Kioske
Shpjegimi i zbulimit të shekullit, valët gravitacionale
Teoria e 100 viteve më parë e Albert Ajnshtajnit për valët gravitacionale u vërtetua nga shkencëtarët, duke konfirmuar edhe njëherë gjenialitetin e fizikantit.
Pas një vëzhgimi të deformimit të hapësirë-kohës, të gjeneruar nga përplasja e dy vrimave të zeza 1.3 miliard vjet dritë larg Tokës, shkencëtarët konfirmojnë teorinë e Relativitetit të Përgjithshëm të hartuar nga Ajnshtajni.
Për astrofizikantët ky zbulim do të sjellë një epokë të re për gjithësinë. Ai është kulmimi i dekadave studime e kërkime dhe mund të ofrojë një dritare të re mbi Big Bangun apo shpërthimin e madh që mendohet se krijoi universin.
Zbulimi i valëve gravitacionale u bë nga bashkëpunimi Ligo, i cili operon disa laboratorë në të gjithë botën, ku shkencëtarët përmes lazerave që lëshojnë në tunele të gjata përpiqen që të diktojnë valëzime në përbërjen e hapësirë-kohës.
Fizikanti dhe profesori i teorisë së relativitetit në Departamentin e Fizikës në Universitetin e Tiranës, Halil Sykja, shpjegoi në edicionin qendror të lajmeve të Top Channel zbulimin e shekullit.
Prof. Dr. Halil Sykja, profesor i fizikës: Lajmi është shumë i rëndësishëm për shkencën dhe të ardhmen e njerëzimit për arsye se ky zbulim i drejtpërdrejt i valëve gravitacionale është ‘qershia mbi tortë’ për verifikimin e ideve të Ajnshtajnit. Por, zbulimi direkt që ka 60 vite që kërkohet me shumë intesitet u bë tani realitet për arsye se ne jemi në gjendje t’i shohim me sy, në laborator në Tokë, të instaluara në vende të ndryshme të botës dhe në mënyrë të veçantë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Teoria e Ajnshtajnit qenka plotësisht e vërtetë. Guglielmo Marconi në fillim të shekullit 20-të zbuloi transmetimin me radio të valëve elektromagnetike dhe ne të gjithë e dimë se çfarë po ndodh sot me celularët, me GPS-in, me satelitët, me komunikimin në të gjithë botën etj. etj., sepse valët bartin energji dhe derisa bartin energji këto janë në gjendje që duke u transmetuar të bëjnë ndryshime dhe të tejçojnë informacion. Kështu që edhe valët gravitacionale mbartin energji dhe imagjinoni sikur të arrijmë të komunikojmë më valë gravitacionale dhe të kuptojmë misteret qoftë në mënyrë lokale, në vrimat e zeza, në yje, brendësi të yjeve, etj., qoftë edhe për universin si i tërë.
/ Top Channel
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu