të ishin matematika, fizika e kimia. Ndërkohë që në rini ëndërronte të bëhej inxhinier. Një dëshirë që nuk ju realizua, pasi studimet e larta i përfundoi për filozofi politike në Moskë.
33- Anëtari i Rinisë së Partisë Komuniste u bë në dhjetor të vitit 1941, pak kohë pasi ishte themeluar Partia Komuniste. Ishte sekretar i Organizatës së Rinisë Komunistë në vitin 1942, në klasën e gjimnazit të Tiranës. Në qershor të vitit 1941, Ramiz Alia ka qenë dëshmitari i demonstratës së parë ku, merrte pjesë Enver Hoxha në sheshin “Skënderbej” në Tiranë. Ky ka qenë kontakti i parë viziv mes tij dhe Hoxhës.
34- Në muajin gusht të vitit 1942 arrestohet nga italianët për aktivitetin e tij në organizatën e rinisë komuniste në gjimnazin ku studionte. Pasi mbahet disa ditë në kuesturë lirohet.
35- Aktivitetin si anëtar i Partisë Komuniste e ka nisur në moshën 17-vjeçare, së bashkua me Manush Alimanin. Ndërsa ndër njerëzit e parë drejtues të Partisë Komuniste ka pasur kontakte me Nako Spiron.
36- Ramiz Alia bën pjesë në komunistët e parë shqiptarë që ishin nga veriu, por së bashku me të ishin dhe Ali Kelmendi, Shtjefen Ingrizi, Ndoc Deda, Zef Mala, Gjin Marku, Ramadan Çitaku, Haxhi Lleshi, Nexhmije Xhuglini, Vojo Kushi.
37- Gjatë Luftës Antifashist Nacional Çlirimtare detyra më lartë që pati ishte ajo e sekretarit të Komitetit Qendror të Bashkimi Rinor Antifashist Shqiptar. Aktivitetit i tij kryesor ka qenë më rininë. Si partizan ka luftuar në jug të Shqipërisë në Berat, Skrapar, më pas në verilindje të vendit. Ndërsa më vonë brigada e tij luftoi në Kosovë, por edhe në Jugosllavi në qytetet e Sanxhakut, Jecinjë e Novi Pazar, Vishegrad.
38- Për humbjen e Kosovës në 1945, Alia ka dhënë versionin e tij, ku deklaronte se nuk mund të bëhej luftë me serbët, pasi dhe ata luftonin fashizmin. Nuk mund të ndryshoheshin kufijtë, pasi nuk do t’i njihte askush. Dhe Shqipëria në luftë u rendit fituese dhe s’mund të niste një luftë ballanike. Në fakt asnjëherë gjatë luftës nuk është diskutuar për Kosovën.
39- Pasi përfundoi studimet në Moskë, Alia mori një sërë detyrash në organizatat e rinisë Komuniste. Kryesisht u angazhua në sektorët e kulturës, arteve dhe më pas atë të ideologjinë që përgatiste brezat e rinj. Për tre vite nga 1955 deri më 1958 Alia ka mbajtur detyrën e Ministrit të Arsimit. Kjo është detyra me e lartë në ekzekutiv që mori që pas mbarimit të Luftës, ishte një nga kuadrot që shihej me sy të mirë edhe për shkak të armimit të tij në Rusi.
40- Gjatë karrierës së tij politike, Alia është shquar për veprime të moderuara brenda linjës së partisë. Kjo ka bërë që në ambientet e ngushta te kupolës së drejtuesve komunist, Ramiz Alia të njihej me epitetin “liberali”. Si drejtues i shtypit dhe propagandës, ishte një nga anëtarët e byrosë në fushatën për heqjen e fesë. Ndikimi i “Revolucionit kulturor kinez” dhe emancipimi i shoqërisë ishin themelet e kësaj fushate në vitet 1960-1970. Megjithëse vetë Alia më vonë do ta cilësonte një hap të nxituar.
41- Ramiz Alia ka qenë një nga katër anëtarët e delegacionit shqiptar në mbledhjen e 80-n partive komuniste në Moskë, ku Shqipëria u nda nga kampi rus. Alia ka përkthyer bisedën mes Enver Hoxhës dhe Hrushovit ku u vulos largimi i Shqipërisë. Një nga momentet më të vështira në karrierën e tij ka qenë prishja e marrëdhënieve me Rusinë. Alia kishte mbaruar studimet në Moskë dhe gjithë kuadrot që vinin andej shiheshin me tjetër sy. Madje flitet se rusët i kanë propozuar dhe vendin e Enverit nëse Shqipëria mbetej pjesë e kampit.
42- Në vitet 1970 deri në vdekjen e Enver Hoxhës ishte njeriu i tij më i besuar. Ishte ndër të vetmit që mund të shprehte një mendim ndryshe në takimet më të dhe të orientonte qëndrimet politike. Gjithashtu ishte i vetmi që respektohej nga gjithë familja Hoxha. Në listën e “liberalëve” që u dënuan në vitin 1974 ka qenë dhe emri i Ramiz Alisë, bashkë me Todi Lubonjën dhe Fadil Paçramin. Në Plenumin e Komitetit Qendror, Mehmet Shehu e ka akuzuar ashpër për liberalizëm. Por Enver Hoxha e shpëtoi Ramizin vetëm me një vërejtje.
43- Marrëdhëniet e tij me kryeministrin Mehmet Shehu cilësohen si më të ashprat mes dy përfaqësuesve të Bllokut. Në letrën që ka lënë Shehu para vdekjes, një pjesë e akuzave i drejtohen dhe Ramiz Alisë. Megjithatë, Alia nuk e ka sulmuar kurrë figurën e Shehut. As kundërshtarët politikë nuk e kanë sulmuar aq ashpër Ramiz Alinë sa ish-kryeministri Mehmet Shehu. Në letrën që i dërgonte Enver Hoxhës, Shehu e cilësonte Ramizin si “Jagoja i Shqipërisë”. Ndërkohë që për të tjerë ai është dhe “Gorbaçovi i Shqipërisë”. Ramiz Alia është i pari anëtar i Byrosë Politike që ka folur dhe ka dhënë dëshmi për vdekjen e Mehmet Shehut. Në të gjithë intervistat ka deklaruar se, “Mehmeti ishte njeri shumë krenar dhe vrau veten, nuk mund t’i duronte kritikat”.
44- Mbledhjen e parë të Byrosë Politike Ramiz Alia e ka drejtuar më 13 prill të vitit 1985, vetëm dy ditë pas njoftimit zyrtar të vdekjes së Enver Hoxhës. Ndërkohë prej vitesh ai ishte etiketuar si pasuesi i tij, ndaj marrja e kësaj detyre nuk u shoqërua me debate. Edhe pse kryetar i Byrosë në dy mbledhje të këtij institucioni karrigia ku qëndronte ulur Enver Hoxha nuk është zënë nga askush. Ramiz Alia i drejtonte mbledhjet nga vendi ku qëndronte gjithmonë kur ishte gjallë Enver Hoxha.
45- Është funksionari i parë i sistemit komunist që zhvilloi takime me përfaqësues të vendeve perëndimore pas 40 vitesh izolim. Me kryeministrin e Maltës në 1983 dhe me kryeministrin e landit të Bavarisë 1984, dhe lejoi lidhjen e marrëdhënieve me Gjermaninë në 1988. Vetëm një vit para se në Shqipëri të organizoheshin protestat e para në Plenumin e tetë të Komitetit Qendror të PPSH, në vitin 1989, Ramiz Alia deklaron se nuk do të ketë hapje të vendit dhe komunistët nuk do të lëvizin asnjë pikë nga vija e Partisë.
46- Ramiz Alia është i pari kryetar shteti që pas 45 vitesh vizitoi Amerikën. Më 1989 bëri vizitën historike në Asamblenë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Më shumë domethënës sesa fjalimi që mbajti atje, ishte fakti që një komunist vizitonte qendrën e kapitalizmit. Kur Ramiz Alia fliste në 28 shtator të vitit 1990, në Asamblenë e OKB-së përpara ndërtesës ishin grumbulluar me qindra shqiptarë të Amerikës që protestonin kundër Alisë, si pasuesi i diktatorit Enver Hoxha. Ndërsa në lokalin e amerikano-shqiptarit, Anthoni Athans, mbështetësit e Alisë dhe kundërshtuesit e tij u përleshën.
47- Disfatën më të rëndë të jetës së tij, Ramiz Alia cilëson firmosjen e dekretit të pluralizmit. Në një intervistë që ka dhënë thotë se: “Nuk ishte një kënaqësi, sepse ajo ishte një disfatë për ne. Në qoftë se do të thosha në jetën time çfarë shënon ajo, ajo shënon një disfatë. Unë kam luftuar për socializmin, kam luftuar për një shoqëri pa klasa, për një shoqëri komuniste. Ishte një dështim”…
48- Vlerësimi i Alisë për Enver Hoxhën gjatë viteve të fundit, nuk ndryshon nga ai i viteve 1980. “Duan apo s’duan simpatizantët ose kundërshtarët e tij, Enver Hoxha për afro pesë dekada ishte në krye të shtetit shqiptar. Ka pasur edhe gabime e veprime të padrejta, për të cilat mban përgjegjësi Enveri, si dhe gjithë udhëheqja e partisë. Por është fakt, që nën udhëheqjen e Hoxhës, vendi hodhi hapa të rëndësishëm përpara në zhvillimin ekonomik, arsimor e kulturor”.
49 –“Nuk u bë, sepse nuk deshi të bëhej, zoti fuqiplotë i Shqipërisë. Mund të kishte vënë në lëvizje mekanizmin represiv të shtetit, siç dhe ia kërkuan, por nuk e bëri. Kontradiktat e ashpra, mëritë, armiqësitë, urrejtjet që helmonin shoqërinë shqiptare të viteve 1990, u mundua t’i zbusë duke i dëgjuar e duke u munduar t’i kuptojë të gjithë e, në fund, duke i hapur rrugë pikërisht rinisë, me të cilën e kishte lidhur një jetë e tërë. Përfaqësues i një sistemi të mbyllur monist, i kuptoi aspiratat e të rinjve për një Shqipëri të hapur evropiane, i toleroi dhe më në fund i lejoi ato, duke u bërë edhe presidenti i parë i pluralizmit shqiptar”, kështu deklaroi Pëllumb Xhufi gjatë homazheve për varrimin e Ramiz Alisë.
50- Kanë thënë për të gjatë homazheve:
Ilir Meta: Mendoj se nderimin më të mirë për çdo figurë e bën historia. Dua ta vlerësoj si një figurë të shquar të luftës antifashiste dhe për përpjekjet e tij për ta kuptuar me aq sa mundej pluralizmi. Alia është i pari personalitet që ka dhënë dorëheqjen pasi humbni zgjedhjet në vitin 1992. Për vlerësimin e tij do të duhen disa dekada”.
Fatos Nano: Vlerësoj kontributin e tij për luftën antifashiste. Ky homazh është në respekt të një epoke historike e cila ka edhe protagonistët e saj. Shpreh respekt për kontributin e tij në luftën Nacional-clirimtare dhe në rindërtimin e vendit pas saj. Shpreh respekt për kontributin e tij në etapa të ndryshme, deri në institucionalizimin e shtetit pluralist.
Servet Pëllumbi: Presidenti i parë i periudhës demokratike dhe i fundit i periudhës komuniste. Vetë kjo flet për karakterin kontradiktor të vetë figurës të Ramiz Alisë. Megjithatë, meriton respektin si njeriu që mbyll jetën.
***
5 misteret që mori me vete Ramiz Alia
Ashtu si Enver Hoxha dhe Ramiz Alia është një nga figurat që merr shumë mistere në varr. Aktiviteti i tij gjatë komunizmit ka shumë situata të pasqaruara, sa vetëm ai mund tu jepte një përgjigje.
“Tirana Observer” publikonpesë misteret që udhëheqësi i fundit komunist dhe presidenti i parë i demokracisë mori me vete në varr.
1-Roli i Alisë në Luftën e Dytë Botërore, e vërteta e masakrës së Tivarit
Ramiz Alia u fut në luftë si shumë të rinj të cilët nuk ishin dakord me pushtimin nazi-fashist gjatë luftës së Dytë Botërore. Ai arriti të bëhej deri në komisar i një divizioni, i cili luftoi deri në Beograd. Pak muaj më parë Alia u akuza nga mazhoranca e djathtë se ka gisht në masakrën e Tivarit për humbjen e jetëve të mbi 1000 kosovarëve. Në fakt e vërteta e kësaj masakre është e dokumentuar dhe zhurma për rolin e Ramiz Alisë më shumë ishte politike. Enver Hoxha pas prishjes së marrëdhënieve me Titon për këtë masakër të mënyrë deklaroi se ka pasur rreth 1000 të vrarë ndërkohë ka pasur një moment që lideri komunist mendoi seriozisht që të çonte në gjyqet ndërkombëtare fajtorët, por më pas u tërhoq nga kjo ide duke parë që Rusia nuk i dha mbështetje. Ish-presidenti Ramiz Alia reagoi vetë për akuzat e kryeministrit Berisha në drejtim të tij, të lidhura me masakrën e Tivarit, të ndodhur në mars të vitit 1945, kur UDB-ja jugosllave, sipas udhëzimeve të qeverisë së saj në Beograd, ekzekutoi rreth 1000 kosovarë të pafajshëm. “Unë kam një të keqe të madhe, që nuk e dëgjoj Berishën. Tivari është në Mal të Zi dhe kur ka ndodhur ngjarja ne kemi qenë në Bosnjë. Është një ngjarje e rëndë për kosovarët dhe le të përgjigjen vetë ata ose më mirë serbët që e organizuan. Berishën çdo gjë e shqetëson, ashtu është formuar ai. Kur ka halle dhe probleme do të krijojë gjullurdi, të kapet diku të krijojë një problem”, u shpreh ish-presidenti Alia disa muaj më parë.
2-Roli i Ramiz Alisë në eliminimin e shumë prej figurave të nomenklaturës komuniste?
Natyrisht kur ishin në jetë emrat e Beqir Ballukut, Hysni Kapos, Kadri Hazbiut apo Mehmet Shehut, nuk mund të mendohej apo të merrej me mend në opinionin publik dhe jo vetëm se trashëgimtar i pushtetit të Enver Hoxhës mund të ishte Ramiz Alia. Ndërkohë që dënimi i Kadri Hazbiut mbetet misterioz. Ka shumë hipoteza lidhur me dënimin e tij. Ato që më shumë duket se kanë zënë vend, janë hipotezat e frikës së Hoxhës për marrjen e pushtetit nga një njeri i cili dilte nga sfera e influencës së tij. Mendohet se Hoxha si pasardhës të tij kishte parashikuar Hysni Kapon. Por vdekja e tij në vitin 1979 prish planet dhe në skenë del ideja e Ramiz Alisë. Për të trashëguar pushtetin tek Ramiz Alia, sigurisht duhej të largoheshin njerëzit më të fortë siç ishin Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu. Po ashtu misterioze ngelet dhe vdekja e Hysni Kapos në Francë. Shumë herë është thënë se për shëndetin e tij është kujdesur Ramiz Alia i cili mendohej se do të ishte pasues i Hoxhës vetë në rast se nuk do të jetonte Hysni Kapo. Vrasja e Mehmet Shehut nuk lidhet direkt me ndonjë akuzë për Ramiz Alinë, por fakti që Shehu ishte njeriu më i fortë pas Hoxhës lind dyshime të forta se dijenia e Alisë ka qenë e madhe për atë çka po ndodhte në Bllok në atë kohë. Alia në gjithë deklaratat e tij por dhe në librin me kujtime e deklaron si një vetëvrasje atë të Shehut dhe në një farë mënyre e denigron si veprim.
3- Si arriti Ramiz Alia të bëhej pasues i Enver Hoxhës?
Zgjedhja formale e Ramiz Alisë pas vdekjes së Enver Hoxhës u bë më 13 prill 1985, domethënë vetëm dy ditë pas vdekjes së diktatorit. Në mbrëmje të kësaj date, kanali shtetëror italian “RAI UNO”, në edicionin e lajmeve të orës 20.00 (TG1), përdori një fjali surprizë, e cila nuk u dha në edicionet e tjera të lajmeve. Ndër të tjera RAI emetoi këtë lajm: “Sot në vend të Enver Hoxhës u zgjodh në postin e Sekretarit të Parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, ish-shefi i policisë sekrete të Enver Hoxhës, Ramiz Alia”. Në fakt RAI sa kishte prekur një të fshehtë të madhe që funksiononte brenda piramidës partiako-shtetërore komuniste. Sipas informacioneve, në Shqipëri qysh prej vitit 1948 funksiononte edhe një polici e fshehtë sekrete e Enver Hoxhës, e cila ishte një strukturë e veçantë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga hallka e saj Sigurimi i Shtetit, dhe ishte tërësisht e panjohur. Në këtë strukturë kanë bërë pjesë njerëz që nuk e kishin vlerën nga funksioni legal i tyre, por nga pesha që kishin në këtë rrjet. Në këtë lloj policie kanë bërë pjesë njerëz të niveleve të ndryshme, të cilët kurdoherë kanë qenë të gjithëpushtetshëm dhe të pacenueshëm. Rrjeti informativ i organizuar dhe i drejtuar nga Ramiz Alia, kishte si bashkëdrejtuese bashkëshorten e Hoxhës, Nexhmijen. Pikërisht kjo është pika e bashkëpunimit të Ramiz Alisë me Nexhmije Hoxhën. Ky bashkëpunim ka qenë i gjatë dhe i përjetshëm, por në raste të caktuara në mënyrë folklorizante, janë hapur fjalë për gjoja ekzistencën e ndonjë konflikti midis tyre.
4- Pse Shqipëria ishte e fundit që u shkëput nga komunizmi, si i kontrollonte Alia grupet kundërshtare?
Vendi ynë ishte i fundit që u shkëput nga komunizmi. Ndryshe nga Rumania, apo vendet e tjera të lindjes Shqipërisë iu desh të kalonte në fillim të viteve ’90-të për të bërë kapërcimin. Alia e kuptoi që sistemi që po drejtonte ishte në agoni dhe për këtë duhej lejuar krijimi i partive të reja. Nusja e djalit të Enver Hoxhës dhe një nga kundërshtaret e forta të Ramiz Alisë, Liljana Hoxha thotë kështu për ndryshimet politike në Shqipëri: “Ramiz Alia ishte ai, që hapi dyert e ambasadave që të ikin njerëzit në eksod, dhe kur i shikon që ikin gjithë këta bij nënash, që të dhimbseshin që iknin në atë mënyrë, Ramiz Alia i quan ata armiq të popullit. Ai hap kufijtë dhe vret njerëzit pabesisht, pra bën gjenocid. Ramiz Alia është ai, që solli pluralizmin, dhe mirë bëri që e bëri këtë, por nuk e bëri në atë logjikën që thamë por ndryshe, duke e bërë në një farë mënyre mbrapsht, e bëri duke i ngritur kultin Enver Hoxhës, kur ai duhet të asgjësonte dashurinë e njerëzve për Enverin. Kjo është gjëja më traumatike që ka bërë ai, pasi ka vrarë ndjenjën shqiptare, për këtë i kam thënë edhe Nexhmije Hoxhës dhe më është përgjigjur se nuk kishte se ç´më duhej të merresha me këtë punë”, thotë Liljana Hoxha në një dalje publike të disa viteve më parë. Në shumë aspekte, Alia ishte një i mbijetuar politik. Ai kishte arritur të mbetet një figurë e rëndësishme politike nëpër disa kriza politike. Edhe pse ai kishte disa shqetësime të vërtetë për stabilitetin dhe vazhdimësinë, ai nuk ishte i papërkulur. Ai ndryshoi në përgjigje të rrethanave dhe kërkesave të vendosur nga reformatorët. Megjithatë, me Shqipërinë në grahmat e një krize të rëndë ekonomike, Alia kishte për t’u përballur me sfidat me të cilat ai nuk mund të kapërcej. Pas rënies së qeverisë së koalicionit në dhjetor 1992 dhe Partia Demokratike e PDSH (Shqipërisë) fitore dërrmuese në zgjedhjet e përgjithshme të pranverës 1992, ai dha dorëheqjen si president më 3 prill, 1992. Më 9 prill, Kuvendi Popullor zgjodhi kreu i PDSH, Sali Berisha si kreu i ri i Shqipërisë të shtetit. Më 21 maj, 1994, zyrtarë të lartë të regjimit komunist, përfshirë edhe Ramiz Alia, shkoi në gjyq. Alia u akuzua për shpërdorim të pushtetit dhe shpërdorim të fondeve shtetërore, siç ishte Adil Çarçani, ish kryeministër, Manush Myftiu, zëvendësi i tij, dhe Rita Marko, ish-zëvendës-president.
5- A i vendosi vërtet Ramiz Alia Berishën dhe Nanon në krye të PD dhe PS?
Jo rrallë në media është shkruar se Sali Berishën dhe Fatos Nanon i ka dirigjuar Ramiz Alia për të marrë drejtimin e dy partive kryesore në vend. Duke parë të kaluarën e tyre që lidhej me Partinë e Punës, nuk ka asgjë për të mos u besuar. Në fakt Ramiz Alia asnjë herë nuk është shprehur për këtë ngjarje në mënyrë të drejtpërdrejtë ku e ka dhënë versionin e tij në mënyrë të përciptë, por pa thënë se si doli Berisha dhe Nano në krye të dy partive. Roli i vërtetë tashmë që Alia nuk jeton, do të dalë nga kujtimet e dy protagonistëve Nano dhe Berisha, por dhe të personazheve të tjerë të cilët kanë qenë në dijeni të zhvillimeve të asaj periudhe, ose të do të mbesë gjithmonë një mister i madh.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu